OPINION

Të ndihmojmë mësuesit të përsosin kompetencën e komunikimit

07:45 - 12.04.19 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pak ditë më parë, Profesori i nderuar Rami Memushaj, në shkrimin “A duhet futur mësimi i gjuhës amtare në universitete”, ndër të tjera, konstatoi: “Nuk mund të mohohet se mësimi i gjuhës amtare është detyrë e arsimit parauniversitar dhe këtu ka shumë për të thënë, duke nisur që nga formimi i mangët i mësuesve të gjuhës shqipe e duke vijuar me programet mësimore të kësaj lënde, në të cilat gjuha shqipe përzihet me letërsinë, duke ndikuar për keq në përvetësimin e të dy lëndëve; me tekstet e gjuhës dhe të të gjitha lëndëve e niveleve të shkollimit, të korrektuara e të redaktuara keq, që nuk u japin nxënësve e studentëve gjedhe të gjuhës së përpunuar; dhe duke përfunduar me mungesën e kujdesit të trupës mësimore për të komunikuar me nxënësit në gjuhën standarde”. Në vijim të këtyre konstatimeve, shtjellohen dy ide: a) zgjerimi i kuptimit për formimin gjuhësor në shkollë dhe b) investimi që mësuesit të përsosin kompetencën e komunikimit të nxënësve.




  1. Kompetenca e komunikimit. Risia e reformës tonë kurrikulare është zhvendosja e theksit nga mësimdhënia për memorizimin e dijeve lëndore (edhe gjuhësore), te nxënia për formimin e kompetencave kyçe dhe aftësive bazë për zhvillimin personal, punësimin, përfshirjen sociale dhe qytetarinë aktive. Reforma është në linjë me rekomandimet e BE. Në maj 2018, Këshilli për Arsimin, Rininë, Kulturën dhe Sportin miratoi Rekomandimin e Këshillit, që zëvendësoi një Rekomandim të mëparshëm për promovimin e kompetencave kyçe dhe zhvillimin e shkathtësive bazë, duke theksuar: a) sigurimin e arsimit cilësor, trajnimit dhe të nxënit gjatë gjithë jetës për të gjithë; b) ndihmën për personelin mësimor; c) promovimin e metodave dhe konteksteve të nxënies gjatë gjithë jetës; d) eksplorimin e qasjeve për vlerësimin dhe vlerën e kompetencave kyçe. Me synimin që, deri në vitin 2020, më pak se 15% e 15-vjeçarëve të klasifikohen me ‘arritje të ulëta’ në kompetencat kyçe, të matura nga testet PISA” [https://ec. europa. eu/education/policies/school/key-competences-and-basic-skills_en]. Testet PISA, lidhur me kompetencën e komunikimit, matin kapacitetin e nxënësve për të kuptuar, përdorur dhe reflektuar mbi tekstet e shkruara për të arritur qëllimet, për të zhvilluar njohuritë e potencialin dhe për të marrë pjesë në shoqëri.

Gjithë sa më sipër, formalisht, lidhet me punën e mësuesve të gjuhëve (shqipe dhe të huaja) të cilët mendohet se janë kontribuuesit kryesorë për ndërtimin e kompetencës së komunikimit dhe të shprehurit saktë. Me ndërtimin e saj, nga nxënësit që mbarojnë arsimin 9 vjeçar pritet “të komunikojnë dhe shprehen me anë të gjuhëve, simboleve, shenjave dhe kodeve; flasin, dëgjojnë, lexojnë dhe shkruajnë në gjuhën amtare dhe në (së paku) një gjuhë tjetër të huaj; përfshihen dhe kontribuojnë në dialog të respektueshëm dhe produktiv; japin dhe marrin informacion në mënyrë konstruktive dhe krijuese; respektojnë rregullat e përgjithshme të komunikimit / ndërveprimit dhe njëkohësisht dhe janë krijues; përdorin TIK-un dhe mediet në mënyrë efektive dhe të përgjegjshme si mjete të rëndësishme të informimit, të komunikimit dhe të ndërveprimit në epokën digjitale”. (Korniza Kurrikulare e Arsimit Parauniversitar të Republikës së Shqipërisë). Them formalisht, pasi përgjegjësia për të aftësuar nxënësit të komunikojnë saktë ndahet mes mësuesve të gjuhëve dhe pjesës tjetër të personelit pedagogjik. Nga ky këndshikim, mjetet bashkëkohore me të cilët ndihmohen nxënësit të komunikojnë si duhet janë procesi i nxënies, mjetet mësimore, teknologjia digjitale dhe veprimtaritë mësimore/ edukative. Mjete të cilët mund e duhen përdorur nga personeli pedagogjik edhe në funksion të komunikimit efikas.

Gjithë sa më sipër u takon kuptimeve shkencore dhe standardeve zyrtare që mëtohet të arrihen nga nxënësit, të ndihmuar në rrugëtimin e tyre nga mësuesit, drejtuesit, autorët e teksteve, prindërit, mediat, ligjërimet publike, dekori i qytetit etj., etj. Ndërkaq, realiteti ofron të dhëna që meritojnë vëmendje. Për të ilustruar idenë, po sjellim disa shembuj. Në vlerësimin e paradokshëm të formimit gjuhësor të nxënësve të kl. III dhe V, AKP-ja konstatonte se “mungesa e zhvillimit të kompetencës së të lexuarit, që vihet re në testin e gjuhës shqipe, është e dukshme edhe në testin e matematikës, pasi nxënësit nuk lexojnë mirë kërkesat e pyetjes. Kjo shfaqet në zgjidhjen e problemës, në hartimin e pyetjeve dhe në nxjerrjen e përfundimit të saj; se 31. 17% e nxënësve kanë paqartësinë në atë që duan të shprehin, janë të paorganizuar dhe teksti i shkruar përmban shumë gabime drejtshkrimore apo përdorin gabim shenjat e pikësimit”. Më tej: Një studiues tjetër konstatonte se “një pjesë e mirë e nxënësve të klasës X në një gjimnaz, në një projekt në lëndën e historisë, ndonëse paraqitën mendime me vlerë, bënin gabime të mëdha nga ana drejtshkrimore. Më e keqja: këto gabime nuk i kishte korrigjuar as mësuesi”. Po kështu, një studim me studentë të Universitetit të Elbasanit ka treguar se “një student, në një tekst që shkruan, gabon mesatarisht 1 në 16 fjalë nga pikëpamja drejtshkrimore”.

  1. Të ndihmojmë mësuesit. Kushti i parë i nevojshëm që nxënësit të ndërtojnë dhe demonstrojnë kompetencën e komunikimit është zotërimi i standardeve gjuhësore nga mësuesit. Ky kusht duket që nuk përmbushet si duhet, pasi rreth 80% e mësuesve, sot në detyrë, janë diplomuar pas viteve ’90. Cilësia jo e mirë e formimit (edhe gjuhësor) të nxënësve të pranuar në fakultetet e mësuesisë ka qenë shpesh temë e debateve dhe kritikave. Ndërkohë, përjashtuar fakultetet e gjuhësisë, përvetësimi i gjuhës shqipe standarde nuk ka qenë (dhe vijon të mos jetë) pjesë e planeve mësimore në fakultetet e tjera. Ndaj dhe cilësia e formimit gjuhësor të shumë mësuesve të diplomuar nuk kënaq.

Kushti i dytë është kompetenca profesionale e mësuesve për të organizuar një proces të nxëni cilësor. Cilësia e saj është cenuar nga filozofia arsimore që ka orientuar strategjitë dhe teknikat mësimore për formimin e mësuesit të ardhshëm. Për të vijuar të ndikojë, më pas, veprimtaritë për trajnimin e mësuesve në detyrë. Kjo filozofi dhe orientimet didaktike gjegjëse janë produkt i shkollave të mendimit pedagogjik që si qëllim të mësimdhënies nuk kishin formimin e kompetencave të nxënësve, por përvetësimin e përmbajtjeve lëndore (kategorive, ligjeve, rregullave disiplinore etj.). Kemi arsye të besojmë se ky kufizim ka cenuar vetë formimin fillestar dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Ai, i jetësuar ditë pas dite në praktikat mësimore jo efikase në shkollë, frenon përvetësimin e teorive dhe të praktikave bashkëkohore të nxënies, të cilat janë themeli i ndërtimit / demonstrimit nga nxënësit edhe të kompetencës së komunikimit.

Nga ta nisim investimin? Historia e arsimit tonë ofron një përvojë interesante. Meqë zotërimi i standardit gjuhësor nga mësuesit është zemra e kompetencës së komunikimit të nxënësit, në vitet ’80, Ministria e Arsimit mbështeti një projekt për riaftësimin gjuhësor të mësuesve. Instituti i Studimeve Pedagogjike përgatit një program orientues me elementët e rëndësishëm gjuhësorë që duhej të demonstronin mësuesit. Zbatimi i programit iu besua mësuesve të gjuhës, në çdo shkollë. Ata u orientuan paraprakisht nga specialistë të kualifikuar të gjuhës shqipe, në nivelin lokal. Më pas, mësuesi i gjuhës, përgjatë një semestri, në një ditë të javës, zhvillonte një seancë trajnimi 1,5 orë me mësuesit e shkollës. Në përfundim, përmes një testi, mësuesit e gjuhës vlerësuan dhe certifikuan pjesëmarrësit. Kjo strukturë projekti mund të shtojë vlerë, po të plotësohej me elementë të rinj. Të tillë mund të ishin, p.sh., pasurimi i programeve të licencimit të aspirantëve për mësues dhe i programeve të kualifikimit të mësuesve në detyrë, shërbimet që mund të ofrohen përmes teknologjive digjitale etj.

Nëse cilësia e një sistemi arsimor nuk e kalon cilësinë e mësuesve të tij dhe nëse e vetmja mënyrë për të përmirësuar rezultatet e nxënësve është përmirësimi i procesit të nxënies, ajo që vlen është rritja e interesit vetjak të mësuesve për të fituar njohuri të reja. Por do duhet edhe dikush, që t’i ndihmojë teknikisht të aftësohen të komunikojnë saktë. Që, më pas, ata të ndihmojnë nxënësit të ndërtojnë dhe ushtrojnë kompetencën e komunikimit. Mundësia për këtë është shkëmbimi i njohurive/përvojave me njerëz të tjerë, sepse njohja që mësuesit arrijnë vetë mund të mos u mjaftojë të gjejnë shtegun e duhur. Ndërkaq, më e rëndësishme se njohuria është përvoja. Askush nuk mund t’i realizojë të gjitha përvojat e mira të kësaj bote, ndaj konsiderohet me vlerë edhe aftësimi i mësuesve për të arrirë përvojat e të tjerëve. E që kjo të ndodhë, ata duhen ndihmuar të nxënë si ta bëjnë këtë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.