SHËNDET

Ylli Merja: Si të trajtoni osteoporozën me bimë mjekësore

14:15 - 25.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Zona e kockës ku sasia e mineraleve pakësohet shumë dhe densiteti ulet shkakton sëmundjen e osteoporozës. Kjo është sëmundja më e shpeshtë e kockave, që dallohet në moshat mbi 40 vjeç, sidomos te femrat që kalojnë menopauzën. Emri i saj vjen nga latinishtja dhe përshtatet me termin “kockat poroze”. Brenda një kocke të shëndetshme ka hapësira të vogla, si një hoje mjalti dhe kjo është mëse normale. Njeriu ka kocka shumë të dendura që nuk kanë hapësira, por ka edhe kocka ku këto hapësira poroze janë të pranishme. Osteoporoza rrit madhësinë e këtyre hapësirave, duke bërë që kocka të humbasë forcën dhe densitetin e saj.




Simptomat e osteoporozës
Në shumicën e rasteve, njerëzit me osteoporozë nuk e dinë se e kanë këtë sëmundje derisa të kenë një thyerje. Pa trajtim të përshtatshëm, osteoporoza mund të përkeqësohet. Ndërsa kockat bëhen më të holla dhe më të dobëta, rreziku i thyerjes rritet. Simptomat e osteoporozës së rëndë mund të përfshijnë një thyerje nga një rënie apo edhe nga një teshtimë e fortë ose kollë. Ato gjithashtu mund të përfshijnë dhimbjen e shpinës ose të qafës, ose humbjen e gjatësisë. Këto dy simptoma të fundit mund të shkaktohen nga një frakturë kompresioni (shtypje). Kjo është një thyerje në një nga rruazat në qafë ose shpinë, e cila dobëson strukturat anatomike saqë prishet presioni normal në shpinë.

Shkaqet
Shkaku kryesor i osteoporozës është mosha. Pas moshës 35 vjeç fillon të dobësohet puna në drejtim të prodhimit të qelizave të kockës për nga fortësia si më parë. Një tjetër shkak kryesor i osteoporozës është menopauza, e cila ndodh te gratë rreth moshës 45-55 vjeçe. Për shkak të ndryshimit në nivelet e hormoneve që lidhen me të, menopauza mund të ndikojë që trupi i një gruaje të humbasë densitetin kockor edhe më shpejt. Burrat vazhdojnë të humbasin densitetin kockor në këtë moshë, por me një ritëm më të ngadaltë se gratë. Sidoqoftë, në kohën kur arrijnë moshën 65-70 vjeç, gratë dhe burrat zakonisht humbin densitetin kockor në të njëjtën shkallë. Shkaqe të tjera të osteoporozës përfshijnë disa kushte mjekësore të tilla si hipertiroidizmi. Ato gjithashtu përfshijnë përdorimin e barnave të caktuara farmaceutike.

Parandalimi
Nuk ka shërim për osteoporozën, por trajtimi i duhur mund të ndihmojë në mbrojtjen dhe forcimin e kockave. Ka shumë faktorë të rrezikut për osteoporozën që nuk mund t’i kontrolloni. Këto përfshijnë të qenit femra, mosha dhe një histori familjare me osteoporozë. Megjithatë, ka disa faktorë që bien brenda kontrollit tuaj. Disa nga mënyrat më të mira për të parandaluar osteoporozën përfshijnë: marrjen e kalciumit dhe vitaminës D, një dietë e ekuilibruar me vitamina, minerale, fibra të shëndetshme. Rekomandohet të mos mbani dieta për ulje në peshë për një kohë të gjatë, pasi ato çojnë në hollimin e kockës, të mos konsumoni shumë kripë, të kufizoni përdorimin e kafes në 1 herë në ditë.

Kurimi me bimë mjekësore
Fillimisht duhet të bëni lyerje nga gishtat e këmbës drejt legenit, nga legeni drejt shpinës dhe nga gishtat e dorës drejt supit 2 herë në ditë me ekstraktin e variceve, që nxit qarkullimin e gjakut. Pasi thahet, vendoset vaji i sinapit që është një qetësues, zbutës dhe rigjenerues dhe forcues i strukturave të dëmtuara. Në rastet kur ka dobësim të tendinave, duhet të bëjmë masazh të lehtë me ujë të ngrohtë e sapun. I mrekullueshëm është vaji i sinapit. Kur qarkullimi i gjakut vështirësohet, menisqet mund të spostohen e të shkaktojnë dhimbje, por ne me ekstraktin e variçeve dhe vajin e sinapit mund ta masazhojmë zonën e kështu dhimbja do të përmirësohet. Në 3 litra ujë të valuar shtojmë një pako çaj reumatizme, 1 dorë këputje, 1 dorë hithra, një dorë tërfili, një dorë lule murrizi. Ziejnë bashkë për 3 minuta dhe i lini në qetësi 15 minuta dhe i kulloni. Pini 3 gota në ditë para ushqimit. Bimët që ndodhen në këtë çaj përmbajnë shumë minerale, që ndihmojnë në shëndoshjen e kockës.

Metoda e guaskës së vezës:
Marrim 3-4 guaska vezësh, i thërrmojmë, i hedhim në një kavanoz të mbushur me 300 ml lëng limoni. Kjo përzierje lihet në errësirë dhe tundet çdo ditë derisa guaskat të treten. Më pas marrim dhe pimë 1 lugë gjelle në mëngjes e një në darkë, e do të vërejmë se së shpejti kocka do të fillojë të rikuperojë vetveten, ju do të ndjeheni më të fuqishëm dhe energjikë. Mëngjesi me tërshërë ndihmon që stomaku të fillojë punën menjëherë, organet e tjera rigjallërohen, pasi marrin vitaminat e mineralet e duhura. Hidhet një gotë kos në një pjatë. Në të shtohet: 3-4 lugë tërshërë, 1 lugë gjelle fara liri, 1 lugë kafe shafran, 1 lugë kafe xhenxhefil dhe 1 lugë gjelle përzierje për osteoporozën. Shtoni në të 1 lugë mjaltë. Lihet përzierja 5 minuta të zbutet dhe konsumohet si mëngjes. Nëse tërshëra ju pëlqen më e zbutur, mund ta hidhni tërshërën në një kullese çaji, shpëlajeni për rreth 1 minutë me ujë të nxehtë dhe pastaj shtojeni në kos.

Çaji i reumatizmit
Ka aftësinë të ushqejë kockën, përmban shumë minerale dhe vitamina e mund të largojë acidin urik, që grumbullohet nëpër inde, muskuj dhe kyçe me kalimin e moshës. Nxit epitelin renal të veshkës që të largojë këtë acid urik dhe ta çojë atë brenda normës. Ndihmon në uljen e edemave nëpër kyçe dhe ul shkallën e dhimbjes në to. Përdorimi i çajit të reumatizmës, lule murrizit, këputjes, tërfilit dhe hithrës ndihmojnë në absorbimin e kalciumit në kockë. Çaji përdoret tri gota në ditë para ushqimit. Shoqërohet gjithashtu me ekstraktin e variceve dhe me vajin e sinapit. Në mëngjes bëhet një lyerje me ekstraktin e variçeve për 2-3 minuta dhe pastaj bëhet masazh me vajin e sinapit për 5 minuta. Është mirë që ta lini trupin të lyer me vajin përgjatë ditës, kështu ekstrakti dhe vaji do të veprojnë për 24 orë. Kjo bëhet vetëm për 4 ditët e para. Pas 4 ditësh do të lyheni me vajin vetëm në darkë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.