BOTA

“Jo pjesë e komplotit me Rusinë”, Trump: Hetimi, gjëja më qesharake

10:33 - 25.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“As Presidenti Donald Trump, as fushata e tij nuk kanë komplotuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016”.




Në këtë përfundim ka arritur raporti i paraqitur të dielën nga kreu i Departamentit të Drejtësisë William Barr, përfundime të cilat Trump dhe aleatët e tij e shohin si një mundësi për rizgjedhjen e tij.

Por, raporti nuk cilëson detaje përsa i përket pyetjes nëse Presidenti Trump u përpoq të pengonte drejtësinë duke ndërhyrë ose duke u orvatur të prishë hetimin e prokurorit Mueller.

“Raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer ndonjë krim, por as nuk e përjashton këtë”, deklaroi Barr.

Barr publikoi një përmbledhje të raportit të shumëpritur për hetimin që zgjati 22 muaj rreth akuzave se fushata e zotit Trump kishte bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-s në favor të Trump.

Ai ia dërgoi përmbledhjen e tij Kongresit dhe e bëri atë publik të dielën, teksa Mueller e dorëzoi raportin e tij në Departamentin e Drejtësisë të premten.

Ndërkohë, pas publikimit të raportit, Trump shkroi në Twitter: “Asnjë bashkëpunim i fshehtë, asnjë pengim i drejtësisë, pafajësi e plotë. Le ta mbajmë Amerikën të Madhe”.

Më vonë, ai u tha gazetarëve se hetimi ishte “gjëja më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë … është turp që vendit tonë iu desh të kalojë nëpër këtë sprovë… është një turp që presidenti duhej të kalonte nëpër këtë sprovë, madje qysh përpara para se unë të zgjidhesha – ky ishte një akt i paligjshëm poshtërimi që dështoi dhe shpresojmë se dikush do të hetojë edhe palën tjetër.”

Deri tani ka patur vendime të shumta gjykatash që e mbështesin ligjshmërinë e hetimit të zotit Mueller.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.