MILOSAO

Rudina Proda rivjen e institucionalizuar me një album jetësor

13:50 - 14.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Ky album i fundit, që i është dedikuar piktores Rudina Proda, është institucionalizimi i krejt veprimtarisë së saj për shumë vite. Familja e saj, streha, e cila jo vetëm e ka ruajtur por edhe e mbrujti artin e saj, është frymëzuesja dhe angazhuesja e një projekti që është tejet mbresëlënës, e në një farë mënyre fryt i një pune kushtuar një individi me cilësi shumë të veçanta që duhet vlerësuar. Pa u futur akoma në shpjegimin e tij, një homazh i madh i duhet bërë kësaj familje, si shembull për raste të ngjashme por edhe për përballjen me realitetet e sotme të jetës, ku ka humbur humanizmi dhe mbi të gjitha sakrifica në vazhdë të idealeve. Të dedikuar jo thjesht ndaj një familjari të tyre të veçantë dhe me talent gati të bekuar, por të fokusuar drejt një qëllimi që ka bërë punë të madhe gati me angazhimin e një institucioni. Familja Proda është shembulli i një vetëmohimi, në funksion të nxjerrjes pah së vlerave të vajzës së tyre, që tashmë i ka lënë veten një emër të mirë në komunitetin artistik shqiptar.




Rudina Proda është një vajzë me cilësi speciale, nga ato të tillat, që shumë prej familjeve të cilat i kanë këto problematika, në pamundësi i konsiderojnë si halle. Qysh kur e kanë dalluar këtë cilësi të saj, ata kanë mbrujtur aftësitë e saj në pikturë dhe arritën të dhurojnë për artin shqiptar një zë, që percepton në kushte shumë të jashtëzakonshme. Për vlerësimin e Rudinës gjithmonë një kritik duhet të veshi dhe robën e përbashkët të sociologut dhe psikologut për të treguar e shpjeguar një rast pothuaj unikal sesi një artist, që nuk ka mundësi socializimi të zakonshëm të perceptojë dhe të krijojë në këto lartësi. “Ka një cilësi të rrallë, që ajo hulumton çdo gjë dhe për çdo moment ajo është në kërkim të atyre gjërave që neve pak i konsiderojmë”, thotë i ati i saj. Alkimia që prodhohet në trurin e saj pastaj sjell gjëra të jashtëzakonshme duke sjellë krijime shumë të arrira ku fuqia e ngjyrës lidhet me abstragime të formës, që vinë natyrshëm në mendjen e saj. Si një nga përfaqësuesit autikë, Rudina nuk mund të konsiderohet më si fëmija me fat apo artistja e përkëdhelur. Edhe pse për raste të ngjashme ka manuale pa fund, ka libra dhe protokolle sjelljesh, por çdo rast i tyre, sidomos elementëve që kanë cilësi artistike përbën sfida të veçanta. Dhe, Rudina e ka fituar qytetarinë dhe veçantinë në këtë komunitet me punët që prodhon dhe një rendiment, i cili i tejkalon normat e zakonshme.

Rudina është një individ që ka marrë dhe e ka ndërprerë disa arsimimin, por që falë këmbënguljes ka arritur të përshtatet. Tashmë, duhet vlerësuar gjykimi dhe zgjidhja e prindërve të saj që arritën ta kanalizonin 30 vite më parë drejt pikturës dhe ndihma e parë e piktorit udhëheqës Bashkim Dervishi. Ky i fundit e disiplinoi brenda hapësirës dydimensionale të telajos, ku dimensionin e tretë vajza e shtoi me përfytyrimet dhe realizimet e saj. Prindërit kapën momentin dhe i dedikuan bashkë me jetën e tyre dhe një studio, ku ajo krijon sot e kësaj dite. Sot, Rudina mund të numërojë me mijëra punë, kurse kritikëve vendas dhe të huaj i bëri që të gjykojnë për botën e këtyre njerëzve me cilësi të veçanta, e me një ndjeshmëri të rrallë. Teknikat e saj janë të larmishme dhe vajza përdor lapsin, stilolapsin, lapsa me ngjyra, grafit, akuarel, tempera, tush kinez, guash, pastel, akrilik, vaj, kurse baza që mbështet është bezja, kartoni, letër, dru, letër alumini, qelq, etj.
Shkrimi që nuk ka për qëllim të bëjë kronologji të punëve të saj do të shtojë se pikturat e Rudinës janë shpërndarë dhe u ekspozuan Kosovë, Bullgari, Bosnje-Hercegovinë, Danimarkë, Estoni, Hungari, Itali, Irlandë, Francë, Zvicër, Finlandë, Poloni, Kroaci, Slloveni, Greqi, kurse asaj i janë kushtuar 30 çmime, diploma, certifikata, dhe vlerësime nga kritikët.

Para këtij albumi jetësor ku duket se është bërë një përmbledhje e arrirë dhe një koncentrim i gjashtë albumeve të mëparshëm, punët e saj gjejnë tashmë vend në galeri e ekspozita private ne Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Serbi, Itali, Slloveni, Greqi, Bullgari, Zvicër, France, Kroaci, Luksemburg, Gjermani, Estoni, Letoni, Finlande, Suedi, Rusi, Kinë etj.

Në rastin e saj duket se edhe shkenca nuk mund të thotë më shumë: pasi puna e saj e jashtëzakonshme ka qenë një lloj mediumi, ku njerëzit njohin imagjinatën e një njeriu me të cilin nuk komunikojnë, regëtimat e shpirtit të një qënie tejet të ndjeshme, por edhe një lloj instikti artistik, që falë saj ne e kemi si të gjallë në krijimet e veta, e që shërbejnë si një aparat regjistrues i impulseve të jashtëzakonshme artistike. Bukuria e të gjithë punës së saj është vlerësimi që ajo gëzon dhe sot paraqitet si një nga artistët me një aftësi për ta veçuar dhe për ta paraqitur ashtu si është përballë nesh.

Rudina nuk është më fenomen, ajo është një realitet që na është imponuar me formën dhe mënyrën sesi e administron kompozicionin dhe ngjyrën, kurse për kritikë shumë finë punët e saj paraqesin një mistikë që e prodhon instikti dhe që ajo di ta përcjellë me artin e vet brenda hapësirës dy dimensionale, por që i vendos regjistrat e duhura të ngjyrave dhe mënyrën sesi përcjell qenien humane. Rudina me këtë album kapi një stad institucional të artit të saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.