KULTURË

Portrete fëmijësh të kthyer, fotografi që fuqizojnë

16:15 - 13.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Fëmijë të qeshur ndonëse jetojnë në kushte të vështira. Portrete të çelura e plot jetë. Të kthyer nga vendet ku familjet e tyre patën emigruar, ata ripërballen me jetën që kanë lënë pas dhe me mjerimin prej të cilit ikën.
“Terre des hommes” në bashkëpunim me Universitetin e Arteve ka çelur të enjten punimet e fotografes Malavika Sattler dhe punimet e studentëve të Universitetit të Arteve. Kjo ekspozitë synon të pasqyrojë se si arti mund të përdoret nga të rinjtë dhe fëmijët për të sjellë ndryshim për çështje që e lidhen me ta dhe si ndikon në fuqizimin, zhvillimin dhe përfshirjen e tyre. Në qendër janë punime të studentëve me fëmijë të kthyer nga emigracioni, ndërsa Malavika Sattler ka bërë praktikën në Terres des Hommes duke ndjekur aktivitetet e Terres des Hommes në Shqipëri si vullnetare. Kësisoj e ardhur nga Austria ajo ka qenë në Shkodër, Lezhë e Fier dhe ka vënë re që fëmijët arrijnë të rigjejnë gëzimin.




E pyetur nga “GSH” për këtë përvojë, Sattler tha se “portretet janë të qeshura” duke lënë të kuptojnë se për fëmijët nuk ka rëndësi ku janë. “Kam qenë për më shumë se një muaj me këta fëmijë. Në fillim ishte pak shokuese për mua dhe më dukej vetja si ajo vëzhguesja që iu futej në shtëpinë tyre dhe i vështronte. Por për ata me kalimin e kohës kuptova se kjo ishte një gjendje normale dhe nuk e kishin fare problem praninë time ose faktin që i fotografoja. Ndaj fillova të ndihesha mirë dhe shumë rehat me ta kudo që i takoja”.
Shpesh e ardhmja varet nga familja ku lindim, nga ngjyra jonë e lëkurës, nga besimi fetar që marrim nga familja, nga kultura e nga shteti ku lindim. E ardhur nga Eruopa për t’u përballur me këta fëmijë, ky zbulim për Malavikën ishte mbase një lloj thyerje.
“Unë mendoj se një fëmijë nuk i bën këto dallime. Në fillim nuk do t’ia dijë për këto. Do të jetë i lumtur dhe është i lumtur kur është më familjen e me shokët. Me kalimin e kohës, nisin paragjykimet e dallimet. Nuk e di se si jam ndjerë, por di vetëm atë që pas kësaj përvoje më ka zënë një ndjesi përgjegjësie që duhet të ndryshojë diçka në këtë botë dhe besoj kjo duhet bërë”, tha ajo të enjten për “Gazeta Shqiptare”.
Kur e pyes nëse vetëm kur jemi fëmijë ndihemi të barabartë me të tjerët sepse vetëm atëherë nuk i kuptojmë ndryshime, ajo përgjigjet me po. “Mendoj se po. Në një farë moshe nis të kuptosh më shumë rreth botës dhe kur sheh më shumë rreth botës, nis e bën dallimin. Kur je i vogël nuk i lexon gazetat, nuk e sheh si jetojnë njerëzit e tjerë dhe kjo mendoj se bën ndryshimin. Fëmijët mendojnë se kjo është normale. Shohin televizor, por nuk kuptojnë çfarë është reale e çfarë jo dhe në një pikë e kupton se ka disa mënyra jetese. Fëmijët janë të lumtur, sepse nuk i dinë gjërat”,-tha Sattler.

Kjo ekspozitë, e titulluar ‘Terre des enfants’ (Toka e fëmijëve), e cila vjen si bashkëpunim midis ‘Terre des hommes’ dhe Universitetit të Arteve pasqyron punimet nga fotografia Malavika Sattler dhe punime nga studentët e Universitetit të Artit, synon të pasqyrojë se si arti mund të përdoret nga të rinjtë dhe fëmijët për të sjellë ndryshim për çështje që lidhen me ta, dhe si ndikon në fuqizimin, zhvillimin dhe përfshirjen e tyre. Pas kthimit në Shqipëri, fëmijët, të rinjtë dhe familjet ndeshen me një sërë sfidash dhe vështirësish. Për të lehtësuar procesin e riintegrimit, ‘Terre des hommes’ nëpërmjet ndërhyrjeve të integruara mbështet fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre të rimëkëmben nga ana sociale dhe ekonomike. Qendrat multifunksionale për fëmijët luajnë një rol të madh në këtë detyrë. Arti merr një domethënie tjetër kur kombinohet me ndërhyrje sociale në këto qendra duke qenë ndër mënyrat më efektive dhe të fuqishme të ndikimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.