Kryesore

Ajo na mashtroi Nino, mua dhe ty, birin tim të palindur…

11:43 - 14.04.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Liridon Mulaj




Nino, mamanë tënde e kam njohur në autobus. Mendoj se ishte plan i universit që unë ta takoja atë ditë, sepse kur hipa pashë që të gjitha vendet ishin të zëna. Mamaja jote qëndronte e vetme në një sedilje dyshe. Ajo ishte kaq e bukur. Fytyra e saj ndrinte më fort se rrezet e diellit, që binin mbi xham. Habia më e madhe ishte se askush nuk ishte ulur aty edhe pse disa çunakë qëndronin në këmbë të gjithë së bashku në fundin e autobuzit e dy zotërinj bisedonin me njëri-tjetrin ngjitur me sediljen ku ajo ishte ulur. Dhe aty e kuptova që ai vend pranë saj ishte rezervuar për mua nga kushedi se ç’engjëll.

Në fillim ngurova ngaqë nuk jam i mësuar me femrat, por pasi u mendova për pak sekonda, i dhashë kurajo vetes dhe u ula pranë saj. Nuk m’i hodhi sytë dhe as që e vuri re që ngjitur me të ishte ulur dikush. Supet tanë u prekën dhe ndjeva se lëkura m’u mbush me mornica. I mora erë flokëve të saj me aromë lulesh dhe nga pozicioni anësor kundrova në heshtje portretin engjëllor që përflakej nën rrezet e diellit. Sytë jeshile që i vezullonin nën qerpikët e gjatë si krahë fluture dhe hundën e vogël sa një guralec me formë perfekte nga ku ravijëzoheshin dy buzë të kuqe si manaferra të sapoçelura. E vështroja dhe zemra më rrihte me forcë. Një zë i ardhur nga kushedi ç’zgavra të fshehura brenda meje më thoshte se ajo ishte aty për mua dhe unë për atë.

Mbaj mend vetëm se mblodha guximin e gjithë botës dhe i fola. Ajo ma ktheu. Thamë disa fjalë gjysmake ndërkohë që unë lutesha pa zë që ajo të mos ikte, të qëndronte ose le të ikte, por me kushtin që ta takoja përsëri. Mbaj mend kur u ndamë, ajo më la në dorë një pusull ku mbi të ishte shënuar numri i telefonit të saj. Mbaj mend gjithashtu që gjatë rrugës për në shtëpi unë fluturoja dhe zemra sa nuk po më dilte nga kraharori. Më pas, një ditë të bukur u takuam Nino dhe mami yt ishte bërë kaq e bukur sa më la pa frymë.

Nino, duhet të të them që unë nuk është se kam pasur ndonjë eksperiencë me femrat, për të mos thënë fare. Në jetën time kam pasur vetëm një shoqe ku më vonë kuptova se më mbante afër vetëm ngaqë unë mësoja dhe detyrat ia bëja unë gjithmonë. Mami yt ishte e para që do e takoja për këtë qëllim. Për ta dashur dhe për të më dashur. Atë ditë mezi i kisha mbledhur paratë për të paguar. Mamaja nuk kishte dhe unë isha i papunë asokohe. U ulëm në tavolinë rrëzë një muri lyer me të verdhë ku në qoshe, kishte një dritare të vogël me perde të bardha. Mami yt porositi lëng portokalli, ndërsa unë teksa po bëja llogaritë e parave që kisha me të shpejtë më rezultoi se kisha aq para sa për lëngun. Pasi belbëzova fjalë të pakuptimta, me përzemërsi të shtirur i thashë kamarierit që kisha pirë shumë atë ditë dhe se doja vetëm një gotë ujë nga çezma nëse ishte e mundur. Atij iu stampua në fytyrë një shikim përçmues dhe iku duke pëshpëritur me vete kushedi se ç’sharje. Nuk më interesonte asgjë në ato momente Nino, përveç mamasë tënde që si diell kishte hyrë në jetën time dhe kishte shpërndarë rrezet e saj të arta. Sa e bukur ishte. Fliste dhe ndërkohe me gishtin tregues përdridhte një tufë me flokë që i binin mbi sy. Dhe unë fola shumë atë ditë, mbase nga dehja e bukurisë së saj, por për herë të parë në jetën time, për një moment e ndjeva veten të ngjashëm me të tjerët.

Me çdo djalë dhe mashkull që synon femrën më të bukur sipas rastit dhe ia del të ketë të tijën atë më të bukurën dhe të devotshmën për sytë e tij. Ndjeva se dhe unë isha pjesë e kësaj vorbulle që përziente vajzat me djemtë duke mos lënë askënd pa një të ngjashëm. Askënd të vetmuar. Nuk ndenjëm shumë dhe u ngritëm nga aty. Në çastin kur u ndamë, ajo u zgjat drejt meje dhe më puthi në faqe, biles më tha dhe që isha shumë i mirë. Pastaj iku në drejtim të stacionit të trenit. Diku prapa hekurudhës kishte shtëpinë. Unë gati sa s’qava nga gëzimi pas këtij takimi. Më në fund tabloja tragjike që më përfytyrohej në përditshmëri po venitej dhe një jetë e re më fanitej përpara vetes.

Të nesërmen e telefonova, por nuk pranoi të më takonte. Pastaj e telefonova përsëri për t’i kërkuar një takim të dytë, e telefonova së treti, së katërti, së pesti dhe në të gjashtën herë më tha që donte dikë tjetër dhe se kishte qenë marrëzi ajo që kishte ndodhur mes nesh. Nino, bota u shemb nga fjalët e mamasë tënde dhe vetmia më kurthoi përsëri, më keq dhe më ashpër se më parë. Kaluan disa ditë ashtu nën ethe dhe pa dëshirë për t’u ripërtërirë gjersa një ditë, papritmas, mami yt më telefonoi. Më tha se gjithçka kishte qenë gënjeshtër dhe donte të më takonte menjëherë. Atë ditë mami yt më puthi Nino dhe unë qava në praninë e saj. Po nga ta dija unë se çfarë ishte dashuria dhe puthja. Nuk kisha provuar ndonjëherë dashurinë e një femre, përveç dashurisë së mamasë sime. Unë isha rritur me shpresa të vyshkura Nino, ku në çdo fillim dite afronte një shpresë e re dhe çdo mbrëmje ajo palosej në fundin e kujtesës së bashku me kujtimet e tjera, çka s’më kishte shërbyer për t’u rritur apo vënë mend, sepse në çdo lindje dielli, shpresat krijoheshin si me magji dhe në çdo perëndim ato vdisnin bashkë me diellin. E tillë kishte qenë jeta ime deri në atë moment: gënjeshtare, e mbushur me iluzone të kota. Më pas, së bashku me mamin tënd i ramë qytetit kryq e tërthor. Ecëm të kapur përdore në zonën industriale, të mbushur me fasada dyqanesh luksoze. Ndaluam në vitrinat e argjendarive të shtrenjta dhe ëndërruam për unazën që do i blija, për mënyrën sesi do i propozoja për martesë. Ajo dëshironte një shesh plot me njerëz që këndonin për të, ndërsa unë doja një cep të braktisur të qytetit ku të ishim vetëm unë dhe ajo. Zogjtë fluturonin mbi kokat tona dhe era që frynte lehtë, ia merrte flokët e gjatë dhe ledhatohej me to.

Më pas u kapëm pas shtyllave të zeza që mbajnë llampadarët e natës dhe bëmë kollotumba në barin e lulishteve ngjitur me gardën. Djersimë dhe u thamë disa herë atë ditë. Në darkë, të rraskapitur, zumë vend në shkallët e mëdha të korpusit dhe hëngrëm sanduiçët me djathë e proshutë që i blemë te një rulotë që rrinte hapur deri në orët e vona. Mami yt ishte mrekullia e Zotit, Nino. Ma kishte dërguar për të më bërë të lumtur e kësisoj çka vinte më pas mbante fytyrën e saj dhe emrin e saj.

Me flokë të gjatë, të derdhur qafës së bashku me krahët e hollë dhe vithet me tule që unë vdisja t’ia kafshoja. Bëmë dashuri për herë të parë në një dhomë të lirë, që e morëm me qira dhe po atë natë u detyruam ta linim pasi mami yt Nino, kishte qenë e virgjër dhe çarçafët u skuqën nga gjaku i saj. Unë i mblodha shuk dhe u nisa t’ia dërgoja sanitares që ishte edhe pronarja e godinës, e cila sapo i pa vuri duart në kokë dhe zuri të ulërinte a thua kishim vrarë njeri. Na përzuri me justifikimin se i kishim prishur çarçafët që kushtonin sa dyfishi i çmimit të dhomës dhe se virgjërinë duhet ta kishim lënë për diku tjetër, jo aty në çarçafët e saj.

Kur dolëm jashtë në rrugë ishte mesnatë. Gjaku më kishte hipur në kokë dhe më vinte aq turp nga mami yt, saqë kur më pa ia plasi të qeshurës a thua se s’kishte ndodhur asgjë. Kështu ishte ajo Nino, e ndrojtur dhe e regjur njëkohësisht. Teksa ecnim rrugës ngriti paksa fustanin dhe zbuloi se edhe mbathjet i kishte hedhur në koshin e mbeturinave, se duhej të nxitonim, sepse kishte ftohtë e ajri i freskët i mbrëmjes po i depërtonte poshtë fustanit. Sa qeshëm atë natë Nino dhe sa jetuam ato ditë. Sa dashamirëse më ngjante jeta dhe sa i bukur qielli.

Ti u ngjize në ato ditë të lumtura dhe po në ato kohëra u vrave. Nuk mbaj mend se sa herë bëmë dashuri, por më kujtohet mjaft mirë kur filluam të ftoheshim. Mami yt kishte ardhur dy herë në shtëpinë time dhe të jem i sinqertë, të dyja herët mezi kishte mbajtur frymën në dhomën time me mure të lagësht. Kishte vërejtur jetën prej urithi që bëja e paçka se më donte pata vënë re një si ftohje të saj ndaj meje. Nuk më fliste më si më parë. Nuk më takonte me të njëjtën dëshirë dhe ndonjëherë kur e përcillja deri tek autobusi, ajo mezi priste të ikte sapo në horizontin e largët të natës shfaqeshin dritat e kuqaloshit. E vështroja tek strukej diku mes njerëzve dhe ndjeja se doja të vdisja nga xhelozia, teksa mendoja supet e njerëzve të panjohur që preknin shpinën e saj. Zhdukej si engjëll mes atij ferri me njerëz të panjohur që më ngjanin si djaj. Sa e bukur ishte, sa e pafajshme edhe pse fshihte diçka në këtë pafajshmëri. Mes syve, në qerpikët e gjatë apo nën gushën e bardhë fshihte diçka që pabesisht më kujtonte braktisjen, frikën e madhe që më mbështillte sa herë largohej nga unë. E teksa zhdukej me kokën ulur, si një copë parajse mes atij ferri plot dyshimë dhe armiqësi, mua më linte aty si një monument pa fytyrë, plot me dilema duke imagjinuar braktisjen e trishtë, atë që po vriste të tashmen. Pastaj ulesha në ndonjë kafene që rrinte hapur deri vonë dhe pija alkool të lirë deri në mesnatë. Çohesha nga aty vetëm pasi kisha pirë mirë e mirë dhe sapo arrija në stacion plandosesha në karrigen prej hekuri, që ishte vënë për të pritur udhëtarët. Ajo flinte në atë orë, ndërkohë unë prisja urbanin e fundit që shpesh qëllonte të mos vinte.

Nata ime nuk ishte më e njëjtë si e saja. Ajo nuk e njihte ndjesinë e të gjendurit i vetmuar në një shesh të stërmadh në orët e vona të pasmesnatës. Jeta e saj kufizohej me njerëz dhe objekte, dhoma të ngrohta që ndriçoheshin nga abazhurë shumëngjyrësh, ndërsa e imja me hapësira të ftohta dhe të paana. Shpesh më ndodhte që nën efektin e alkoolit ta ndjeja të largët lidhjen time me botën dhe zhytesha në dëshpërim, i pafuqishëm për t’u përshatur me rregullat absurde të të jetuarit brenda kornizave, që më ngjanin sikur do ma merrnin frymën.

Çfarë po ndodhte me mua vallë, pyesja veten dhe ngrija sytë drejt qiellit që të ndjeja dashurinë dhe madhështinë e Tij. Ngrohtësine e yjeve të shndritshme si zjarre të ndezura në atë largësi të pamatë. Ndjeja të ftohtin e hidhur që përhapej brenda meje e rrëzohej sapo binte në kontakt me nxehtësinë e alkoolit. Po Nino, babi yt ato kohë ishte një i alkoolizuar dhe kjo jo për shkak të mamit tend, po për shkak të paaftësisë time për të dashuruar. Fundi erdhi atë çast kur unë godita mamin tënd në fytyrë. Më tha se kishte qenë shtatëzënë me ty Nino, dhe se kishte abortuar pasi jeta me mua kishte qenë e pasigurt. Të kishte vrarë ty Nino, birin tim.

Nuk e kuptova asnjëherë se çfarë e shtyu ta bënte dhe se ku përfundoi dashuria jonë. Ajo që na merrte në krahë me orë të tëra e që na përplaste honeve të thella të lumturisë. Asgjë s’kuptova Nino, vetëm se ajo të kishte vrarë ty, birin tim, që për tre muaj kishte jetuar në barkun e asaj që unë e doja kaq shumë dhe e puthja kaq herë. Tashmë kishte marrë fund. Ti nuk ekzistoje më, kishe përfunduar në lavamanët e ndonjë klinike abortesh ilegale. Mami yt dhe unë nuk ekzistonim më për njëri-tjetrin e kështu unë, yt atë iu ktheva jetës sime të mëparshme duke shtyrë ditët njëra pas tjetrës në humbëtirë. Mami yt u zhduk dhe nuk e pashë më deri në atë ditë kur e takova rastësisht.

Të kërkoj ndjesë bir, por unë ende vazhdoja ta doja si më parë edhe pse ajo të kishte vrarë ty, birin tonë. Por e doja dreqin, e doja fort. Ajo nuk më donte më përderisa ishte fejuar me dikë tjetër dy muaj pasi u nda nga unë. Ajo na mashtroi Nino, mua dhe ty, birin tim të palindur, dhe babain tënd që s’të njohu kurrë.

Nino të dua, edhe pse nuk njihemi, në jetën tënde të shkurtër në venat tua të holla dhe të brishta ka rrjedhur gjaku im. Nino, mbase një ditë do shihemi, por të lutem mos e urre mamin. Ajo kishte të drejtë. Nuk kishte siguri me një dështak si unë dhe ti Nino do kishe vuajtur shumë me një baba si unë. Por duhet të dish se unë të dua Nino, dhe se për shumë kohë kisha imagjinuar portretin tënd. Ngjyrën e syve apo dhe këmbët e vogla, teksa hidhje hapat e parë. Por ti tani nuk je më dhe unë veç sa tretem në kujtime të hamendësuara.

E vrazhdë gjithçka Nino, i vrazhdë dhe unë. Vetëm kujtimet zbuten me kohën dhe ndodhitë që fabrikohen në mendjen e shëmbëlltyrën tonë. Unë s’do të harroj kurrë Nino dhe ti nëse ndonjëherë vjen në jetë, “Mos harro të më kujtosh”. Vetëm ti je mrekullia e palindur, e pangjyer në ndyrësitë e botës.

Titulli i autorit: Letër e munguar për Ninon


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.