Kryesore

Llogaritje me votat e 2015/ PS humb në 10 bashki, opozita fiton edhe në Tiranë

12:33 - 25.03.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëse ju në zgjedhjet e 30 qershorit fitoni një bashki të vetme më shumë se ne, ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që në vjeshtë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama dy ditë më parë, duke sfiduar hapur opozitën se për të shkuar te zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më parë duhet t’u vërtetonte shqiptarëve se ishte shumicë në vota. Natyrisht që një deklaratë e tillë duket se e ka bazën pikërisht te sondazhet e brendshme të Partisë Socialiste, por që bie ndesh me logjikën e numrave të votave që kanë prodhuar zgjedhjet pararendëse, qofshin ato lokale, ashtu edhe ato parlamentare.




Kështu, nëse do të bënim një analizë të votave që kanë marrë partitë në 2015-ën për anëtarë të këshillave bashkiakë dhe do t’i mblidhnim sipas konfigurimit të tanishëm të koalicioneve, atëherë Partia Socialiste dhe aleatët e saj të vegjël do të ishin në një dizavantazh të thellë votash kundrejt opozitës aktuale, ku koalicionit të PD-së i janë shtuar edhe një sërë forcash të tjera si LSI, PDIU apo PDK, të cilat më parë ishin në koalicion me socialistët. Me këtë rikonfigurim të ri të koalicioneve, opozita në bazë të votave të 2015-ës ka mundësinë e madhe që jo vetëm të rimarrë bashkitë që fitoi në zgjedhjet e shkuara, por edhe të rivalizojë mazhorancën e majtë edhe në shumicën e bashkive që ajo drejton aktualisht, përfshi këtu edhe në disa bastione të saj.

Në total nga 10 bashkitë e mëdha, PS në bazë të këtyre votave do të merrte vetëm 2, ndërsa do të humbiste në 8 të tjerat. Natyrisht që ky rezultat merr të mirëqenë faktin se LSI, PDIU dhe PDK do t’i tërheqin votat e tyre në bllok në koalicionin opozitar, ku tashmë janë pjesë. Në bashkinë më të madhe dhe të rëndësishme në vend, pra atë të Tiranës, nëse zgjedhjet vendore do të prodhonin të njëjtin rezultat për subjektet politike si në 2015-ën, atëherë koalicioni i djathtë do të arrite të shpallej fitues. Kjo, pasi Partia Socialiste së bashku me disa aleatë të saj të vegjël me të cilët ka krijuar koalicion së fundmi arrin të marrë 124000 vota kundrejt 155000 votave që kanë partitë e koalicionit të ri opozitar.

Socialistët do të humbnin edhe Bashkinë e Durrësit, nëse zgjedhjet e ardhshme lokale do të prodhonin të njëjtin rezultat në vota si në 2015-ën. Kjo, pasi në këtë bashki PS-ja së bashku me aleatët saj aktualë do të siguronte 38765 vota, ndërsa opozita e re 57907 vota. Opozita do të fitonte zgjedhjet edhe në Bashkinë e Elbasanit, Fierit dhe atë të Gjirokastrës. Kështu, nëse koalicioni i ri opozitar, pra PD, LSI, PDIU, PDK e ndonjë forcë tjetër më e vogël që i është bashkuar atij do të merrte njëjtin numër votash si në zgjedhjet e shkuara vendore edhe në Elbasan, atëherë edhe kjo bashki do të ndryshonte drejtim. Kjo, pasi PS-ja dhe koalicioni i saj do të kishte 29030 vota, kundrejt 41320 votave që do të siguronte opozita.

Ndërkohë që në Bashkinë e Fierit do të kishim një rezultat të ngushtë, por në favor sërish të opozitës. Koalicioni i PS-së do të merrte 31062 vota, ndërsa opozita 35141 vota. Një rezultat të ngushtë do të kishim edhe në Gjirokastër, ku koalicioni i socialistëve do të kishte afërsisht 9 mijë vota kundrejt 11559 votave që do të merrte opozita. Po ashtu, opozita do të rimerrte sërish edhe bashkitë që i ftoi edhe në zgjedhjet e shkuara të 2015. Bëhet fjalë për Shkodrën, Lezhën dhe Kukësin. Në Shkodër raporti i votave do të ishte 17393 PS dhe 46 mijë vota opozita. Ndërkohë në Kukës PS-ja do merrte vetëm 10442 vota kundrejt 12550 votave të opozitës. Ndërsa në Lezhë, PS-ja do të merrte 15259 vota kundrejt 21124 votave të opozitës së re.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.