AKTUALITET

PD, Gjata: Meta, balancues i pushtetit pa fre të Ramës

18:00 - 25.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Opozita e sheh Ilir Metën si të vetmen portë, që sipas saj mund të ndalë revanshin e kryeministrit Edi Rama. Çlirim Gjata, sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike thotë për “Gazeta Shqiptare” se në kushtet e krizës politike në vend, presidenti po mundohet të balancojë pushtetin pa fre të kryeministrit. Pavarësisht kësaj, juristi Çlirim Gjata shprehet se dorëheqja e z.Meta do të konfirmonte përfundimisht diktaturën në Shqipëri. Ndaj, ai flet për mundësitë e një zgjedhjes së një presidenti të ri, në rast të dorëzimit të mandatit nga z.Meta: “Mazhoranca aktuale nuk ka lënë gjë pa bërë deri tani e mund të zgjedhë jo president, por mund të shpallë edhe monarki, ose sulltanat, pasi duket që kjo i pëlqen më shumë kryeministrit tonë. Vetëm demokraci nuk mund të bëjë kjo mazhorancë. Nuk mundet hajdutët të bëhen zotërinj. Ata mund të vishen si të tillë, por nuk janë”. Përsa i përket “opozitës së re” në Kuvend, z.Gjata është i qartë kur shprehet: “Edhe me 139 deputetë, Kuvendi është antikushtetues. 140 mandateve u duhen vënë 140 emra deputetësh, dë të kundërt vjen në kundërshtim me Kushtetutën. Sado të mundohet Edi Rama t’i zëvendësojë, nuk i bën dot 140, pasi ka shumë kandidatë nga listat që nuk e pranojnë mandatin”.




Z.Gjata, pse kjo situatë kaq e tensionuar mes pozitës dhe opozitës, kur kjo e fundit ka dalë jashtë institucioneve dhe po proteston në sheshet e Shqipërisë?
Sepse ka rënë shteti, ka rënë Kushtetuta. Pushtetin në Shqipëri e ka marrë mafia e drogës me në krye kryeministrin. Ky i fundit ka kapur çdo lloj pushteti dhe po i kontrollon me autoritet të hekurt, madje më shumë ato kompetenca dhe pushtete që nuk i takojnë. Përpara shoqërisë shqiptare dhe opozitës si përgjegjësi politike ka dalë një mision i madh për të mos e lejuar këtë. Ndryshe, gjithçka merr fund dhe Shqipëria kthehet në një tokë të zbrazur.

Si mund të zgjidhet konfliktualiteti mes palëve dhe si e gjykoni qëndrimin kritik të ndërkombëtarëve lidhur me dorëzimin e mandateve të opozitës?
Nuk ka më palë që kur opozita dorëzoi mandatet. Kemi një qeveri të mafies dhe popullin përballë saj, pra një konflikt sa social, aq edhe politik. Për sa i takon qëndrimit kritik të ndërkombëtarëve lidhur me dorëzimin e mandateve, nuk e di se cili quhet qëndrim kritik: ai Departamentit Amerikan të Shtetit ku konstaton mafien në pushtet, deklaratat e ambasadorëve në Tiranë, apo median ndërkombëtare të panumërt në pasqyrimin e protestave tona dhe komentet mbi gjynahet e qeverisë. Ndërkohë, zgjidhja është e thjeshtë, largimi i kësaj qeverie dhe këtij regjimi dhe hapja e rrugës për zgjidhjen politike.

Çfarë ndodh nëse Edi Rama nuk do të dorëhiqet nga posti i kryeministrit?
Do të largohet nga qytetarët.
Sa të mundshme janë dy palë zgjedhje njëherësh, ato lokale dhe të parakohshme?
Nuk është problemi a janë të mundshme. Janë plotësisht të zgjidhshme politikisht. Këtu pastaj hyn teknika.

Nëse realisht Shqipëria do të bëjë zgjedhje të parakohshme, a besoni se opozita do t’i fitojë ato?
Kjo është një pyetje luksi. Çdo opozitë hyn në zgjedhje për t’i fituar dhe aktualisht është në nivel jashtëzakonisht të lartë në këtë situatë. Por, imediate tani për tani nuk është kush i fiton zgjedhjet, por kthimi i demokracisë, kthimi i Kushtetutës, duke larguar regjimin mafioz në pushtet dhe pas këtyre, shtrimi i rrugës për zgjedhje të lira e të ndershme me një sistem dhe ligj zgjedhor të duhur, pa kriminelë që t’i blejnë ato.
Paralajmërimi i presidentit se është gati të dorëzojë mandatin me qëllim zgjidhjen e krizës, e thellon apo e shtyn atë drejt zgjidhjes?
Presidenti po mundohet të balancojë, me aq sa mundet, pushtetin pa fre të kryeministrit dhe mendoj se po bën një punë të mirë. Një qeveri e lidhur me trafikun e drogës, që ka kapur të gjitha pushtetet, madje më shumë atë që nuk i takon. Jemi drejt një junte, pasi është prishur balanca e shtetit. Rama ka kapur prokurorinë, e cila nuk po heton vjedhjen e zgjedhjeve nga krimi. Meta është politikan me shumë përvojë dhe është bërë shkak për dy rrotacione të buta pushteti. Meta është e vetmja portë që mund të ndalim revanshin e kryeministrit. Një mafie droge po vendos një juntë.

Nëse z.Meta lë mandatin dhe vendi mbetet pa parlament edhe pa president, çfarë ndodh juridikisht?
Në këtë situatë nuk ka çështje juridike. Jua thashë, shteti ka rënë, Kushtetuta ka rënë. Prandaj ka vetëm zgjidhje politike, që çojnë në rregullime juridike. Dorëheqja e z.Meta do të konfirmonte përfundimisht diktaturën në Shqipëri.
A mund ta zgjedhë mazhoranca aktuale presidentin e ri?
Mazhoranca aktuale nuk ka lënë gjë pa bërë deri tani e mund të zgjedhë jo president, por mund të shpallë edhe monarki, ose sulltanat, pasi duket që kjo i pëlqen më shumë kryeministrit tonë. Vetëm demokraci nuk mund të bëjë kjo mazhorancë. Nuk mundet hajdutët të bëhen zotërinj. Ata mund të vishen si të tillë, por nuk janë.
Gjykoni se e është nevojshme që dorëheqja e presidentit, në këtë rast e z.Meta, të kalojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese?
Dorëheqja nuk kalon nga Gjykata Kushtetuese. Shkarkimi duhet të kalojë detyrimisht nga Gjykata Kushtetuese.
Kushtetuta e republikës përcakton që Kuvendi ka 140 deputetë, a mund të jetë legjitim një parlament me 99 deputetë?
Edhe me 139 deputetë Kuvendi është antikushtetues. 140 mandateve u duhen vënë 140 emra deputetësh. Në të kundërt vjen në kundërshtim me Kushtetutën. Sado të mundohet Edi Rama t’i zëvendësojë, nuk i bën dot 140 pasi ka shumë kandidatë nga listat që nuk e pranojnë mandatin. Gjithsesi, edhe kjo mënyrë zgjedhjeje, emërim i opozitës së re është antikushtetuese, pasi nuk mund të zëvendësohen ‘en-bloc’, sepse nuk janë të votuar.

Po përsa u përket komisionerëve të KZAZ-ve, çfarë ndodh tani që ka kaluar afati? Përmes këtij vendimi a po paralajmëron opozita bojkotin e zgjedhjeve lokale?
Është thjesht problem teknik. Gjithmonë është rregulluar, me vonesë, por është rregulluar. Tani për tani nuk ka komisionerë nga opozita, sepse nuk mund të ketë zgjedhje në këto kushte. Pa u plotësuar kushtet e vëna, nuk ka zgjedhje.

A mund të ketë zgjedhje pa opozitën, siç ka paralajmëruar PS-ja dhe OSBE-ja në rast bojkoti?
Përsa i takon Partisë Socialiste, çështja atje është shumë më e ndërlikuar se ç’duket. Nuk po merret vesh ku mbaron qeveria e ku fillon PS-ja. Ndërsa për OSBE-në, nuk besoj së është në misionin e saj ta kthejë Shqipërinë 30 vite pas, në sistemin monist.

Prej disa ditësh PD-ja ka publikuar përgjime zyrtare për çështjen “Babale”, përmes të cilave denonconi për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të PS-së. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Prokuroria në shkelje të ligjit nuk ka zbardhur disa përgjime, ku dëshmitari i sajuar flet për Taulant Ballën dhe për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pas publikimeve të përgjimeve zyrtare, prokuroria duhet të merrte të pandehur Taulant Ballën, Fatmir Xhafajn, Ard Veliun, Albert Nushin dhe një sërë strukturash policore, që kanë shërbyer për manipulimin e ngjarjes, me qëllim shpëtimin e pushtetit të Ramës dhe dënimin e opozitës që denoncoi aferën. Përgjimet zyrtare të prokurorisë faktojnë se pushteti kriminal i Edi Ramës e sajoi dëshmitarin e rremë dhe e pagoi atë për të shpëtuar veten dhe për ta përdorur kundër opozitës. Përgjimet faktojnë që prokuroria në shkelje të ligjit nuk ka zbardhur disa përgjime, ku dëshmitari i sajuar flet për Taulant Ballën dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.