OPINION

18 maji i dytë ose: E bën dot Feniksin?

07:21 - 25.03.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Marrëveshja historike e 18 majit 2017 mes drejtuesve të dy partive kryesore të vendit, edhe pse e sulmuar dhe gati mallkuar praktikisht nga të gjithë në këto më pak se dy vjet pati vlera të jashtëzakonshme për dheun tonë, Shqipërinë. Së pari, vendosi qetësinë sociale. Vendi ishte në prag të një gjendjeje shumë të rrezikshme, me opozitën kryesore të vendit, që pas rezistencës disamujore në rrugë përpara Kryeministrisë në formën e një çadre gjigante, ishte e vendosur jo vetëm të mos merrte pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017, por edhe të ndërhynte për t’i prishur ato. Një skenar ogurzi që kishte tensionuar gjithkënd dhe ekonomia kishte filluar ta ndjente në prenotime tejet të pakta turistike dhe stepje investimesh private. Së dyti, marrëveshja prodhoi sigurinë që ekonomia e gjithë shqiptarëve të zhvillohej pa kriza politike për periudhën shtator 2017-janar 2019. Së treti, realizuam zgjedhjet më të qeta dhe fillimisht të pakundërshtuara fort në historinë e zgjedhjeve pluraliste, pas atyre të 22 marsit 1992. Zgjedhjet u kundërshtuan vetëm këtë periudhën e fundit si të blera masivisht, për arsye të tjera. Nuk ka rëndësi bilanci i përfitimeve apo humbjeve partiake të marrëveshjes së 18 majit. Ajo funksionoi dhe na ndihu të gjithëve. Tani kërkojmë një marrëveshje të dytë si ajo. Kuptohet, nuk do të jetë asfare e ngjashme, nëse do të arrihet një ujdi e dytë. Mirëpo një marrëveshje të dytë e kërkon dëshpërueshmërisht edhe opozita. Pavarësisht se sot bën të fortën dhe të vendosurën ta çojë vendin në greminë, në emër të gjoja votës së lirë. Duhet përfituar nga kjo pritshmëri si ndër ethe e saj. Socialistët dy ditë më parë bënë lojën e tyre.




Shfrytëzuan kongresin e radhës për të bërë një manifestim në rrugë. Një demonstrim force dhe mbështetjeje nga populli. Treguan popullin pozitar, i cili, pikërisht nga veprimi i pashoq i opozitës i 19 shkurtit, duke refuzuar përfaqësimin në Kuvend, nuk përbëhej vetëm nga punonjësit e Bashkisë së Tiranës apo të bashkive të tjera kryesore që i kanë socialistët. Socialistët kanë një bazë të gjerë në disa shtresa të popullsisë, gjithnjë besnike ndaj kësaj partie. Sidomos tek pensionistët. Një pjesë jo e vogël e tyre, në mos shumica, janë të galvanizuar nga politikat populiste të kryetarit të sotëm të kësaj force politike dhe kryeministër i vendit (të tipit qeverisja me qytetarin). Mbështetja tradicionale duket se është rritur për partinë në pushtet, me gjithë skandalet e herëpashershme, sidomos me tenderin e fundit të kompanisë fantazmë fituese, apo protestën e studentëve. Një forcë politike në zenitin e fuqisë së saj duhet të ndajë pushtet dhe të delegojë shpresa edhe tek opozita e telendisur që ka përpara vetes. Ndryshe kthehet në një grusht të verbër autoritar. Kryetari i saj ka treguar se e ka aftësinë t’u dalë përpara situatave minuese, të tilla si pakënaqësia popullore për mundësinë e sjelljes së armëve kimike nga Siria në nëntor 2013, apo protesta e studenteve në dhjetor 2018. Ndoshta asi nën mëngë nuk është vetëm propozimi që me një bashki më shumë në numër të opozitës nga sa do të marrin socialistët në 30 qershor 2019, të shkohet në vjeshtë në zgjedhje të parakohshme. Edhe pse ky përbën një lëshim të madh (asnjë nga partitë e mëparshme në pushtet nuk e ka prodhuar këtë propozim pak muaj përpara zgjedhjeve vendore).

Interesat e vendit kërkojnë diçka më shumë. Një aleat tejet i vogël i PS-së në një studio televizive formuloi një ide të tillë: “Lësho edhe më shumë pe, lejo formimin e një qeverie socialiste pa ty si kryeministër dhe drejto partinë në fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme e vendore bashkë në vjeshtë, duke betonuar pozicionin si kryeministër për katër vitet e ardhshme”. Nëse ideali i të bërit shtet dhe ndryshim epokal për shqiptarët është real në mendjen e kryeministrit më të sulmuar të këtyre 29 viteve tranzicion, edhe mund të provojë të bëjë Feniksin (zogun mitologjik që ringjallet nga hiri i tij). Një njëri që ka lexuar qarjet e 12 mijë qytetarëve shqiptarë në 5 vitet e fundit nga celulari i vet, mund të bëjë gjëra. Dorashkë për dorashkë. Nëse opozita u vetëdogj në parlament, kryeministri mund të “vetëdigjet” në qeverisje, për të rilindur sërish (për më tepër që e ka aq me qejf fjalën rilindje) në vjeshtë me fitimin e zgjedhjeve dyfishe: vendore të radhës dhe të përgjithshme të parakohshme. Veprim i pamundur? Jo rrallë nga situatat e pamundura dalin ujditë historike. Edhe marrëveshja e 18 majit 2017 dukej e pamundur deri mbrëmjen e datës 17 maj 2017, kur kryetari i socialistëve kthehej së bashku me çitjanet e tij nga një takim me gratë socialiste në Elbasan.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.