DOSSIER

Hrushovi: Enver Hoxha është një bandit, u vinte litarin në qafë njerëzve dhe e tërhiqte

15:00 - 25.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Spartak Topollaj  – Në kontekstin e kohës dhe klimës ndërkombëtare të një bote të ndarë në dy kampe, kjo vizitë e Nikita Hrushivit merrte një rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë e vogël komuniste, rëndësi që propaganda zhdanoviane e të dyja vendeve (sidomos ajo shqiptare), do ta trumbetonte me të madhe. Vizita e shumëpritur, madje e mezipritur e “mikut më të madh”, me stërzgjatjen e habitshme e të paparashikuar nga askush, çuditi botën. Ajo u realizua nga 25 maji deri më 4 qershor 1959, pra zgjati plot 11 ditë, gjatë të cilave Hrushovi i ra kryq e tërthor Shqipërisë, nga Shkodra në Sarandë. Në këtë vizitë jo pa domethënie, ai kish marrë me vete mareshallin Rodion Malinovski, ministrin e Mbrojtjes që zëvendësoi Zhukovin. Interesant është fakti që tri javë para se të vinte në Shqipëri, Hrushovi i kish dhënë një intervistë të gjatë gazetës së njohur greke “TO VIMA” në të cilën, pasi fliste për lidhje të hershme (feja ortodokse), kërkonte miqësi mes dy vendeve. Por, Bashkimi Sovjetik nuk mund të pranonte bazat e huaja ushtarake (NATO-SHBA), apo instalime raketash deri dhe ato me mbushje bërthamore, që mund të shkaktonin reaksion për një goditje atomike me pasoja tragjike për të gjithë rajonin gjithëgadishullor. Në mitingun e Shkodrës, ai kanosi edhe Italinë fqinje, tjetër fuqi e madhe NATO-s kjo, që sipas tij e padyshim edhe Enverit, kërcënonte Shqipërinë Socialiste, madje shkoi edhe më tej në mitingun e madh të Tiranës, ku nga ballkoni i Bashkisë deklaroi se për mbrojtjen e Shqipërisë, Traktati i Varshavës dhe Bashkimi Sovjetik, edhe pa sjellë armët konvencionale, vështirësisht të kalueshme në territoret vendeve të tjera, mund të godiste direkt nga territori sovjetik!




Deklaratat kontradiktore të Hrushovit në Shqipëri
Kontradiktor e shpesh konfuz në deklaratat dhe pikëpamjet e tij, siç qe rasti edhe për minoritetin grek në Shqipëri, Hrushovi nuk është se gjeti mbështetje të plotë nga dyshja Hoxha-Shehu, e po ashtu edhe nga krerët grekë të politikës e shtetit, si Venizellos, Karamanlis, Papandreu, Averof etj. U quajt hipokrizi dhe e papranueshme teza hrushoviane e çarmatimit në Ballkan, aq më tepër kur rreziku i një sulmi nga vende komuniste me Bashkimin Sovjetik në krye ndaj Greqisë nuk përjashtohej. Shantazhi i Hrushovit, sidomos ndaj Greqisë dhe Italisë, nuk ishte rastësi që u bë nga Shkodra, Korça, Butrinti dhe Vlora, ku në këtë të fundit ishte dhe baza e madhe strategjike ushtarako-detare e Pasha Limanit me 12 nëndetëse, ndërkohë që Italia kishte 2 dhe Greqia vetëm 1 të tillë! Po ashtu, nuk ishte harruar nga grekët dhe anglo-amerikanët ndikimi i Shqipërisë dhe roli i saj gjatë Luftës Civile në Greqi, të cilat Enver Hoxha më vonë i ka paraqitur krejt ndryshe nga e vërteta në librin e tij “Dy popuj miq”, sidomos kur shkruan se çfarë përfaqësonin ELAS-i, EAM-i, EDES-i etj., dhe komandantët e tyre si Veluciotis, Vaviadhis, Zahariadhis, Zervas, Grivas dhe Papagos. Ndihmat e UNRRA-s dhe Plani Marshall i Presidentit Truman iu paraqitën Hrushovit nga Hoxha, ashtu si ia desh momenti dhe konjuktura. Edhe për minoritetin grek në Shqipëri, Hrushovi ishte konfuz, teksa tentoi të bëjë kompetentin në fushat e historisë, gjuhësisë dhe etnogjenezës së popujve, fusha në të cilat ai për hir të së vërtetës linte shumë për të dëshiruar. Nga ana tjetër, Enver “parimori” pranoi të mos e sulmonte, madje as ta përmendte Titon, në “respekt” të kërkesës së mikut Hrushov, për sa kohë zgjati edhe vizita e tij në Shqipëri, duke vërtetuar se vetë intransigjenca e tij me Titon, që me aq zell propagandonte Hoxha, s’ishte gjë tjetër veçse një falsitet. Nikita Sergejeviçi do të mbahet mend nga shqiptarët edhe për propozimin e tij për të ngritur plantacione agrumesh, pasi për sa drithë kishte nevojë Shqipëria, në Bashkimin Sovjetik e hanin minjtë nëpër depo! Gjatë kësaj vizite në qendër të Tiranës, atje ku që nga thellësia e shekujve ishte Pazari i Vjetër (prishja e të cilit ishte një nga absurdet e kohës), Hrushovi vendosi gurin e parë për ndërtimin e Pallatit të Madh të Kulturës, një vepër kjo ende mjaft e diskutueshme nga çdo pikëpamje.

Ëndrra e vjetër e carëve shovenë rusë për Shqipërinë
Ëndrra e vjetër e carëve shovenë rusë ishte dalja në Mesdhe, apo ngritja e bazave të mëdha ushtarake sidomos në Adriatik dhe Jon, prej nga ku Otranto (pra vetë Perëndimi), ishin jo më shumë se 75 km distancë! Të kushtëzuar nga dara shtrënguese e Bosforit dhe Dardaneleve të një ish-perandorie, si ajo turke aktualisht, edhe ajo fuqi e madhe e NATO-s, sovjetikët dhe më konkretisht Hrushovi e Malinovski nuk e fshihnin aspak dëshirën që ta përdornin Shqipërinë si një plasdarmë dhe avanpost. Një Zot e di se çfarë mendonte në të vërtetë Enver Hoxha në ato ditë kur delegacioni më i lartë sovjetik vizitonte Shqipërinë, por një gjë dihet mirë, që ai ishte në apogjeun e delirit të tij të protagonizmit dhe madhështisë. Për më tepër, mjeshtri i madh i hipokrizisë dhe kameleonizmit, që u shqua gjatë gjithë jetës për lojën e dyfishtë, pikërisht në ditët e vizitës së delegacionit të lartë sovjetik, saktësisht më 27 maj, kish ftuar për vizitë edhe ministrin e Mbrojtjes së Kinës Popullore dhe anëtarin e fuqishëm të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Marshallin e njohur Peng Dehuai (1898-1974), i cili ndoshta thjesht për koinçidencë, u shkarkua nga Mao Ce Duni, si edhe homologu i tij sovjetik Zhukov, fill pas vizitës në Shqipëri, madje i shkreti Peng Dehuai pati një fund shumë më tragjik se Zhukovi, se pas kundërshtive të forta me Maon dhe Lin Biaon, rivalin e përjetshëm që i zuri vendin, u shkarkua në Konferencën e Lushanit e më pas u poshtërua publikisht gjatë Revolucionit Kulturor Proletar, u arrestua dhe u torturua deri sa vdiq. Hrushovi dhe Malinovski, ndërkohë s’kish si të mos e kuptonin domethënien e vizitës së Peng-ut në Shqipëri, në të njëjtën kohë me ata. Sido që të ishte, Hrushovi e mbylli me sukses të përkohshëm vizitën në vendin tonë më 4 qershor 1959, ai i shoqëruar ashtu si edhe kur erdhi nga tetë udhëheqës të lartë të Partisë dhe shtetit sovjetik. U përcoll me po atë madhështi e përzemërsi që edhe u prit në aeroportin e ri, atë të Rinasit, ndërtuar me stërmundimin sfilitës dhe gjakun e të burgosurve politikë të regjimit, deri dhe me stilin sllavo-ortodoks të tri herë puthjeve homoseksuale buzë më buzë, nga e gjithë udhëheqja më e lartë e Partisë e Shtetit, me vetë Stalinin shqiptar, Enver Hoxhën në krye!

Hrushovi nga Shqipëria, vizitë në SHBA
Thuhet se Hrushovi në TU-104 e tij mori me vete, veç konstruktorëve të famshëm të avionëve “Andrej”, edhe Aleksej Tupoljev, babë e bir, edhe konstruktorët e tjerë, jo më pak të famshëm se ata, Jakovljev, Iljushin, Mikojan, Gurjeviç, Sukhoi dhe Antonov. Madje, në ditët e vizitës së gjatë të tyre, po në Rinas u ul për provë edhe gjiganti sovjetik ajrit, krenaria e AEROFLOT-it për kohën, TU-114, me të cilin Nikita Sergejeviç Hrushovi plot katër muaj më vonë do të fluturonte drejt SHBA-ve, ku i ftuar nga presidenti i shquar amerikan, Gjenerali fitues i Luftës së Dytë Botërore, Duajt Ajzenhauer, do të ulej në bazën ajrore Andrews, pranë Uashingtonit, në të parën vizitë të një lideri sovjetik në tokën amerikane. I befasuar dhe i tronditur nga kjo vizitë e shokut Hrushov, Enver Hoxha urdhëroi kalimin gati në heshtje të saj nga propaganda zhurmëmadhe e jona dhe pompimin e forcimit të marrëdhënieve e miqësisë me Kinën e kuqe të Maos në Lindjen e Largët, duke shfrytëzuar 10-vjetorin e Shpalljes së Republikës Popullore të Kinës. Nga ana tjetër, teksa pa, dëgjoi dhe ndjeu në ç’nivel ishte Amerika në të gjitha fushat, Hrushovit iu “prenë gjunjët”, duke e lënë në mes garën paqësore me SHBA-te.

Krisja e marrëdhënieve mes Tiranës e Moskës, pas vizitës së Hrushovit
Tani në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike fillon acari. Për paradoks, ai ndryshe nga sa ndodh me motin në atmosferë, i cili nis e ftohet në vjeshtë nga erërat që fryjnë nga verilindja drejt jugperëndimit, ndodhi e kundërta. Dy ishin momentet kulmore, Konferenca e Bukureshtit, qershor 1960, ku Hoxha dërgoi Hysni Kapon dhe PPSH iu bashkëngjit tezave kineze të Maos dhe PKK, dhe Mbledhja e Moskës e 81 Partive Komuniste e nëntorit 1960-të, pas së cilës askush s’kishte më dyshim për shizmën e madhe të Lëvizjes Komuniste Botërore, ku Enver Hoxha mbajti fjalimin dhe qëndrimin e njohur jo vetëm nga dokumentet e publikuara herët, apo ato të deklasifikuara së fundmi, por edhe nga kryevepra artistike e gjeniut tonë të përmasave botërore, fituesit të çmimeve më të mëdha letrare ndërkombëtare nobelistit de fakto, Ismail Kadare, “Dimri i vetmisë së madhe”, pa harruar edhe kujtimet autentike të dy protagonistëve të panënvlerësueshëm, Frederik Gjerazi dhe Myfit Mushi, përkthyesit zyrtarë të delegacionit shqiptar. Sovjetikët bëjnë të gjitha përpjekjet që marrëdhëniet të mos shkojnë deri në prishjen përfundimtare, ndërsa nga PPSH-ja vetëm një grua, ndoshta më e zonja në të tërë udhëheqjen sklerotike dhe mediokre shqiptare, Liri Belishova, pas një vizite në Kinën e largët, në kthim e sipër ndalon në Moskë, ku bisedon me sovjetikët, por Enver Hoxha nuk dëgjon nga ai vesh, madje më keq akoma, e akuzon për rënie në pozitat e revizionistëve hrushovianë dhe për të e gjithë familjen e saj fillon kalvari i vuajtjeve dhe poshtërimeve pa fund, që kulmuan me arrestimin dhe burgosjen në burgun llahtar të Burrelit, (ku edhe kish vdekur Koço Kota, ministër Drejtësie i Zogut, që edhe e kish ndërtuar atë) e bashkëshortit të dytë të saj, Maqo Çomos, anëtar i Komitetit Qendror dhe ministër i Bujqësisë (bashkëshortin e parë të Belishovës, anëtar i Byrosë Politike, ministër Ekonomie dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, ndër kuadrot më të shquara të Rinisë e Partisë, Nako Spirun, pasi e akuzuan si antijugosllav, e vetëvranë me dy plumba)! Vetë Lirinë e internuan në Memaliaj e Cërrik, ku iu sëmur rëndë dhe më pas, e shtruar në Spitalin Onkologjik të Tiranës, edhe i vdes vajza e vetme, e mençura dhe e bukura poete Drita Çomo, të cilën edhe në agoni nuk ia lejuan ta shohë, paçka se në një përpjekje të fundit dëshpëruese, iu drejtua duke iu lutur si nënë, si grua, si bashkëluftëtare, Nexhmije Hoxhës, por nepërka, apo pantera e zezë, siç e ka përcaktuar shumica e shqiptarëve, e refuzoi çnjerëzisht! Bashkë me Belishovën u ndëshkua rëndë edhe Koço Tashko, ndër komunistët më të vjetër, nga një familje atdhetarësh, të cilit shqiptarët do t’ia dinë për “nder” që një ditë nëntori të 1941-it, teksa e takon krejt rastësisht, kthen nga rruga Enver Hoxhën, njohje e vjetër që në Korçë, për ta ftuar të marrë pjesë në Mbledhjen e Grupeve Komuniste të thirrur e kryesuar nga dy shokët e “deleguar” jugosllavë, Popoviçi dhe Mugosha për të themeluar PKSH në Tiranë!

Pasojat e prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik
Muajt që pasuan ishin plot ngjarje, nga të cilat do të përmendim Kongresin e IV të PPSH-së (shkurt 1961), ku sovjetikët dërguan Pospjellovin e njohur, që dështoi në misionin e tij edhe pse Enveri nuk e përmendi Hrushovin, apo Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Përballimin e madh e kemi në bazën e Pasha Limanit, ku sovjetikët këmbëngulnin të merrnin të gjitha nëndetëset dhe pjesën më të madhe të Flotës Luftarake Detare, por s’ia dolën dot as me forcë e as me provokacione. Në fund pala shqiptare arriti të mbante katër anije nënujëse dhe sovjetikët tetë të tilla. Sovjetikët përzunë studentët dhe specialistët tanë nga Bashkimi Sovjetik dhe tërhoqën këshilltarët dhe specialistët e tyre civilë e ushtarakë nga Shqipëria (pa pyetur ata, kurrë nuk merreshin vendime). Në nëntor 1961, pas një fjalimi shumë të ashpër të Enver Hoxhës kundër revizionistëve hrushovianë, u mbërrit deri tek akti i fundit: marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u prenë, për t’u rivendosur vetëm pas plot 30 viteve, më 1991, por asnjëherë në nivelin e dikurshëm, e kjo në shumë vite për faj të autokratit Putin, ish-shef i KGB.

Një enigmë e madhe, kurrë e sqaruar në të gjallë të Hoxhës, mbetet fakti se si Shqipëria ende figuronte anëtare de jure e Traktatit të Varshavës, deri më shtator të 1968-ës, (pra deri pas pushtimit të Çekosllovakisë nga divizionet sovjetike dhe ato të Traktatit të Varshavës të marshallëve Greçko e Jakubovski) kur de facto, atë e kishin nxjerrë prej tij që më 1961-in! Ja si e përcakton në kujtimet e tij Hrushovi diktatorin shqiptar: “Enver Hoxha është thjesht një bandit! Vallë, politikan është ai, që njeh vetëm një metodë, litarin në fyt dhe tërhiqe fort! Të gjithë ata që ngrihen kundër vrasjeve të fshehta dhe të hapura e që ngrenë zërin për demokratizimin e jetës së Partisë dhe të vendit qenkan revizionistë?! Natyrisht që kjo, në radhë të parë është tragjedi për popullin Shqiptar… Tamam kështu ka ndodhur edhe me ne në kohën e Stalinit, i cili ideoi dhe organizoi pushkatimin e mijëra kuadrove drejtuese të ndershme, ndërkohë që të gjithë thërrisnin: Rroftë Stalini”! Nga ana tjetër, titullin “miku më i madh”, Enveri ia akordoi Maos, përsa kohë, Kina e tij e ndihmoi fuqimisht në çdo fushë Shqipërinë. Më pas, historia përsëritet si me Titon dhe Hrushovin. Enveri s’e kapërdiu kurrë pritjen e Niksonit në Kinë e pas tij edhe të Josip Broz Titos. Vdekja e Maos, para tij dhe e Liu Shao Çi, Çu En Lai, e Çu Deh u vuri kapak raporteve vëllazërore. Tani “floriri i vogël” Teng Hsiao Ping udhëheq me vizion Kinën drejt arritjeve të jashtëzakonshme.

Hrushovi, një personalitet kompleks apokaliptik
Nikita Sergejeviç Hrushovi do të mbetet në histori një personalitet kompleks e apokaliptik. Ai ishte prekursor i një politike, që i dha goditjen më të rëndë Stalinit, apo më saktë stalinizmit despotik autarkist, kultit të tij të individit. Por Hrushovi nuk e pati të lehtë ta bënte këtë. Ai u përball me një aparat gjigant partiako-shtetëror, e ushtarako-policor, të mësuar me dhunë represive, çka nuk ndalej dot menjëherë e me një dekret të vetëm. Nën presionin e këtyre konservatorëve, ai bëri edhe tërheqje, duke pranuar se Stalini kishte edhe vlera e merita,(paçka se trupin e balsamosur ia nxorën nga Mauzoleu dhe ia dogjën, hirin e mbetur e vendosën në Murin e Kremlinit, krahas atyre të udhëheqësve të vdekur), sidomos në fitoren e madhe të Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse miliona të burgosur dhe të internuar në Gulagët e tmerrshëm siberianë u liruan e u rehabilituan, si edhe shumica e udhëheqësve të ekzekutuar padrejtësisht morën pas vdekjes nderimin e merituar, s’duhet harruar se Pasternakut s’iu lejua të marrë Çmimin Nobel, Saharovi e Sollzhjenjicini ende ishin ‘dele të zeza’, futbollisti më i madh Strelcov i burgosur për kapriçiot e ministres Furceva, më saktë, pasionit të njëanshëm të së bijës për të e më pas i rehabilituar, apo dhe shkëmbimi i pilotit amerikan të avionit U-2, Francis Gary Powers me superspiunin sovjetik Rudolf Abel nuk mund të mos përmenden.

Si e vlerëson historia Nikita Hrushovin?
Më në fund, nën presionin e krahut ende të fuqishëm konsevator stalinist brenda Partisë dhe shtetit sovjetik, Hrushovi shkarkohet nga të gjitha funksionet e tij partiako-shtetërore më 14 tetor 1964 dhe zëvendësohet prej Leonid Brezhnjevit, një version i autokratit gjysmëstalinist, që sundoi deri më 1982-in. Hrushovit i jepet një pension modest dhe një daça në periferi të Moskës, ku e kalon kohën në gjah dhe i ndihmuar nga i biri Sergei dhe dhëndri Aleksej Axhubej, i famshmi kryeredaktor i “PRAVDA”-s, shkruan kujtimet, që i boton që në gjallje të tij, më 1970, një vit para se të ndërronte jetë më 11 shtator 1971. Dhe ja ç’thotë vetë ai për jetën e veprën e tij: “Kur të vdes… njerëzit do të venë në kandar veprat e mia. Në njërën anë të këqijat, në tjetrën – të mirat dhe këto të fundit… do të rëndojnë më tepër”. Por ç’kanë thënë e shkruar të tjerët për të? Si për të gjithë personalitetet e këtij formati, mendimet dhe vlerësimet e tyre janë pa fund, nga më të ndryshmet e shpesh kontraverse. Në këtë kuadër u shkruan edhe këto opinione e fakte, si një kontribut modest, vlerësimin e të cilëve, le t’ia lëmë lexuesit ta bëjë… Duke iu rikthyer atyre çka shkruam në hyrje të këtij artikulli me opinione e fakte, le të shkruajmë edhe disa rreshta për vizitat e personaliteteve të huaja, që në vite vizituan Shqipërinë, si një plotësim që gjykojmë se do të ishte mirë të mos mungonte.

Personalitetet e tjera që vizituan Shqipërinë
Kështu, personaliteti më i madh që e vizitoi Shqipërinë në gjallje të Hoxhës, madje dy herë, ishte kryeministri më i madh kinez i të gjithë kohërave, Çu En Lai me ministrin e Jashtëm, Marshallin Çen Ji dhe Li Hsien Nien, që u bë President i Kinës e delegacione të tjera të larta partiako-shtetërore dhe ushtarake kineze. Perandorë si Haile Selasie I i Etiopisë, presidentë si Këame Nkrumah i Ghanës, mbretër si Norodom Sihanuk i Kamboxhias, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Perez de Kuejar etj. Me shembjen e regjimit totalitar dhe vendosjen e demokracisë, presidenti Berisha vizitoi dy herë Shtëpinë e Bardhë (i vetmi deri me tani) në Zyrën Ovale të Bushit senjor dhe Klintonit. Në prill të 1993-shit, për herë të parë në historinë e Papatit, Papa Gjon Pali II viziton një vend të Ballkanit, dhe ky vend, i vetmi në botë që kish mbyllur institucionet fetare, ndaloi fenë dhe ekzekutoi dhjetëra klerikë nën diktaturë, ishte Shqipëria, tashmë demokratike. Atë e kishte vizituar sekretari Bejker, pritur me madhështi (qershor 1991), sekretarët Pauell, Ollbrajt, Kerry, H. Klinton, presidentët Bush senjor e Karter, presidentët gjermanë Vaiczeker e Hercog, kancelarja Merkel, Gensheri e Kinkeli, Andreoti e Berluskoni, Prodi e Bleri, Papa Françesku etj., por kryevizita historike, e para dhe e vetmja deri më sot e një presidenti në detyrë, e të vetmes superfuqi botërore do të mbetet ajo e Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh W. Bush, pritur si askush më parë, në qershor 2007, me ftesë të kryeministrit Berisha, ku u deklarua se Shqipëria do të hynte në NATO dhe se Kosova do të shpallej e pavarur!
(Diplomat dhe studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.