DOSSIER

Nga monedhat e arit te diamantet, zbulohet pas 80 vitesh thesari që mori Mbreti Zog para largimit

16:47 - 08.04.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pasuria e Mbretit Zog, pas largimit nga Shqipëria, u kthye në një objekt të shumtë thashethemesh, kuriozitetesh e spekulimesh që nuk shpëtuan as mediat serioze perëndimore. Kureshtja për këtë monark nga vendi më romantik i Europës ishte e madhe, sidomos kur u mësua se ai udhëtonte bashkë me thesarin e tij. Kjo kureshtje ishte aq e madhe sa pothuaj në çdo intervistë me gazetarët perëndimorë, Zogut i kërkohej të fliste diçka më tepër për pasurinë e tij. Autorë të shumtë kanë spekuluar gjithashtu, dhe 80 vjet pasi Mbreti Zog la vendin, është sërish e vështirë për të llogaritur pasurinë e tij të plotë, kjo për shkak se i vetmi që dinte vlerën ishte vetëm ai. Por falë dokumentacionit dhe kërkimeve, sot mund të thuhet se cila ka qenë kjo shumë me përafërsi.




Pasuria e Mbretit Zog përbëhej nga ajo familjare, e trashëguar nga kursimet e tij të përfituara gjatë qeverisjes, thesari i shtetit të marrë me vete pas pushtimit të Shqipërisë, objektet e çmuara në bizhuteri të familjes, disa dhurata të çmuara nga dasma, një llogari e fshehtë bankare në Britani dhe një përfitim të konsiderueshëm financiar që u fitua pas shkatërrimit të valixheve, gjatë rrugës për të shkuar në Angli.

Po sa ishte kjo pasuri dhe si u përdor gjatë luftës? Më poshtë është i plotë hulumtimi mbi pasurinë e monarkut shqiptar në mërgim. Enigma më e madhe e pasurisë së tij që nuk ka gjurmë janë kursimet e tij të siguruara nga pronat e familjes dhe pushteti. Askush nuk mund të japë një përgjigje se cila ishte pasuria personale monetare e Mbretit Zog kur ai la vendin. Paga e tij si kreu i shtetit ishte e konsiderueshme, 500 mijë franga ari në vit ose 25 mijë monedha ari.

Gjenco Naçi, diplomati dhe sekretari që qëndroi pranë Zogut gjatë gjithë viteve të luftës, flet se gjatë bisedave me të, Zogu pretendonte se kishte një pasuri tokësore të madhe, por që pohonte se nuk i solli kurrë gjëra të mëdha. “Një përjashtim ishte pylli, i cili u shit tri a katër herë, duke sjellë gjithsej 100.000 napolona. Vetë Mbreti Zog, duke me treguar shumë herë këtë histori, pranonte parregullimin e shitjeve të ndryshme dhe batakçillëkun”, kujton Naçi.

Sekretari besnik i Zogut besonte se pasuria e Mbretit të ketë ardhur nga ndonjë burim tjetër, por kjo zor të provohet. “Por edhe sikur të provohet s’mund të quhet as vjedhje, as prevetim, përveç prej demagogëve. Dhe s’ka mënyrë ligjore që kopjuesi të quhet si pasuni e shtetit. Mbetet, pra, një pasuri private pavarësisht nga gjykimi moral mbi mënyrën e krijimit të saj. Përsëri nnë pasuri e tillë s’mund të jetë e madhe, sepse Shqipëria s’ka pasur alesverish të madh. Natyrisht, të vobektit, një pasuri prej 1.000.000 lira sterlina i duket kolosale, por nuk është gjë në barazim me nevojat e një shteti, qoftë edhe të vogël si Shqipëria”, nënvizonte Naçi.

KOLEKSIONI I HUMBUR

Ajo që dihet është çfarë Zogu la pas. Krahas pronave të shumta të patundshme, Mbreti Zog la në Shqipëri një pasuri të madhe të objekteve personale duke nisur nga veshjet e tij apo të familjes, mobilie të vyera, por mbi të gjitha shumë prej dhuratave të përfituara nga dasma mbretërore. Në vitet ’30, gazeta rozë britanike “Sphere” e konsideronte Zogun monarkun me më shumë kostume dhe uniforma, plot 2 mijë të tilla, duke thyer edhe rekordin e Mbretëreshës Britanike, e cila besohej se kishte një fustan për çdo ditë të vitit. Mbreti Zog kishte një koleksion të rrallë veshjesh mode, të cilat gjithnjë janë shoqëruar me shumë aksesore të ndryshëm, që nga modelet e këmishave, kravatave, këpucëve, etj. Mërgimi i gjatë dhe mundësitë më të pakta i hoqën atij mundësinë për t’u veshur si më parë.

Gjashtë vite më vonë, në përfundim të luftës kur Familja Mbretërore la Londrën për t’u vendosur në Egjipt, Zogu kishte gjithsej vetëm 5 kostume, të qepura në një rrobaqepës me jo shumë emër. Koleksioni i çmuar humbi i gjithi, në Shqipëri nga italianët dhe në Britani kur anija që transportonte 139 valixhet e familjes Mbretërore nga Portugalia, e cila u shkatërrua në Portin e Liverpulit, bashkë me të gjitha sendet personale familjes. Një tjetër pasuri e humbur ishin dhuratat e dasmës.

Britanikët mbajtën shënim dhuratat e çmuara që Mbreti Zog mori për martesën me Geraldinën në vitin 1938. Kreu i legatës, Andrew Ryan, ishte i ftuar në dasmën mbretërore dhe regjistroi dhuratat e çmuara që erdhën në adresë të çiftit mbretëror. Dhurata më e përfolur ishte “Mercedez”-i i Hitlerit dhe ndonëse arriti ta merrte me vete, Zogu nuk e gëzoi gjatë. Disa nga sendet e rralla që u lanë pas ishin 4 vazot e bronzit të dhuruara nga Musolini që dikur i përkisnin Napoleonit, një statujë dragoi e dhuruar nga Mbreti i Italisë, një tavolinë shkrimi e shekullit 17, të dhuruar nga Gjenerali Franko i Spanjës, etj.

Pallati Mbretëror u plaçkit pasi Zogu u largua nga vendi, por në fakt dëmi nuk ishte i konsiderueshëm, pasi objektet me vlerë, përfshirë edhe dhuratat e dasmës, ruheshin diku tjetër. Të gjitha u sekuestruan nga italianët. Këto sende nuk u morën dot kurrë nga Familja Mbretërore, ndonëse në një moment gjatë luftës, italianët shprehën dëshirën për t’ua kthyer, por u refuzuan nga Mbreti Zog si një mundësi për të mos u dhënë asnjë shkas italianëve për ndonjë keqpërdorim të figurës së tij me pushtuesit.

Në vitet 50, Geraldina tentoi të hapë një çështje gjyqësore për të rimarrë mbrapsht objektet personale me vlerë, përfshirë edhe dhuratat e dasmës të konfiskuara nga italianët, por pa sukses. Rrëmuja e luftës zhduku koleksionin e objekteve me vlerë që familja mbretërore la rrëmujshëm pas largimit nga Shqipëria, vlera e të cilit ishte e konsiderueshme.

Në verën e 1939 italianët nxorën një urdhër për konfiskimin e pasurisë së Zogut, duke përfshirë edhe një llogari kursimi në Bankën e Shqipërisë të Mbretëreshës Geraldinë prej 20 mijë frangash ose 1 mijë monedha ari. Edhe këto para nuk u morën dot kurrë nga Familja Mbretërore.  Më herët gjatë atij viti, Agjencia Reuters raportoi se në datën 26 maj, autoritetet italiane kishin konfiskuar lingota ari të shënjuar me stemën e Mbretit Zog. Lingotat kishin një peshë prej 19 kilogramësh dhe u kapën të fshehura në një autobus pasagjerësh që po kalonte Shqipërinë për në Greqi.

Reuters bënte me dije se sipas autoriteteve italiane, ato ishin fshehur në disa kade djathi dhe dyshohej se ishin pjesë e pasurisë së Mbretit Zog që s’mundi ta merrte me vete. Besnikët e tij kishin përgatitur dërgimin e lingotave për në Stamboll, atje ku ndodhet Mbreti Zog, përmes së vetmes rrugë të mundshme, nga territori grek. Ky thesar lingotash ari nuk u përmend asnjëherë nga Mbreti Zog ndonëse italianët njoftuan se i përkiste ish-monarkut shqiptar.

THESARI I SHTETIT, I MARRË ME 7 PRILL

Me marrjen e sinjaleve se Italia do ndërhynte ushtarakisht, ndërkohë që avionët ushtarakë po fluturonin në qiellin e Tiranës, Mbreti Zog mori vendimin që të tërheqë nga llogaria mbretërore në Thesarin e Shtetit çdo flori apo kartëmonedhë që ndodhej në të. Qeveria dhe ai vetë u zhvendosën te shtëpia e vëllait të tij, Xhelalit, nga frika e ndonjë bombardimi të pallatit apo selisë së qeverisë. Drejtori i Thesarit, Kel Naraçi, priste natën vonë në zyrë sipas porosisë së Kryeministrit Koço Kota dhe tre ushtarë të Gardës së Mbretit. të drejtuar nga një toger i besuar, Selim Gjoci, kërkuan që drejtori i Thesarit të shkonte me ta te Mbreti, bashkë me gjithë arin që gjendej në arkë.

Kel Naraçi hapi kasafortën dhe zbrazi arkën nga floriri duke e ngarkuar në 13 trasta, të cilat u vendosën në automobilin që prisje jashtë zyre. Llogaria e Oborrit Mbretëror Shqiptar kishte 448.535 franga ari. Naraçi mbajti një procesverbal të zgjeruar, duke përshkruar të gjithë ngjarjen. Ashtu rrëmujshëm, trastat e arit u sollën në sallonin ku qëndronin dhjetëra zyrtarë të lartë shqiptarë. “Në prani të tyne i lëshuem për anë ku kishte ndenjë Mbreti Zog të 13 strajcat që mbajshin monedhat e arit në llojet e sasitë e tregueme në konfirmacionet bashkangjintur.

Në shtëpi ndëgjoheshin telefonime, urdhna, nervozitet e qëndrime luftarake në një rrëmujë e tension të papërshkuem”, thuhet në relacionin të nënshkruar nga Naraçit. Dikush u kujtua se arka e shtetit ka sërish disa para në llogari dhe u ngarkua arkëtari Ramadan Berberolli t’i merrte, i cili dorëzoi në shtëpinë e Xhelal Zogu edhe 118.195 franga ari. Në total, arka e shtetit kishte 566.975 franga ari, sipas edhe dëftesës së nënshtruar dhe procesverbalit të drejtorit Naraçi, të cilat iu dorëzuan Zogut dhe qeverisë së tij . Kjo shumë shkonte rreth 183 kilogramë ar.  Në shënimet e Mbretit Zog të ardhura përmes notimeve të kolonel Hysen Selmanit, jo e gjithë kjo shumë ishte ar, por një pjesë e madhe ishte kartëmonedha shqiptare.

“Në mbledhjen e parë të qeverisë shqiptare jashtë kufirit, në Larisa të Greqisë, ministri i Financave, Kolë Thaçi, raportoi se në total ishin 23 mijë napolona ari dhe 40 mijë napolon letër apo kartmonedha.

 

Shuma e parave në arkën e Shqipërisë ishte fare minimale, pothuaj sa paga vjetore e Mbretit Zog. Standardi i arit i aplikuar në ekonominë shqiptare të paraluftës, kërkonte që çdo kartëmonedhë të mbrohej në ar, ligji i buxhetit dhe i Bankës së Shqipërisë nuk lejonte që arka e shtetit të kishte para më shumë seç mund të prodhonte ekonomia shqiptare. Kështu që në prag lufte, Shqipëria kishte vetëm 183 kg ar në arkën e saj dhe një rezervë valutore prej rreth 2.4 tonë ar në Bankën e Shqipërisë që ruhej në Romë.

Buxheti i pamjaftueshëm u pa që në ditët e para të qeverisë në ekzil në Larisa të Greqisë. Një pjesë e madhe e napolonave letër ishin shpenzuar gjatë tërheqjes. Mbreti Zog dhe qeveria vendosi të organizohet dhe të përdorë buxhetin për të paguar njerëzit me të nevojshëm. Sipas vendimit të qeverisë, më 13 prill, në Larisa, u vendosën të shpërndahen në total 14 mijë napolona ari për mbështetësit që morën detyra, midis të shumtëve atyre që do niseshin për në Jugosllavi.

Shënimi i fundit i mbledhjes së qeverisë në mërgim është ai i datës 17 maj në Stamboll ku u vendos që të paguhen edhe 4 mijë napolona ari për mbajtjen hapur me të paktën 6 muaj legatat shqiptare që nuk ishin mbyllur ende, në Turqi, Francë dhe Egjipt. Para se Zogu të linte Stambollin për të nisur udhëtimin e gjatë në Britani, në shënimet e tij kujton se në fund kishin mbetur vetëm 4 mijë napolona të arta dhe 25 mijë në kartëmonedha, që këto të fundit nuk hynin fare në punë. Thesari mbaroi në më pak se dy muaj.

THESARI I BIZHUTERIVE MBRETËRORE SHQIPTARE

Pjesë e pasurisë së Mbretit Zog ishin edhe bizhuteritë e familjes, të mbretëreshës Geraldinë dhe të motrave të tij, të cilat u morën pas largimit nga Shqipëria, më 7 prill 1939. Ky thesar bizhush ishte një mister dhe pjesë e spekulimeve të shumta. Por, në vitin 1959, kur Familja Mbretërore Shqiptare ndodhej në Francë dhe në vështirësi financiare, pjesa më e madhe e tyre u ekspozuan për publikun në New

York, duke fituar vëmendjen e shtypit botëror. Familja Mbretërore në ekzil kishte kontaktuar Marianne Ostier, krijuesen e disa prej tyre. Ostier, një familje e njohur hebreo-austriake në prodhimin e bizhuterive, kishte lënë Vjenën në vitin 1939 nga frika e përndjekjes së nazistëve dhe ishte kthyer në një nga markat më të njohura në SHBA.

Marianne kishte dizenjuar kurorën mbretërore të Mbretëreshës Geraldinë, e cila e pati vendosur dy herë, gjatë martesës dhe përvjetorit të 10-të të Mbretërisë Shqiptare, si dhe disa kurora të tjera për princeshat shqiptare. të ngjashme në formë  . Shtypi amerikan shkruante “koleksioni më i mirë i bizhuterive personale të një mbretëreshe të gjallë të ofruar ndonjëherë për shitje në këtë vend”.

Ky thesar, i përbërë prej 17 copë bizhuterish, iu rikthye kompanisë që kishte krijuar shumicën e tyre për t’i shitur në ankand, që sipas një shënimit të Marianne, iu ridhanë asaj për të hapur një thirrje ankandi në mënyrë që Familja Mbretërore Shqiptare “të mblidhte ndihma për refugjatët shqiptarë që largohen nga atdheu i tyre”.

Koleksioni përshinte kurorën me diamante të Geraldinës dhe princeshave shqiptare, byzylykë, vathë, varëse, një thikë ceremoniale etj. Ishte e qartë që familja mbretërore i nxori të shitje për shkak të gjendjes së saj të mjeruar financiare gjatë periudhës që jetoi në Francë pas largimit nga Egjipti.  Bizhuteritë e Familjes Mbretërore shqiptare u shitën në kohë të ndryshme dhe vlera e tyre vështirë së mund të llogaritet. Kurora e Ger aldinës e quajtur Tiara, e pajisur me disa diamante me 32.5 karat, u prodhua nga Oster në vitin 1938 për Geraldinën, me një dizajn unik me bazë trëndafila të bardhë, që simbolizonin Geraldinën si “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”, e që lidhej në majë me përkrenaren e Skënderbeut të veshur në diamante, pjesë e emblemës mbretërore shqiptare.

Krahas kurorës mbretërore të Geraldinës, shtypi evidentoi edhe 2 bizhu të tjera me diamante dhe më të çmuarat. Një unazë diamanti me 14.75 karat, e cila ishte unaza e fejesës së Geraldinës me Mbretin Zog dhe një varëse me 44 gurë diamanti me vlerë 45 karat, të dyja këto të dizenjuara nga Marienne Ostier, për të cilat pritej edhe çmimi më i madh në ankand. Kurora e Geraldinës u ble nga një pasanik amerikan në industrinë e farmaceutikës, Elmer Holmes Bobst, për gruan e tij të apasionuar pas të famshmes Ostier.

Zonja Bobst e pati vendosur në një takim në Shtëpinë e Bardhë në vitit 1966 dhe pas vdekjes së saj, kurora u nxor në shitje nga një shtëpi ankandi në SHBA, duke e vlerësuar midis 30 mijë deri në 50 mijë dollarë. Në prill 2016, një blerës i panjohur e bleu atë për shifrën rekord të 225 mijë dollarëve bashkë me kutinë origjinale me stemën e Mbretërisë Shqiptare . Një tjetër byzylyk i Mbretëreshës Geraldinë u rishit në vitin 2005 në një ankand me vlerën e 54 mijë dollarëve.

Një nga kurorat e princeshave u shit në vitin 1985 në Spanjë për vlerën e 3.2 milionë peseta (rreth 20 mijë dollarë me vlerën e kohës). Prej kur dolën në ankand për herë të parë, të 17 objektet e bizhuterive të Familjes Shqiptare zotërohen në koleksione të ndryshme private. Është e paqartë se sa ka përfituar Familja Mbretërore nga shitja e tyre e parë në vitin 1959 e në vazhdim, por falë tyre dhe vilës së blerë nga Zogu në SHBA, u bë e mundur jetesa në ekzil.

 

2 MILIONË DOLLARË TË FSHEHURA?!

Çështja e financave të Mbretit Zog nuk ishte shqetësim vetëm i tij. Britanikët treguan një interes të veçantë për të mësuar pasurinë e Mbretit Zog në mërgim. Kjo jo nga ndonjë kuriozitet i tepruar, por për të kuptuar nëse monarku shqiptar kishte para mjaftueshëm për të mbajtur familjen, shërbyesit dhe stafin e tij gjatë qëndrimit të Britani. Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Xhorxhi i 6-të, kur mësoi nga ministri i tij i Oborrit, z. Hardingue, për ardhjen e Mbretit Zog në Londër, kërkoi nga Ministria e Jashtme nëse ai kishte mundësi financiare për të mbajtur rreth 30 personat që e shoqëronin.

Në një shkresë të datës 17 qershor 1939, Sekretari Privat kërkoi shpjegime për financat e Mbretit Zog. Në një përgjigje të pak ditëve më vonë, Ministria e Jashtme informoi Mbretin Britanik se monarku shqiptar ka financa të mjaftueshme, nisur nga disa informacione, shumicën të pakonfirmuar. “Nuk kemi informacion të saktë në lidhje me këtë çështje”, fillonte shkresa.

Zyrtarët britanikë informonin se Mbreti Zog ka një llogari prej 2 milionë dollarësh në bankën amerikane Chase National Bank si dhe ka arritur të marrë me vete rreth 50 mijë paund në flori kur u largua nga Shqipëria. Ata informonin Mbretin se sipas një informacioni të dhënë nga Kryeministri francez, të përmendur në një takim me ambasadorin britanik në Paris, një pjesë e këtyre parave për Mbretin Zog janë ryshfet i gjermanëve që ai të ngatërronte italianët me jugosllavët. “Kjo është e ekzagjeruar”, besonin zyrtarët e

Ministrisë së Jashtme. Nisur nga këto të dhënat, ku më e besueshme ishte fakti i florinjve të marrë me vete nga Shqipëria, ata informuan Mbretin se monarku shqiptar do të duhej t’i nënshtrohej pagimit të taksave gjatë qëndrimit në Londër. Nëse besohej se kishte një shumë prej 50 mijë sterlinash, atëherë duhej të paguante supertaksën e luksit, e vendosur atë vit nga qeveria britanike si masë për rritjen e financimit në buxhet për armatimin e vendit në prag të një lufte që pritej të shpërthente shpejt.

“Nëse Mbreti Zog, në të vërtetë posedon shumën e parave të dhëna në raport, ai mund të tatohet me supertaksën në Britani në shumën prej 12 mijë sterlinash. Shuma që mbetet besojmë se do të mjaftojë për të mbajtur 30 shqiptarët që ka me vete nëse nuk do jetojnë në stil luksi”, raportuan zyrtarët e lartë. Ky raport duket se kënaqi Mbretin e Mbretërisë së Bashkuar. Së paku, ai nuk do të ndihej i detyruar financiarisht nëse familja mbretërore shqiptare do të haste në të tilla vështirësi. Në fakt, llogaria prej 2 milionë dollarësh në bankën amerikane Chase National Bank nuk u vërtetua kurrë, ndaj dhe britanikët llogaritën vetëm 50 mijë sterlinat e thesarit shqiptar të marrë me vete nga Mbreti Zog. Mbretit Zog nuk iu tatua asnjë prej parave që ai kishte me vete nga supertaksa e pasurisë britanike.

Ndonëse nuk u njoh formalisht si kryetar shteti në mërgim, autoritetet britanike e respektuan si të tillë duke mos i sjellë asnjë siklet për pagim taksash apo deklarim pasurie. Shënim: Në numrin e ardhshëm, në gazetën “Panorama”, do të publikohet tërheqja e llogarisë bankare prej 50 mijë sterlinash në Lloyd’s Bank nga Mbreti Zog, kompensimi financiar për valixhet e humbura në luftë, valixhet e arta që shoqërorin gjithnjë Zogun si dhe një hetim i CIA-s mbi pasurinë e monarkut shqiptar./ Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.