OPINION

Koha për të folur shqip!?

07:27 - 13.04.19 Shezai Rrokaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe pse jemi në një tranzicion të stërzgjatur, që po i dëshpëron përditë shqiptarët, të cilët prej mungesës së shpresës po gjejnë si rrugë shpëtimi braktisjen e vendit, politika vazhdon me rënien tamtameve, e gozhduar në bunkerët e moskomunikimit për t’u dhënë zgjidhje problemeve konkrete të qytetarëve. Mazhoranca u bie vuvuzelave të fitoreve, kurse qytetarët janë të tejngopur prej politikës së premtimeve dhe skenave teatrale në media me regji të kontrolluar. Mandat pas mandati ata po mbeten të zhgënjyer, sepse duan një politikë konkrete me këmbë në tokë, të thjeshtë, të efektshme, që i zgjidh problemet e tyre, të cilat janë kaq bazike e të përditshme, teksa flitet në tym nga politika me ngarendje sloganesh të një realiteti imagjinar.




Politika deri tani ka synuar të sigurojë pushtet dhe jo të ndërtojë shtet që jep drejtësi të barabartë, mjekësi dhe arsim të barabartë, shërbime publike të barabarta për të gjithë, votë të barabartë pavarësisht forcës, pushtetit e pozicionit. Pra, na duhet një shtet i së drejtës, jo më një pushtet që u jep ‘të drejta’ disave dhe ndëshkon të tjerët.

Ndaj këtë lloj politike qytetarët ose e kanë ndëshkuar me mospjesëmarrje në zgjedhje, ose kanë ikur jashtë. Mirëpo edhe kjo gjë nuk ua ka zgjidhur problemet e përditshme. Politika e sherrit dhe e konfliktit vazhdon, duke shpenzuar energji dhe duke u kthyer në një arenë loje tifozësh militantë, ku këta të fundit rreshtohen sa në njërin krah tek tjetri dhe kënaqen me dramën e tyre të radhës.
Ndaj është koha për t’i thënë ndal kësaj drame. Është koha për të folur shqip. Boll më me kinse fitore e me kinse sherre; boll më me grabitje të pronës, me pseudoreforma; me PPP-ra oligarkësh dhe me tendera pa konkurrentë; boll më të deformuar, servilë ambasadorësh e kancelarish. Kur do të vendosim për të pasur më shumë vlerësim për veten?
Qytetarët kanë nevojë për një politikë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Ajo duhet të jetë konkrete dhe bashkëpunuese për interesat e mëdha të vendit dhe të integrimit të tij në familjen evropiane. Pa premtime boshe, pa retorika, pa konflikte e tensione të panevojshme, ku shpenzohet energji negative e çlirohet toksinë.

Politika shqiptare ka qenë vrasësi më i madh i kohës së dobishme të shqiptarëve dhe bashkë me të edhe i ëndrrës së tyre për një integrim të shpejtë në BE. E mbërthyer fort në një kryeneçësi bajrakësh e kapedanësh, mes premtimesh e gjithfarë llomotitjesh, prej ferrit deri te parajsa danteske; e ushqyer me tifozeri fanatike e nën trysni të llojllojshme ajo i ngërdheshet qytetarit, e me shpirt në fyt e tërheq atë në greminën dramatike të humbjes së shpresës.
Mirëpo koha ikën, dhe përherë shqiptarët shpresëplotë për një jetë më të mirë mbeten të pashpresë, përherë në vagonin e fundit, madje edhe më këmbë; mjaft syresh shumë të lodhur. Përherë i nisin punët nga e para. Nuk dinë të sosin një gjë deri në fund.
Teksa një pjesë rreket në deliret e pushtetit, e magjepsur prej tij, të tjerët ndihen të dëshpëruar, në pragun e një krize identiteti demokratik, i cili reflektohet në mungesën e një identiteti shtetëror funksional, që shpërfaqet në platforma zhvillimi me hope, të cilat nisin sipas standardeve të perëndimit dhe përfundojnë sipas skenarëve të errët të mendësisë arkaike të homo albanicus. Kurse qytetarët mbeten të zhytur në moçalin e kënetës politike që kutërbon.
A do ta fitojmë betejën me kohën apo si gjithmonë koha do të fitojë mbi ne? Beteja me kohën është betejë me veten, me evoluimin e qenies shqiptare në kohë. Beteja me kohën është betejë për një sistem demokratik për përcaktimin e vlerave të vërteta përkundrejt antivlerave, është beteja për ndërtimin e themeleve për përzgjedhjen e sistemeve të përfaqësimit në të gjitha shtyllat e shtetit. Deri tani modelet qeverisëse nuk janë mbështetur mbi modele të drejta përfaqësimi. Deformimet në sistemin e përzgjedhjes, sipas vlerësimit vetëm të kryetarit, duke mënjanuar kriteret përzgjedhëse dhe strukturat; mandatet pa limit të krerëve të lartë të shtetit i kanë kthyer ata në ‘Perëndi’ apo në lojtarë pazaresh me burimet njerëzore, duke e asfiksuar meritokracinë dhe duke e zëvendësuar me militantizmin. Kjo është një energji negative që është prodhuar në trurin e deformuar të udhëheqësve autokratë dhe që ka sjellë si pasojë një mungesë sinergjie kolektive për të fituar kohën e humbur.
Por, a mund të bëhet Shqipëria prej shqiptarëve? Një pyetje me shumë enigma dhe shumë ‘Si?’. Sigurisht që do të bëhet, por vetëm atëherë kur çdo shqiptar do ta fitojë betejën me veten e tij, me vetëdijen e tij, pra, betejën me kohën e cila, si për shumë demokraci funksionale, nuk duhet vazhdojë më të punojë mbrapsht për ne.
Qytetarët nuk kanë nevojë t’u premtohen kështjella në rërë. Për të fituar besimin e tyre, ata duan premtime realiste dhe serioze si, për shembull, ndarja e nëpunësit të shtetit prej atij të pushtetit dhe se ky i dyti nuk mund ta kthejë nëpunësin e shtetit në shërbëtor a frikaman ndaj pushtetit. A mund t’u themi qytetarëve se për shërbimet do të paguajnë vetëm taksën e shtetit dhe jo edhe pjesën e ryshfetit? A do ta kemi policin me uniformë të rregullt dhe jo tërë njolla e të zhubravitur, i cili para se të merret me opozitën për të garantuar pushtetin e mazhorancës, në radhë të parë të ruajë aeroportin nga vjedhjet e turpshme për një shtet, si kjo që ndodhi këto ditë. Po doganierin, a do ta kemi korrekt me ligjet e shtetit, për të mos lejuar maunet e pushtetit që të kalojnë pa doganë dhe maunet e biznesmenëve të tjerë me doganë, apo duke ua bërë me shenjë të kalojnë nga zyrat e pushtetit, pastaj të paraqiten në doganë? Po për të marrë një licencë, një lejë ndërtimi, a duhet të paguhet përsëri ryshfet?
Po diplomati ynë, a do ta përfaqësojë me krenari shtetin e tij, apo do ta përdorë statusin e tij për bizneset e veta? Cila është fytyra e shtetit që kemi krijuar nëpër kancelaritë e shteteve dhe sa diplomati ynë është në pritshmërinë e statusit të tij?

Po togat e zeza, a do të çlirohen nga trysnia dhe nga kapja e pushtetit, i cili po i kap një e nga një prokurorinë, gjykatat? A do të heqim dorë nga vendosja e njerëzve ‘besnikë’ të partisë në nivelet larta të gjyqësorit?

A do të kemi shërbime në spitale pa ryshfet? A do të marrë përsipër shteti për të garantuar jetën e qytetarit, duke e kuruar edhe jashtë kur nuk janë mundësitë tek ne, për të mos ua lënë këtë gjë vetëm nismave të mira qytetare?
A do të ketë standarde të njëjta për arsimin publik e privat? Si po përballet diploma me kërkesën e zhvillimit të vendit? Si do të rikthehet cilësia në shkollë dhe si do të përputhet strategjia e formimit me strategjinë e zhvillimit për t’u bërë funksionale në një strategji punësimi? A do të investojmë për arsimin 5% të PBB-së, si vendet e tjera, apo do të bëjmë sikur, duke u zhytur në platforma shumëfaqëshe të pafrytshme? Si do të përfshihen universitetet në projektet zhvillimore të territorit për të gjeneruar fonde? A do të jenë universitetet partnerë të qeverisë për zhvillimin kombëtar apo qeveria do të vazhdojë si dikur t’i konsiderojë si institucione vasale? Si do të zhvillohet arsimi profesional për t’iu përgjigjur diversitetit të tregut të zanateve?
Është koha për të folur shqip me qytetarët. Shqip për një plan kombëtar edhe për luftën kundër krimit dhe drogës që po shkon deri në shkolla.
Të flasim shqip dhe për sistemin fiskal, për taksën e sheshtë apo progresive, por edhe se si do të mënjanohet informaliteti, evazioni fiskal, në mënyrë që shteti të jetë funksional për të gjithë. Si mund të vazhdohet ende me idenë se qeveria është gjenerator vendesh pune kur marrëdhënia e punës krijohet në treg dhe tregu është privat? Flitet për reforma në sektorë të ndryshëm prodhues, për gjenerim të vendeve të punës, por nuk flitet qartë për një sistem që të lidhë në mënyrë shproporcionale sistemin e taksimit me sistemin e punësimit (rritet ose ulet taksa nëse fitimin e (ose nuk e) konverton në zhvillim kapitali e vende pune).
Është pra, koha për të folur shqip mes nesh. Këtë duan njerëzit. T’u themi shqip qytetarëve se së bashku mund t’ia dalim të ngrihemi si feniksi nga hiri vet. Por, për këtë ta fillojmë duke folur shqip. Sakaq, “fugit irreparabile tempo!”.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Profesor,shkrimi juaj eshte per studentet tuaj,apo per mbare shqiptaret?Si leksion,eshte i mire,por si “Manifest”per popullin,eshte :”Pa ide,pa fryme,pa program,pa,,,pa,,,pa,,,do te thoshte Spiropali,e mbas saj,nuk do linte studio ku behen gallatat ,milioneri i rilindjes Peza,qe do fillonte e nuk do pushonte,duke mos lene asnje tjeter te flase,e do o bente zhurmuesin te gjitheve.Populli don buke,profesor dhe jo stema.Dhe buka nuk kerkohet,me pyetjet qe beni ju,por me Protesta (po deshet,quajini edhe revolucione),sepse,duhet te thonit,sic thoni ju,per rte folur shqip.Dhe shqip thuhet : Derri don plumb-profesor,por nderkombetaret ta lexojne :Plumb demokratik.

    Përgjigju ↓