Kulturë

Borshi mirëpret festivalin “Southoutdoor”, pashkët festohen në një atmosferë ndryshe

18:30 - 05.04.19 Gazeta Shqiptare

 



A keni provuar t’i festoni Pashkët me qindra të rinj, në një fshat mes detit dhe malit? A keni provuar t’i kaloni mbrëmjet rreth një zjarri të madh, me të rinj, mes muzikës, kinemasë së hapur dhe këngëtarëve si Elita 5? A keni provuar të mblidheni një grup i madh për të pjekur mish në hell, më pas të ngjisni malin, për të shkuar në Nivicë a Kuç, për të prekur historinë, me xhamitë mesjetare, kishat dhe kalatë ku kaltërsia takohet me gjelbërimin e paskaj?

Borshi, një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë së Jugut, i njohur për ujin e kristaltë, plazhin e mrekullueshëm dhe natyrën mbresëlënëse do të mirëpresë nga 26-29 prill South Outdoor Festival.

Ky festival është festa e gjithçkaje që mund të shijoni në natyrë, sportin, kulturën, traditën, muzikën, natyrën dhe kulinarinë. “South Outdoor” është një nismë e GIZ, përmes programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale”, financuar nga qeveria gjermane. Tashmë në të tretin edicion, ai zhvendoset në Borsh për 4 ditë të mbushura me aktivitete sportive e kulturore, muzikë, traditë, natyrë dhe kuzhinë tipike shqiptare. I njohur për potencialet agro-turistike, historinë, kalanë mbi kodër dhe ullishtet, sivjet aktivitetet kryesore mbahen mes malit dhe detit, duke lënë shumë ngjarje edhe për Jalën e Porto-Palermon. Organizatorët kanë rezervuar shumë adrenalinë për pjesëmarrësit me disa aktivitete: Trekking, hiking, mountain bike, scuba diving, jeep safari, kayak, stand up paddle, paragliding, ‘Hot Air Ballon’, ‘Trike Flying’, ‘Gara Stand Up Paddling’, ‘Sailing’, ‘Paddleboard Yoga’ si dhe ‘Individual Stand Up Paddling’. Kordinatorja e projektit të jugut në GIZ që organizon festivalin, Dhurata Gazulli tha se festivali zgjat 4 ditë, sepse datat përkojnë me festën e Pashkëve dhe shefi Sokol Prenga ka menduar që të gjithë pjesëmarrësit të përfshihen në festë duke ngjyrosur vezët e kuqe, ndërsa nuk do të mungojë as buka e pashkëve e lyer me vezë. Si çdo vit do jetë panairi i produkteve lokale dhe artizanatit, ndërsa banorët e zonës do të ofrojnë një “minitreg” me ushqime të zonës do të zhvillohet ditën e diel, me rastin e festimeve të Pashkës. Ndërsa Eraldo Rexho foli për mbrëmjet muzikore. “Nën tingujt e muzikës latine dhe performimit të dyshes me të famshme në Shqipëri, nata e tretë e ‘South Outdoor Festival’ do të jetë magjike. Venera & Lindi do t’ju dhurojnë një mbrëmje për t’u mbajtur mend”, tha ai duke kujtuar se do të ketë edhe balerinë që u mësojnë të pranishmëve të kërcejnë. Ai shtoi se netët janë një maratonë më vete me performanca muzikore ‘live’, ku artistët pjesëmarrës do të jenë, Alban Nimani, Urban Band, All in Band dhe grupi legjendar ‘Elita 5’. Drejtuesja e programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale”, financuar nga qeveria gjermane dhe implementuar nga GIZ, Anke Petersen tha se: “Qëllimi i këtij festivali është krijimi i një modeli të qëndrueshëm, i cili do të bëjë të mundur zgjatjen e sezonit turistik, duke nxjerrë në pah atraksionet e shumta të zonës, të cilat mund të shijohen më së miri edhe përtej sezonit veror”. Ajo tha se ky qëllim do të përmbushet duke sjellë bashkë aktorë të niveleve të ndryshme, që nga bizneset private e deri tek institucionet qeveritare. “Festivali është një produkt i integruar, ku të gjithë punojnë për të ndërthurur dhe nxjerrë në pah vlerat kulturore, historike e natyrore që ofron kjo zonë, duke lidhur detin me malin dhe duke promovuar asetet e fshatrave të ndodhura në brendësi të territorit. Synimi kryesor nuk është vetëm promovimi i një fshati të vetëm, siç në këtë rast është Borshi, por edhe i fshatrave të tjerë, ku gjithashtu do të zhvillohen aktivitete të lidhura me festivalin”, shtoi ajo. Kujtojmë se edicioni i parë i “South Outdoor” u zhvillua në Pilur, ku ishin të pranishëm rreth 3000 pjesëmarrës, 600 prej të cilëve ishin vetëm për aktivitete sportive. Në edicionin e dytë, të organizuar në fshatin bregdetar të Vunoit, numri i vizitorëve u dyfishua në 6000 veta. Aktiviteti mbështetet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Bashkia Himarë. Edhe këtë vit si çdo edicion i kaluar i festivalit, pritet të ketë një numër të madh pjesëmarrësish dhe shumë surpriza të organizuara posaçërisht për ta.                   fa.ni.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.