Homo Albanicus

Si po e rrisin distancën në pushtet, Rama dhe Basha?!

18:51 - 29.03.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Mund të këqyret një fakt interesant në pushtetin e kryeministrit Edi Rama dhe mëtuesit për pushtet Lulzim Basha. Të dy mundohem të përfitojnë por edhe të kopjojnë nga njëri-tjetri. Koreografitë e zhurmshme të kryeministrit me të cilën drejtoi propagandën e tij për të ardhur në pushtet, pothuaj janë bërë të tijat nga mëtuesi për pushtet, Lulzim Basha. Ke dukuri në gjuhën e trupit, në artikulime por edhe në taktika, ku një njeri i zakonshëm shikon me kujdes sesi këta dy liderë që i takojnë pothuaj një areali kohor bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin. Taktika e befasisë që bën Basha me mitingjet e tij të fundit ka përgjigjet e befasisë të kryeministrit, që i ka shtuar dhe përzgjedhjet e befta. Një vëzhgues politik mund të bëjë vërejtje shumë më të sakta, por një gjë është e saktë: Liderët shqiptarë për shkak të politikave të komunikimit, paçka prapambetjes ideologjike respektive dhe varfërisë leksikore e konceptive, po modernizohen. Dhe, këtë po e bëjnë duke rritur kultin e vetes përmes njerëzve që i zgjedhin dhe që kanë bajagi distancë shumë të madhe me ta.




Le të bëhemi më të qartë: Në “Sjelljen Organizative”, një nga lëndët më interesante të menaxhimit, kjo dukuri njihet si “Distanca në pushtet”.  Ky koncept ka të bëjë me shkallën e pabarazisë në një marrëdhënie pushteti. “Teoria e Distancës në pushtet” merret jo thjesht me filozofinë, por edhe mënyrën sesi ruhet apo ngushtohet kjo distancë lidërshipi. Ideja është se liderët e sotëm përpiqen vazhdimisht ta zhvillojnë dhe të thellojnë diferencën me vartësit. Kjo distancë që mendohet si negative, në fakt ka pozitivitet sepse sjell ndjesi kënaqësie në përpjekje për ta zvogëluar. Nga ana tjetër, liderët, këtë e bëjnë duke qëndruar me njerëz të takëmit të tyre dhe duke mos u shoqëruar me njerëz që ata i konsiderojnë si nivele më të ulëta, duke i bërë këta më të varur, qoftë dhe bashkë-partiakët. Por duke qëndruar me persona të fuqishëm në ekonomi, kulturë, ata kanë mundësi të menaxhojnë informacionin dhe gjithçka që synon pushtetin dhe distancën me të. Në thelb të kësaj teorie është fakti se njerëzit me statuse më të ulëta luftojnë që ta zvogëlojnë distancën. Kurse solidaritetet njerëzore mbesin të bëhen në grupime të të njëjtit lloj, pra të këtyre distancave, i referohemi studiueses Mimoza Kasimati.

A e keni parë mënyrën sesi ecën Rama dhe Basha dhe njerëzit që i ndjekin gati me vrap? A i keni parë sesa mospërfillës janë ndaj njerëzve përreth që mundohen t’u thonë gjëra? A i keni parë sa fallco janë kur u afrohen njerëzve që janë shumë më poshtë se ta në rangje sociale?

Dhe, çfarë bën kjo gjendje? Kur distanca është e vogël, qëllimi që njerëzit e thjeshtë të marrin pushtet është më e afërt dhe sa më afër të jetë aq më i afërt është ndjella për pushtetin, fakt që nuk ndodh në Shqipëri.

Nano, Berisha, Rama nuk lejuan dhe lejojnë që kjo diferencë të ndryshojë sepse në deje kanë rrjedhën e mësimeve të autoritarizmit komunist dhe drejtimit të liderit, ku diferenca e figurës së Enver Hoxhës ishte gati absolute. Ndaj në parti nuk ka zgjedhje dhe kandidatura reale alternative, sepse nga kjo teori kemi argumentimin interesante:  Lufta për pushtet bëhet realisht më e ashpër kur distanca në pushtet bëhet më e vogël, fakt që nuk ndodh me zgjedhjet e brendshme. Ndaj Rama dhe Basha ecin përpara, indiferentë dhe cinikë, kurse vartësit i ndjekin të pagojë në një distancë që nuk njeh kurrë zbritje. (Homo albanicus)

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.