SPORT

Josa: U nxituam me Panuçin, trajneri i ri të jetë i huaj

11:22 - 25.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Shkarkimi i Kristian Panuçit nga posti i trajnerit të Shqipërisë, padyshim që ka qenë ngjarja më e rëndësishme sportive në vend në ditët e fundit. Në lidhje me shkarkimin e tij, gjendjen aktuale të skuadrës dhe atë që Kombëtares i mungon, në një intervistë për “VipSport.al”, ka folur trajneri Mirel Josa, i cili aktualisht drejton Prishtinën në Kosovë. Josa shprehet se me Panuçin është gabuar në fillim, ndërkohë që ka edhe një këshillë për kërkesat që bëhen karshi ekipit apo individëve. Sakaq, Josa ka analizuar edhe ndeshjen e fundit ndaj Turqisë, duke nxjerrë në pah gabimet që Kombëtarja ka bërë.




Profesor, shkarkimi i Panuçit pas humbjes me Turqinë erdhi në kohën e duhur, apo jo?
Unë nuk kam kompetenca të them nëse ishte apo jo zgjedhje e duhur, pasi vendos tjetërkush për këtë. Unë mund të them se duhej treguar kujdes që në fillim kur është zgjedhur trajneri për herë të parë, direkt pasi iku De Biazi. Duhet të ishim të kujdesshëm edhe për të kuptuar nëse ka bërë mirë apo keq Panuçi që është larguar, pasi ne ende kemi frymën e “Euro 2016” dhe mendojmë se jemi në të njëjtën gjendje si atëherë. Ne kemi pasur ndryshime dhe oshilacione të ndryshme. Ishte vetëm ndeshja e parë dhe unë e dija, e isha i bindur se Turqia do të vinte me një fytyrë tjetër në këtë ndeshje. Skuadra kam probleme në mbrojtje dhe mjafton të shihet goli i parë, që është plotësisht amatoresk. Thonë se e ka fajin Xhaka, por ai është i fundit që ka faj në atë gol. Gabimi ishte që në momentin e kthimit të topit te Berisha dhe pasi e mori Gjimshiti, duhet t’i jepte zgjidhje situatës, por gaboi dhe pësuam. Pashë një çorganizim në mbrojtje. Edhe sulmi duhet të bënte zgjidhje ndryshe, por nuk i vë shumë faj, pasi kur pëson në fillim dhe për më tepër e fal golin si ne, bëhet gjithçka e vështirë dhe skuadra goditet psikologjikisht.

Cili mund të jetë trajneri i duhur për Shqipërinë?
Nuk e vendos unë trajnerin, pasi është një president dhe ndihmohet nga stafi i tij për të vendosur. Fillimisht duhet që trajneri të dijë se ka kohë të mjaftueshme në dispozicion dhe nuk duhet t’i vihen pretendime të mëdha. E dimë mirë se janë benefite për Federatën e Futbollit, por njëkohësisht e dimë mirë edhe nivelin se ku jemi. Zgjidhjet i bën presidenti.

A duhet hequr dorë nga trajnerët e huaj dhe t’u besohet shqiptarëve?
Ky mentalitet nuk ka hyrë tani te ne, por që nga koha kur iku Demollari. Lojtarët binden më shumë me një trajner të huaj se me një shqiptar, por duhet të dimë se edhe shqiptari mund ta bëjë mirë punën e tij. Edhe kur u zgjodh Panuçi, presidenti është interesuar, ka pyetur, por nuk jam i bindur nëse e zgjodhi Panuçin për kushte ekonomike, apo u besoi realisht cilësive dhe aftësive që kishte.

Sa shanse kemi për kualifikim?
Duhet patjetër një fitore ndaj Andorrës. Nuk do të jetë aspak e lehtë dhe këtu nuk flas për nivelin e skuadrave, pasi ne jemi shumë më mirë. Flas për gjendjen në të cilën të dyja skuadrat janë, pasi edhe morali ndikon shumë. Duhen parë gjërat një nga një të gjitha. Duhen stabilizuar si fillim kërkesat që kemi, e përsëris prapë. Ne kemi shumë kërkesa ndaj individëve, pa dashur të hyj këtu tek individë të veçantë. Duhet të dimë se çfarë lojtarësh kemi dhe sa duhet t’u kërkojmë, duhet të dimë sa kërkojmë nga kjo skuadër. Pastaj, ka probleme edhe me mënyrën si menaxhohen situatat dhe një ndër to ishte largimi i Agollit dhe mënyra si u largua ai. Mund të përmend edhe përjashtimin e Strakoshës, cilësitë e të cilit dihen. Nuk them se Berisha nuk bën, pasi edhe ndaj Turqisë ai nuk kishte asnjë faj. Janë dy portierë shumë të mirë, që i duhen patjetër Kombëtares.

A mund të ndikojë ky menaxhim në largimin e lojtarëve si rasti i Durmishajt?
Durmishaj nuk besoj se ka pasur problem me skuadrën apo drejtuesit. Thjesht është joshur për të luajtur me ekipin e Greqisë dhe mendoj se një ndikim të madh ka pasur edhe menaxheri i futbollistit. Unë e shoh më shumë si problem personal të futbollistit. Megjithatë, unë u uroj suksese futbollistëve, skuadrës, trajnerëve të përkohshëm apo edhe atij që do të vijë me një kontratë tjetër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.