OPINION

Gjuha shqipe në universitet dhe analfabetizmi funksional

17:34 - 09.04.19 Elsa Skënderi - Rakipllari
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Çështjet e gjuhës iu japin kurdoherë të gjithëve, profesionistë a profanë, fije serioze për të tjerrë. Kjo jo vetëm falë raportit të vetvetishëm që kanë folësit me gjuhën, por rast pas rasti edhe falë nevojës së disave për ta ngritur nivelin e diskursit të tyre. Temat grandioze që priren të kenë jehonë në ligjërimin politiko-publik lidhen shpesh me çështje themelore dhe sendërtuese të kombëtarizmës si gjuha shqipe, figura të ndritshme historike apo patosi patriotik.




Sa i takon gjuhës shqipe dhe problemeve të saj, me to janë marrë së hershmi e së voni jo vetëm gjuhëtarë, studiues, intelektualë, por edhe gazetarë, analistë e politikanë. Të gjithë, me dijeni ose jo, në zbatim të ‘porosisë’ së filozofit gjerman Martin Heidegger, “gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve”. E sa mirë që është kështu! Sepse, në fakt, ata që mund ta përfytyrojnë gjuhëtarin si gardianin e gjuhës, shkasin në gabim nga pikëpamja teorike. Por edhe sepse kushdo që është përfshirë në këto diskutime ka ndikuar që të rritet vetëdija për rëndësinë e kulturës së gjuhës.

Kur vjen fjala te përdorimi i shqipes, siç ndodh me pak tema të ditës,  të gjithë janë në një mendje. Për fat të keq, folësit amtarë të shqipes në një shkallë të gjerë e zotërojnë në mënyrë të pamjaftueshme normën drejtshkrimore dhe gramatikore të gjuhës standarde dhe kultura e tyre gjuhësore ka mbetur tokë djerrë. Në varësi të atyre që rrahin mendimet rreth shqipes edhe përgjigjjet rreth arsyeve të kësaj situate, ndryshojnë. Dikush mund të thotë se zotërimi i pamjaftueshëm i standardit ka ardhur si pasojë e kontakteve të shqipes me gjuhët e huaja dhe të trysnisë që këto të fundit kanë ushtruar. Të tjerë mund të kenë idenë se rishikimi i standardit do të çonte në mënjanimin e disa problemeve që lidhen me përdorimin e gjuhës së shkruar. Po ashtu, ka shumë nga ata që e kanë vënë theksin ku duhet, duke i parë problemet e zotërimit të standardit të lidhura ngushtësisht me probleme të shkollimit dhe formimit të përgjithshëm. Kurse prej politikanëve në kërkim të temave kumbuese, problemi është parë si i ndreqshëm me një kurs universitar (30 a 45 orësh) në të gjitha degët e të gjitha universiteteve! A thua se për të konceptuar, hartuar dhe zbatuar politika gjuhësore mjaftoka një fjalim televiziv i transmetuar edhe në “facebook”.

Lajmin për futjen e gjuhës shqipe në të gjitha universitetet nuk vonuan ta shpërndanin dashamirët e gjuhës apo të qeverisë. Ishte lajm ndjellamirë që kumbonte shkëlqyeshëm. Veçse në plan afatgjatë kumbimi i këtij lajmi është i pamjaftueshëm. Së pari, pritet të shihet si do të realizohet përnjëmend ç’u tha me gojë.  Së dyti, me gjithë ngazëllimin e atypëratyshëm të profesionistëve a profanëve që e duan gjuhën, që merren me të apo që e flasin atë, problemi që kemi me kulturën e gjuhës në përgjithësi dhe me zotërimin e pamjaftueshëm të standardit është shumë më serioz dhe më i ndërlikuar sesa duket.

Gabimet drejtshkrimore dhe gramatikore nuk vijnë se “interneti apo facebook-u” e ka prishur gjuhën shqipe apo vetëdijen metalinguistike të folësve të saj. As vetëm ngase gjuhët e huaja po na e kërcënojnë e shkatërrojnë shqipen. Aq më pak i vjen e keqja shqipes standarde dhe drejtshkrimit nga dialektet apo të folmet nëndialektore. Në të vërtetë, njohuritë e cunguara gjuhësore reflektojnë jo rrallë aftësi intelektuale të mangëta e të atrofizuara. Ky është thelbi i asaj që duhet të na shqetësojë dhe që duhet “adresuar”, siç thonë politikanët.

Dikush i ka konsideruar aftësitë intelektuale të atrofizuara si pasojë e regjimit diktatorial dhe e trysnisë së vazhdueshme deri edhe te aftësia për të menduar. Ky argument mund të qëndrojë deri diku, por në fakt, sipas testimeve të PISA-s ndër 15-vjeçarët shqiptarë, rreth 50% janë analfabetë funksionalë. Në fushë të njohurive gjuhësore analfabet funksional cilësohet ai që zotëron diku te 2000 fjalë, thuajse aq sa supozohet të dijë një nxënës në klasë të tretë. Analfabetët funksionalë pavarësisht se e kanë ndjekur shkollën (në disa raste edhe me shkëputje të herëpashershme) dhe dinë shkrim e këndim, kanë probleme me përpunimin e materialit gjuhësor, me të kuptuarin e fjalëve dhe të fjalive. Mangësi gjuhësore vihen re në rrafshin e të shkruarit, në rrafshin e të folurit dhe në rrafshin e përpunimit leksikor. Kësisoj, analfabetët funksionalë e kanë të vështirë të kuptojnë tekste të ndërlikuara, si dhe të formulojnë ide apo mendime për tema abstrakte. Analfabetizmi funksional shfaqet në nivele të ndryshme te individë të ndryshëm, por nuk konsiderohet si patologji apo paaftësi konjitive.  Përgjithësisht vërehen probleme me të ushtruarin dhe sidomos ndërthurjen e kompetencave të komunikimit (të shkruarit, të lexuarit, të folurit dhe të kuptuarit), të cilat e vënë individin në situatë inferiore për ndërveprim dhe integrim social.

Në një sistem arsimor që nuk ia del të ndërtojë te nxënësit shprehitë e njeriut të kulturuar, nuk ia del të mëkojë një raport të vërtetë të nxënësit me librin, me të lexuarin dhe studimin, në një sistem ku nxënësi është i ngërthyer në lexime në bosht horizontal dhe ku i vetmi mjet kontrolli njohurish mbetet aftësia për ta riprodhuar mekanikisht tekstin, që harrohet fill të nesërmen, nuk është habi që shifrat e analfabetizmit funksional janë të larta dhe që individët nuk dinë as çfarë të shkruajnë as si ta shkruajnë drejt atë. Teksa tekstet shkollore kanë një gamë të gjerë problematikash, teksa shkollat janë instrumete të pushtetit politk dhe e kanë të pamundur të përqafojnë metodat dhe teknikat më të frytshme të mësimdhënies bashkëkohore, për shkak të mungesës së trajnimit dhe edukimit të vazhdueshëm të stafeve të tyre, gjasat për shifra të larta të analfabetizmit funksional do të jenë po ashtu të larta.

Si për ironi, problemi i analfabetizmit funksional u ndërkall në diskursin publik e politik nga Partia Socialiste gjatë fushatës elektorale të vitit 2013, e cila premtonte se do ta rilindte arsimin  dhe do ta luftonte analfabetizmin funksional që kishte mbjellë pushteti i shkuar. Me apo pa ndihmën e rezultateve të testimeve të PISA-s, është lehtësisht e verifikueshme se asgjë nuk ka ndryshuar në thelb dhe nuk mund të thuhet se është bërë shumëçka në drejtim të edukimit apo kulturimit të të rinjve. Mjafton të shohim si i ndërtojnë fjalitë ata që japin një intervistë me gojë, ata që shkruajnë në rrjete sociale, ata që testohen në shkolla, ata që punojnë në administratën shtetërore, madje ndonjëherë dhe ata që flasin në Kuvend.

Në një fjalim të rishtë, Kryeministri i vendit u  shpreh se tanimë “duhet zgjidhur problemi i mendjes në universitet”! Po, duhet zgjidhur, me se s’bën! Por ta kesh lënë për ta zgjidhur këtë problem, kur individët janë studentë është tepër vonë. Të pretendosh se do të mësohen të shkruajnë drejt dhe ta zotërojnë normën gjuhësore, individë që kanë mangësi të dukshme në formimin e tyre, është në rastin më të mirë ëndërr me sy hapur. Sa dhe si mund ta zgjidhë një kurs universitar problemin që reflekton shifra ndjellakeqe një milion e shqiptarëve, të cilët nuk patën lexuar asnjë libër brenda një viti (INSTAT 2018)? Vetëm rimarrja e problematikës së “mendjes” nuk i jep zgjidhje një problemi të thellë e të trashëguar ndër vite dhe nuk shpie detyrimisht në hullinë e punëve të kryera.

Sa kohë që sistemi arsimor është i atrofizuar dhe reformat s’janë veçse pjesë e dialektikës së dukjes, edhe deklarata për futjen e gjuhës shqipe në universitet është e sipërfaqtë, sepse nuk mjafton për ta përballuar problemin e vërtetë. Saora, trualli i dijes dhe i kulturës gjuhësore ndër ne rrezikon dita-ditës të shndërrohet në një gropë të errët karstike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.