KULTURË

Asimilimi i shqiptarëve, domethënia e vizitës së Papës në Maqedoni

14:30 - 14.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dom Nikë Ukgjini – Pas vizitave, kohët e fundit, të Papa Françeskut në Emiratet e Bashkuara Arabe, më 4 mars 2019 dhe Mbretërinë e Marokut, më 30 – 31 mars, tani vëmendja e Selisë së Shenjtë është përqendruar në Ballkan, pikërisht në vizitën e Papës në Bullgari, më 5-6 maj dhe më 7 maj në Maqedoninë Veriore. Papa Françesko ndërmori këtë turne ballkanik, si falënderim ndaj Zotit që hap rrugët e paqes dhe miqësisë, për të cilat sot kanë shumë nevojë shtetet ballkanike, por njëherazi për të na rikthye në vëmendje, se Thrakia dhe Dardania, ishin pellgu nga gjeneroi dhe gjallëroi krishterimi si qytetërim, në të gjithë Evropën e sotme. Eterit kishtarë në shekullin II na dëshmojnë se Krishterimi hodhi rrënjët në trevat e Ilirisë që në kohen e Krishtit nga vetë Shën Pali, duke kaluar nga Jerusalemi në Epirin e Ri (Durrës) në rrugën “Via Egnatia”, për në Romë. Shën Andrea predikoi në Epirin e Vjetër, Shën Luka në Dalmaci dhe Shën Matia në Dardani, për të cilën jemi duke bërë fjalë. Si kudo, edhe këto vatra të krishterimit u bënë qendrat qytetare ku i ngritën bashkësitë e para fetare e kulturore. Me përsosjen e organizimit kishtar, në qytetet kryesore më të mëdha e më të vjetra u krijuan peshkopatat që e shtrinin juridiksionin e tyre në gjitha krahinat e Ilirisë.




Dardania ilire ishte njëra ndër krahinat më të mëdha e më të zhvilluara në fushën e prodhimeve të ndryshme si dhe pasurive nëntokësore. Ajo si e tillë kishte qytete të zhvilluara dhe të njohura si: Sardikën, Naissus (Nishin), vendlindja Konstantinit të Madh (306-337), i cili legalizoi në vitin 313 Krishterimin në Perandorinë Romake; Remesianën, ku veproi ipeshkvi, Shën Niketa (340-414), i cili kompozoi himnin e Krishterimit botëror, “Te Deum” (Ty Hyj të Lavdërojmë); Ulpianën nga dolën martirët e parë të Krishterimit, Flori dhe Lauri në kohën e mretit Hardian (117-138) dhe Shkupin, si kryeqytet dhe vendlindja e Justinianit të Parë (527-565), i cili njihet si reformatori më i rëndësishëm i Perandorisë Bizantine. Por, Krishterimi i Dardanisë ilire, si vend i lakmueshëm zhvillimor, gjatë viteve pati shkatërrime të mëdha nga hordhitë pushtuese: sllave, bullgare, bizantine. Ajo pësoi dëmtime dhe nga grindjet juridike e doktrinare që zhvilloheshin në mes Romës e Konstantinopolit, filluar që nga koha e skizmës Akacije (484), lëvizjeve ikonoklaste (730) e deri të ndarja përfundimtare e dy kishave në vitin 1054, kur dioqezat e Dardanisë dyzoheshin në mes Lindjes dhe Perëndimit. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e dioqezave kishtare të Dardanisë i mbeten besnik papatit deri në shekullin XIV.
Kisha katolike në Dardani, edhe përkundrejt vështirësive, presioneve, luftërave të pandashme, që zhvilloheshin për nënshtrimin e saj, nga bullgarët, bizantinët dhe nga fillimi i shekulli XII, me serbët, megjithëse e goditur rëndë, do të vazhdonte ta ruante vazhdimësinë e mëparshme të ndritur, duke qëndruar e lidhur shpirtërisht dhe juridikisht më Romën.


Duke filluar nga viti 1219, në Dardani, përballë trysnive të sllavo-ortodoksizmit për përvetësimin e kishave romake, sipas dokumenteve, dëshmohet prania e kishave katolike arbërore, në Shkup, Tetovë, Prizren, Graçanicë, Trepçë, Novobërdë etj., në të cilat kultivohej gjuha shqipe. Për prezencën e elementit arbëror në këtë trevë, flet shumë qartë shkrimtari bizantin i Atalietes, kah fundi i shek. XI, duke u shprehur së albanët janë latinë, që do të thotë të ritit romak.
Situata në Dardani ndryshoi mënyrë drastike me shpalljen e ligjit të Car Dushanit “Kodi i Dushanit” në vitin 1349 në Shkup, me anë të cili u nxit një armiqësi e madhe ndaj kishës katolike dhe arbërorëve në përgjithësi. Më këtë rast pothuajse të gjitha kishat dhe manastiret katolike u përvetësuan, duke i shndërruar në Kisha dhe manastire ortodokse sllave dhe popullata arbërore asimilohej ditë për ditë. Ardhja e pushtuesve turq në Ballkan ndryshoi gjeopolitikën edhe në trevat arbërore si dhe hapësirën e Dardanisë. Ajo çfarë nuk u arrit të shkatërrohej nga mbreti Dushani, u zbatua nga turqit aziatikë, kur pas një qëndrese prej më tepër së njëqind vjetësh, tokat shqiptare në fillimet e shek. XVI u përfshinë tërësisht në sundimin e këtij pushteti shkatërrues për pesë shekuj me radhë.

Turqit rrënuan shumë kisha katolike deri në themel, të tjerat i tjetërsuan dhe ipeshkvinjtë latinë përndiqeshin duke ua ndaluar të udhëhiqnin grigjën nga selitë e veta siç ishin: Shkupi, Ohri e Prizreni, por ata duhej të vepronin nga fshatrat e vendet malore për rreth e qark dioqezave. Këto masa dhe të tjerat ndëshkuese sollën edhe islamizimin e arbërorëve të Dardanisë së dikurshme, duke arritur në shek. XVIII të islamizoheshin në masën deri në 90% të tyre. Politika perandorake në qarqet ndërkombëtare masën e islamizuar e ka paraqitur si turke, pjesën katolike si latine, ndërsa atë ortodokse si greke.
Si pasojë e trysnive turke, me vdekjen e Andre Bogdanit, në vitin 1656, u shua përfundimisht kryedioqeza e katolike e Ohrit, ku që më herët pjesa më e madhe e besimtarëve kishte kaluar në Kishën Ortodokse. Dhe si fanar e ruajtjes së traditës të Kishës romake dhe identitetit kombëtar, tani e vetme kishte mbetur kryedioqeza e Shkupit, e cila administronte katolikët në “Serbinë e vjetër” të emërtuar kështu nga Car Dushani, dhe një pjesë të Bullgarisë. Po kështu, nga përndjekjet e turke, ndihmuar nga kisha serbe, ipeshkvijtë e kësaj kryedioqeze nuk mund të qëndronin për të ushtruar detyrat e tyre baritore nga selia e Shkupit, por e bënin nga famullitë e ndryshme si: Hasi, Janjeva, Gjakova, Prokupje e gjetiu.

Sipas relacionit të Kuvendit të Arbrit, i mbajtur në Merqi të Lezhës në vitin 1703, e ku Papa Albani – Klementi XI, i pat bashkuar përfaqësuesit e të gjitha trevave arbërore, Kryedioqeza e Shkupit kishte rënë në minimumin e saj, duke pasur 6 famulli, më 770 shtëpi dhe 5.296 besimtarë katolikë. Më këtë rast ajo administronte edhe 2.061 katolikë në Bullgari.
Në përballjet shumëshekullore me pushtuesit turq e serbë, në ruajtjen e historisë dhe traditës dardane, qëndruan stoikisht prelatët e shquar të kishës katolike si: Imzot Pjetër Budi, poet e përkthyes i “Doktrinës së Krishtenë”, në vitin 1618; Imzot Pjetër Bogdani, autor e “Çetës së Profetëve”, 1698; Imzot Gjon Nikollë Kazazi, letrar, zbulues i “Mesharit” të Buzukut, 1740, në Romë dhe shkrues në shqip i librit, “Doktrina e Krishtene” 1743; Imzot Andre Llogoreci, 1887-1901, përkthyes dhe organizator i rihapjes së disa shkollave shqip, në Shkup, Gjakovë e Prizren; Imzot Lazër Mjeda, 1909, nxitës i përhapjes i kulturës shqiptare në këto treva dhe luftëtar i paepur në ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë etnike, gjatë luftës Ballkanike e tjerë.

Në kohën kur po shkatërrohej Perandoria osmane, sidoqoftë evidentohet së kishte mbijetuar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në Maqedoninë e sotme. Sipas statistikës turke të vitit 1908, në Maqedoninë e Veriut jetonin 341.639 shqiptarë. Ndërsa pas krijimit të Mbretërinë Serbe – Kroate – Sllovene, më 1 dhjetor 1918, llogariten së në Maqedoni, e cila quhej Banovina e Vardarit, në vitin 1921 jetonin 28.4% të shqiptarëve. Ndërsa shqiptarë të besimit katolik në Maqedoni e Kosovë, për të cilët përkujdesej kryedioqeza e Shkupit, ishin 30.336. Mbas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, situata kishtare mori një kaheje tjetër. Për shkak të rrethanave politike, dioqeza e Shkupit më 25 maj të vitit 2000, qe shkëputur nga dioqeza Prizrenit, me të cilën ka bashkëvepruar nga viti 1969, duke vepruar tani secila për llogari të vet. Shkupi, vendlindja e nobelistës shqiptare, Nënë Terezës, tani kishte mbetur me 6.320 besimtarë, nga të cilët pjesa më e madhe janë katolikë të ritit bizantin, që mbahen si maqedonas apo bullgarë dhe 2.000 prej tyre janë shqiptarë të përqendruar në Shkup, të cilët për çdo ditë janë duke u asimiluar.

Sot Maqedonia e Veriut, sipas statistikave të Eurostatit të vitit 2016, ka 25.2% ose 600.000 shqiptarë. Ndërsa të dhënat nga terreni flasin për një shifër deri në 30-35%. Sidoqoftë, në krahasim më vuajtjet e pa masë, si: shpërngulja në Turqi më 1938 dhe 1953, diskriminimi në forma të ndryshme që i ka shoqëruar shqiptarët në të kaluarën nën regjimin sllavo-ortodoks, sot mbetet prezent një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në këtë republikë.

Sot duke pasur parasysh ndryshimet nacionale, politike e ekonomike etj., në këtë pjesë të Ballkanit, të gjitha analizat serioze janë të një mendimi se, edhe përkundrejt gjendjes me gotën gjysmë të zbrazur në aspektin shpirtëror, moral, mendor, ekonomik, në të cilën gjendemi, ky gjysmëshekull konsiderohet se është në favor të shqiptarëve. Në këtë vështrim, vizita në Maqedoninë e Veriut e Papa Françeskut, i cili personifikon shtetin sipas modelit “De Civitatis Dei” (shteti i Hyjit), të Shën Agustinit, është edhe një ditë e jona, kur të gjithë pa dallime, më 7 maj të këtij viti, të organizuar nga të gjitha trevat, duhet të nisemi drejt Shkupit, në shenjë vlerësimi e nderimi për çfarë ka bërë Selia e Shenjtë në të kaluarën për ne shqiptarët.
Po kështu, vizita e Papës në Maqedoninë Veriore ka për qellim të hapë rrugët e paqes dhe miqësisë në këtë vend tejskajshëm të përgjakur gjatë tërë historisë, në dyzimet mes Lindjes e Perëndimit. Për ne shqiptarët është edhe momenti, kur Papati na ofron si në Kuvendin e Arbrit, qoftë edhe në aspektin shpirtëror, ngjitjen e fijes së shkëputur, e cila ndodhi në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, kur trojet tona u qenë shpërndarë shteteve fqinje padrejtësisht.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.