MILOSAO

Poezi nga Aleksandër Çipa

13:00 - 14.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Publicisti i njohur vjen me këtë cikël poetik që i dedikohet ndjesive të tij, të lidhura ngushtë me vendlindjen dhe me të gjithë shtratin e vet mitik në një rregjistër gati burimor. Autori mundohet të vendosë një barazpeshë të këtyre ndjesive në poezinë e ardhur për publikun në vëllimin e tij më të ri poetik…




Nga Aleksandër Çipa

Avull në brymë
Nuk u ngri moti, por trungjet e drurëve
u veshën me brymë dhe akull për më tepër,
të mos të ndiejnë se si pëshpërima
bëhet fjala e jetës, mes nesh, dhe jo tjetër.
Nuk ndërruan qiejt e as Hëna nuk ndroi,
bëri atë rrugë që mijëra vjet ka bërë.
Në gjithë këtë ngricë, fryma jonë e përbashkët
është avull që ngroh një frut të parënë.
Ky dimër që shkon dhe në mall na ka lënë,
e shton ngricën, të ftohtën e mbajti.
Në akull të tij edhe ti edhe unë,
përcollëm dhjetorin dhe janari na zgjati.
E shkelëm këtë mot me diell dhe ngricë
me shpirtin dhe gazin puplor dhe peshues.
Në ditët e tij u ndjemë aq ngrohtë,
ne mbetëm në avull, veç dimri u bë shkues.
Motin ku ne ndiemë se shpirti na vloi
në stinën me avull që kish kohën gjithë brymë.
I donim pemët të flinin nën akull
se fryma e pyllit mbars gjethet në një stinë.
Nuk u ngri moti, por trungjet e drurëve
u veshën me brymë dhe akull, për më tepër
Që të mos ndienin se pëshpërima jonë,
jetës së frymtë po i shtonte fletët.

E paqtë
E paqtë ti shkon me hap të lehtë,
Këtu ku jam rrëmujë më le.
Ta lehtësoj mungesën tënde,
Nga vetja ime po të nxjer.
Nuk themi më: si ish e ngjau?
Ta fshijmë prej vetes çka nuk bën vend.
“Për të gënjyer kohën, duku sipas kohës”,
Kjo thënie e Shekspirit më sillet në mend.
Unë mbeta fluger në rrëmujë
e paqtë në rrugën tënde ti ike
Me ty dashuria ka një vendlindje gjithnjë,
Sikurse mendimi në Athinën antike.

Aksidentin me ty
e ndan një puthje
Sa herë në udhëtime ti më përmend rrezikun,
Se shpejtësia për mua është adhurim i vjetër
Unë kam tekën dhe ti këshillën,
kalojmë një rrezik dhe presim një tjetër
Nesër, së bashku do të kryejmë një rrugë
Do të shkojmë diku,
do të ndalim më tutje.

Aksidentin me ty e ndan një puthje.

 

Prit, thotë Natyra
Prit, më tha pema, se nuk kam shterrur rrathët,
Gjethet e rëna, janë flijim për rizgjimin,
Në kurorën time ka rritje padukja,
Dhe këngë e përhershme është gjelbërimi.
Prit, më tha lumi që kurrë s’e ndali ujin,
Po imazh i kahershëm i rrjedhjes mbeti.
Në brigje të tij u lanë përherë gurët,
Ikja, silueta e mirazhe m’i derdhi.
Prit, më tha mali, se po më ikën dëbora,
Sa pak po më shfaqet viteve të fundit,
Kam vizitore më shpesh vetëtimat,
Dhe zërat e mjegullës janë heshtja dhe mundi.
Prit, më tha deti, se të gjitha pritjet,
kanë pikëtakimi me mua, prej ujit.
Unë heshta ndanë tij, i përkohshëm i frymtë,
E di që durimi rron e vdes prej unit.

Për shpirtin je fe

Gjenevë 2015
Në kupën e qiellit rri butë një re
As e pi kush dhe askund nuk bie
Në qiell kalimtar për Tokën bëj be
Aty ku gjendesh dhe për shpirtin je fe.

Pjerrinës qiellore si udhëtar rrëshqas
Ke humbur në sy, në mendje bëj gaz.
Ku gjendesh e di, me veten po flas.
Shkoj larg, kaq larg, dhe mbetem aty, pas.

Në fushën e qiellit u tret dhe një re,
Siç humbi silueta jote atje.
Në qiej udhëtari të njëtrajtshmen sheh.
Dhe ngjet që një zonjë në Tokë e ka fe.

 

Në tel të nëntë si Orfeu
Do të vdesë si asgjë edhe kjo brengë që gëlltis
kjo dhimbje do të rreshtë dhe për t’u thënë s’do kem mundësi.
Të dyja janë një dhe të dyja do të shkojnë askund,
në thellësitë e panjohshme të shpirtit tim të përkohshëm.
Kam pasur kaq ditëbukura, në këtë jetë paqetësi,
të gjitha më duhen e i dua paharrim, por
s’di ç’do të ngjasë me të ardhmet e pritshme?!
Pasi në të afërtat ditë, ti s’ke më asnjë kuptim.
Një portë përjetimesh po më mbyllet pas shpine
para syve një portë të panjohurash kam,
e kam hapin më të ngathët dhe në dobësi të syve
me horizontin, mbulime mjegullash ndajmë.
Do të vdesë si asgjë kjo e sotme e përbashkët,
në kudhër kujtimi po e fus distancën e nisur.
Mentor i mërzive në qëndroftë shpirti, elegjinë
në tel të nëntë të lirës, si Orfeu ta kam lidhur.

Më tha një gur…
(Sipas ngasjes nga Ali Podrimja)
Më tha një gur në Akrokeraune:-
Njerëzit dhe vetëtimat nuk janë kujtesa ime!
As deti nuk ka histori për dallgët e veta,
më tha guri-shkëmb,
në Male të Vetëtimës…
Më thotë ai gur dhe kur iki larg:
Do të lagem dot si rëra e të djeg si zalli.
Se detin era e madhe e tund,
jo nga thellësia, po nga dallga përmbi.
Dhe pastaj lëvizjet…janë histori,
Pavarësisht nga njerëzit dhe nga vetëtimat…
Më thotë ai gur
në Male të Vetëtimës…!

Im At ka një hall për qiejt
Me qindra cigare ndez e sulmon mushkëritë,
Dhe qiejve u jep sinjale me tymin.
Ka kohë që sytë i janë strukur
Nën lëkurën e lodhur të fytyrës,
Si në zgafellë shkëmbinjsh ende fsheh,
Metafora manushaqesh të shpirtit.
Nën këmbët e tij është deti,
Gjiri magjik i Himarës, monofonia tjetër.
Po sytë tek malet i ngre, ka aq subjekte…
Dhe heshtjen e ngjall si baladë të vjetër.

Ka një hall për qiejt e pafundëm
ku çdo e përkohshme si e përhershme rri!

Im At ka një hall për qiejt…në sy…

Rrugës Llogara-Himarë
Deti është vetëm dhe unë jam në rrugë.
Si hala më shpojnë mungesat që s’rreshtin.
Jam nisur në Himarë të gjej tim Atë,
Homerik i parënë, bard që s’humb vreshtin.
Shkel brigjet me vrull, zog i pastinë,
Mbërrita kaq shpejt te zall i Çezarit.
Të gjitha historitë i bëra stivë,
Homerit a Odiseut t’i flas të parit?
Zalli dhe rëra qysh në zanafillë,
Janë triumfi mbi Detin dhe dallgët plaka.
Aty ku zgjohen gjithë metaforat antike,
Shfaqen e shuhen ngjyrat e rralla.
S’ka mite që lindin dhe mite që vdesin,
Në brigjet e vjetra të visit Himarë.
Aty veç derdhen në gjenerata zënkat,
Pë atë që s’kthehet dhe atë që s’është marrë.
Në ecje më zunë ca tinguj kambanash,
Një meshë e kaltër s’e di ç’frymë jep,
Në visin homerik të kohës sime,
Ka përherë grimca për libër të shenjtë.

Deti nuk ka portë
Për tek deti mos kërko portë,
ku mund të hysh si në shtëpi.
Dallga kurrë nuk është një shkallë,
As ngjitesh, as zbret në thellësi.
As oborr si tek shtëpia nuk ka,
Trokitja nuk vlen për të hyrë.
Deti është botë e ujtë para nesh,
Ka shije të kriptën, shijon zanafillë.
Tek rëra e paktë, ku shkel këmba,
Janë guaska e gurë të lëmuar,
I formësoi Koha ndër kohë,
Perëndi e tokës s’pat duar!
S’pati duar t’i mbledhë të gjitha,
Nga koha homerike e këtej.
Po këngë e stërkalave në breg,
S’do mundë më zhurmat t’i kthejë.
Tek Deti s’ka portë për të hyrë,
Të futesh ku fryma nuk mban.
vetëtroket mbi tokën si zemër,
dhe dallgën e shpërndan në çdo anë.
Deti nuk ka portë ku të hysh…

 

Dyshoj si i verbër
Bota është një, e re dhe e vjetër,
Fetë iluzivisht na përshkruajnë një tjetër.
Fetarisht po ta shpreh dyshimin e egër:
Të besoj verbërisht, por
Dyshoj si i verbër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.