AKTUALITET

Sfida e Ramës për zgjedhjet vendore, ja votat që kanë dy koalicionet

10:04 - 25.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëse ju në zgjedhjet e 30 qershorit fitoni një bashki të vetme më shumë se ne, ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që në vjeshtë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama dy ditë më parë, duke sfiduar hapur opozitën se për të shkuar te zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më parë duhet t’u vërtetonte shqiptarëve se ishte shumicë në vota. Natyrisht që ky është një bast i madh nga ana e Edi Ramës, kjo jo vetëm sepse tashmë ai është braktisur nga të gjithë aleatët e tij të dikurshëm me të cilët fitoi zgjedhjet e shkuara vendore, por edhe sepse gjendet në vitin 6 të qeverisjes. Natyrisht që një deklaratë e tillë duket se e ka bazën pikërisht te sondazhet e brendshme të Partisë Socialiste, por që bie ndesh me logjikën e numrave të votave që kanë prodhuar zgjedhjet pararendëse, qofshin ato lokale, ashtu edhe ato parlamentare. Kështu, nëse do të bënim një analizë të votave që kanë marrë partitë në 2015-ën për anëtarë të këshillave bashkiakë dhe do t’i mblidhnim sipas konfigurimit të tanishëm të koalicioneve, atëherë Partia Socialiste dhe aleatët e saj të vegjël do të ishin në një dizavantazh të thellë votash kundrejt opozitës aktuale, ku koalicionit të PD-së i janë shtuar edhe një sërë forcash të tjera si LSI, PDIU apo PDK, të cilat më parë ishin në koalicion me socialistët. Me këtë rikonfigurim të ri të koalicioneve, opozita në bazë të votave të 2015-ës ka mundësinë e madhe që jo vetëm të rimarrë bashkitë që fitoi në zgjedhjet e shkuara, por edhe të rivalizojë mazhorancën e majtë edhe në shumicën e bashkive që ajo drejton aktualisht, përfshi këtu edhe në disa bastione të saj. Në total nga 10 bashkitë e mëdha, PS në bazë të këtyre votave do të merrte vetëm 2, ndërsa do të humbiste në 8 të tjerat. Natyrisht që ky rezultat merr të mirëqenë faktin se LSI, PDIU dhe PDK do t’i tërheqin votat e tyre në bllok në koalicionin opozitar, ku tashmë janë pjesë.




Opozita
Në bashkinë më të madhe dhe të rëndësishme në vend, pra atë të Tiranës, nëse zgjedhjet vendore do të prodhonin të njëjtin rezultat për subjektet politike si në 2015-ën, atëherë koalicioni i djathtë do të arrite të shpallej fitues. Kjo, pasi Partia Socialiste së bashku me disa aleatë të saj të vegjël me të cilët ka krijuar koalicion së fundmi arrin të marrë 124000 vota kundrejt 155000 votave që kanë partitë e koalicionit të ri opozitar. Socialistët do të humbnin edhe Bashkinë e Durrësit, nëse zgjedhjet e ardhshme lokale do të prodhonin të njëjtin rezultat në vota si në 2015-ën. Kjo, pasi në këtë bashki PS-ja së bashku me aleatët saj aktualë do të siguronte 38765 vota, ndërsa opozita e re 57907 vota. Opozita do të fitonte zgjedhjet edhe në Bashkinë e Elbasanit, Fierit dhe atë të Gjirokastrës. Kështu, nëse koalicioni i ri opozitar, pra PD, LSI, PDIU, PDK e ndonjë forcë tjetër më e vogël që i është bashkuar atij do të merrte njëjtin numër votash si në zgjedhjet e shkuara vendore edhe në Elbasan, atëherë edhe kjo bashki do të ndryshonte drejtim. Kjo, pasi PS-ja dhe koalicioni i saj do të kishte 29030 vota, kundrejt 41320 votave që do të siguronte opozita. Ndërkohë që në Bashkinë e Fierit do të kishim një rezultat të ngushtë, por në favor sërish të opozitës. Koalicioni i PS-së do të merrte 31062 vota, ndërsa opozita 35141 vota. Një rezultat të ngushtë do të kishim edhe në Gjirokastër, ku koalicioni i socialistëve do të kishte afërsisht 9 mijë vota kundrejt 11559 votave që do të merrte opozita. Po ashtu, opozita do të rimerrte sërish edhe bashkitë që i ftoi edhe në zgjedhjet e shkuara të 2015. Bëhet fjalë për Shkodrën, Lezhën dhe Kukësin. Në Shkodër raporti i votave do të ishte 17393 PS dhe 46 mijë vota opozita. Ndërkohë në Kukës PS-ja do merrte vetëm 10442 vota kundrejt 12550 votave të opozitës. Ndërsa në Lezhë, PS-ja do të merrte 15259 vota kundrejt 21124 votave të opozitës së re.

Socialistët
Nga ana tjetër, socialistët nga 10 bashkitë e mëdha të marra në analizë do të siguronin sërish fitoren vetëm në dy prej tyre. Dhe më konkretisht bëhet fjalë për Vlorën dhe Korçën. Në Vlorë PS së bashku me aleatët e rinj do të merrte 27829 vota kundrejt 21936 votave që do të merrte opozita. Po ashtu, socialistët do të fitonin edhe Bashkinë e Korçës. Në këtë bashki gjithmonë sipas rezultateve të 2015-ës, PS-ja do të siguronte 21524 vota kundrejt 19401 votave që do të merrte opozita. Ndërkohë që rezultatet e këtyre 10 bashkive kryesore janë pasqyra edhe asaj që ndodh me votat e koalicioneve në rang kombëtar. Kështu, koalicioni i PS-së në rang vendi do të merrte vetëm 587038 vota dhe ai i opozitës 825 mijë vota. Ndaj në kushte të tilla duket se propozimi i Ramës i bërë gjatë mitingut të së shtunës i ngjan më shumë një blofi se sa një realiteti të mbështetjes që gëzojnë dy kampet politike në popull.

Votat për këshillin bashkiak

Bashkia Tiranë
PS – 124000 vota
Opozita – 155000 vota
Bashkia Vlorë
PS – 27829 vota
Opozita – 21936 vota
Bashkia Shkodër
PS – 17393 vota
Opozita – 46 mijë vota
Bashkia Durrës
PS – 38765 vota
Opozita – 57907
Bashkia Elbasan
PS – 29030 vota
Opozita – 41320 vota
Bashkia Fier
PS – 31062 vota
Opozita – 35141 vota
Bashkia Gjirokastër
PS – 8928 vota
Opozita – 11559 vota
Bashkia Korçë
PS – 21524 vota
Opozita – 19401 vota
Bashkia Kukës
PS – 10442 vota
Opozita – 12550 vota
Bashkia Lezhë
PS – 15259 vota
Opozita – 21124 vota
Votat e koalicioneve në 2015 në rang vendi
Koalicioni i PS – 587038 vota
Koalicioni i PD – 825 mijë vota

Zgjedhjet e 2017-ës, raporti i votave mes dy koalicioneve

Ndërsa vota e 2015-ës e nxjerr opozitën e re shumicë në popull, nuk ndodh e njëjta gjë nëse në analizë do merrnim votat për zgjedhjet e parlamentare të 2017-ës. Ndryshe nga zgjedhjet vendore të 2015-ës, rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës u jep mundësi socialistëve të jenë sërish shumicë në vota, pavarësisht largimit nga koalicioni i tyre i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet apo edhe PDK-së. Mbi bazën e shifrave zyrtare të KQZ-së rezulton se pavarësisht se PDIU-ja dhe LSI-ja kanë kaluar në kampin opozitar, PS-ja e vetme është para me vota. PS-ja ka marrë në zgjedhje 764.750 vota, ku nuk pati koalicione dhe ku të gjitha partitë politike garuan si subjekte më vete. PD-ja rezultoi me vetëm 456.413 vota, ndërsa dy partitë tashmë në koalicionin e djathtë rezultuan, LSI-ja me 225.901 vota dhe PDIU-ja me 76.069 vota. Ndaj, nëse mbledhim votat e PD-së, LSI-së dhe PDIU-së tashmë në një koalicion, në total ato kanë 758.383 vota. Pra, rreth 6 mijë vota më pak se Partia Socialiste e vetme. Pra, nëse këto rezultate do të kishin vlerë për të llogaritur fituesin e zgjedhjeve lokale të ardhshme, atëherë në bazë të zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, PS-ja do të arrinte të fitonte e vetme përballë gjithë koalicionit opozitar. Gjithsesi, bëhet fjalë për një rezultat shumë të ngushtë dhe në raste të tilla, fituesi është thuajse e pamundur të llogaritet.

Votat e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës në rang vendi

PD – 456.413 vota
LSI – 225.901 vota
PDIU – 76.069 vota
Koalicioni opozitar, në total 758.383 vota
Partia Socialiste –
764.750 vota


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.