AKTUALITET

Invalidët e rinj, cilat janë kushtet për të përfituar pension

18:00 - 25.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë ata persona që bëhen të paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe kanë dëmtime fizike apo gjymtime të forta, duke përfshirë verbimin, iu lind e drejta për pension invaliditeti. Sipas ligjit nr. 7703, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; invaliditeti klasifikohet në tri grupe. Invaliditet i pjesshëm është grupimi i parë, ku bëjnë pjesë të gjithë ata persona të siguruar që humbin aftësinë për punë në profesion, por janë ende në gjendje të kryejnë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it. Më tej grupi i dytë klasifikohet si invaliditet i reduktuar në rastet kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë, ndërsa invaliditeti i plotë është grupimi i fundit i kësaj kategorie pensionesh nga i cili mund të përfitojnë të gjithë ata individë që ndodhen në kushtet e nevojës për kujdestari. Pension invaliditeti të plotë përfitojnë të gjithë ata persona që kanë plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç. Gjithashtu, duhet që individi në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror si dhe të ketë humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të aksidentit në punë apo sëmundjes profesionale.




Kushtet dhe masa
E drejta për të përfituar këtë lloj pensioni fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Ndërkohë, në manualin e ISSH-së bëhet me dije se masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. “Shuma bazë e pensionit iu jepet gjithë personave të siguruar. Ndërsa shtesa që iu jepet personave të punësuar, është 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme neto, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive”, – thekson ISSH. Gjithashtu, ISSH bën me dije se shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi. Sipas ligjit “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, në rastet kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdes të vazhdueshme nga një person tjetër, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15% e bazës së vlerësueshme neto. Ndërsa, një person që merr pension invaliditeti të plotë dhe ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5% të pensionit bazë, por jo më shumë së 30% e tij.

Pensioni i reduktuar i invaliditetit
Individët, të cilët kanë humbur plotësisht aftësinë për të punuar dhe që nuk kanë plotësuar periudhën minimale të sigurimit mund të përfitojnë pension të reduktuar invaliditeti. E drejta për të përfituar pension të reduktuar invaliditeti fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe. ISSH thekson se masa mujore e pensionit të reduktuar të invaliditetit është e barabartë me masën e pensionit të reduktuar të invaliditetit të llogaritur sipas masës së pensionit të plotë të invaliditeti, shumëzuar me raportin e viteve të periudhave të sigurimit, që janë periudhat e sigurimit që i duhen për pension të reduktuar të invaliditetit. Gjithashtu, në rastet që ka nevojë për kujdestari si dhe në rastet kur ka fëmijë në ngarkim, pagesat llogariten po njësoj si në pensionin e plotë të invaliditetit, me kushtet specifike përkatëse.

Pensioni i pjesshëm i invaliditetit
Ashtu si në rastet e sipërpërmendura, personat që bëhen të paaftë për të punuar përfitojnë në bazë të ligjit pension të pjesshëm invaliditeti. Kushtet për ta përfituar këtë pension janë po njësoj me kriteret e renditura për 2 pensionet e tjera të invaliditetit. Ndërkohë, masa mujore e pensionit të pjesshëm të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Në manualin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore theksohet se pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit dhe llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit.

Dokumentacioni

a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
† Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi.
† Certifikatë e gjendjes familjare.
† Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra).
† Dy copë fotografi.
b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës:
† Libreza e punës.
† Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
† Vërtetim për periudhën e sigurimit, i lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM.
† Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse shikohet e arsyeshme).
† Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore para vitit 1992.
† Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj).
† Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.
† Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
† Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.
† Vërtetim nga punëdhënësi për profesionin dhe natyrën e punës.
† Këto dokumente për efekt përfitimi pensioni invaliditeti do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë.
c) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
† Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit-tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994). Vërtetim i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës.
† Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.
d) Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:
† Fletë drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër, (spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP.
† Fletë drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në rregullore.
† Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare.
† Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe.
† Fletë drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit.
† Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi).
† Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.
† Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.