Intervista

12 pikë larg Kukësit, Olsi Rama: Nuk urohet ditëlindja para se të vijë dita, ja çfarë më tha Gjici

12:46 - 15.04.19 alma
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, foli në një prononcim për mediat pas Asamblesë të Përgjithshme ku analizoi ecurinë e të kuqve në këtë sezon.




Edhe pse 12 pikë larg nga Kukësi, Rama nuk e sheh të mbyllur përfundimisht çështjen e titullit. Drejtuesi i Partizanit zbuloi edhe një bisedë të shkurtër me presidentin Gjici, ku nuk munguan as batutat.

12 pikë larg Kukësit, t’iu urojmë për titullin kampion apo e kini për ters?

Nuk është çështje e të pasurit gjë për ters. Është si puna e asaj nuk urohet ditëlindja para se të vijë dita. Edhe ne e dimë që kemi edhe 7 javë të tjera. Janë akoma në lojë edhe 21 pikë. Ka akoma goxha punë. Më pëlqeu një deklaratë e trajnerit që tha klubi kërkon rezultatet unë kërkoj gjithmonë 3 pikëshin. Për Partizanin e rëndësishme është të përformojë në çdo ndeshje të japë maksimumin. Mundësisht të arrijë objektivin sa më shpejtë të jetë e mundur.

Çerek shekulli pritje, keni bërë ndonjë përgatitje për festën?

Jo, jo! Nuk kemi bërë asnjë përgatitje.

Çfarë ishte e veçantë këtë vit për Partizanin?

Besoj se është disiplina, respekti i ndërsjelltë midis strukturave të klubit dhe lojtarëve dhe stafit teknik. Rregulli i vënë në skuadër, dëshira e djemve që bënë një grup të mrekullueshëm për të punuar. Qetësia që kanë pasur ata në vetëdijen e tyre se janë një grup i fortë dhe se rezultatet do të vijnë.

Detyra ime është të jem i kujdesshëm në çdo moment dhe për të mbajtur sa më larg euforinë, e cila ndonjëherë ndihmon, por në pjesën më të madhe të rasteve dëmton.

Patët një bisedë me Gjicin, ju uroi për titullin me qenë se është dhe rivali më i afërt?

Jo! Gjici më tha se kampionati nuk ka mbaruar. Unë i thashë ki kujdes vendin e dytë. Në kuadrin e shakasë.

Çfarë kishte të veçantë Asambleja?

Nuk e di është Asambleja ime e parë, nuk mund të them çfarë kishte të veçantë.

Prisni që Liga Profesioniste të jetë gati vitin e ardhshëm?

Jam “partizani” i Ligës dhe pretendoj që të marrë shumë më tepër përsipër dhe të bëjë diferencën. Të krijojë një produkt më të qëndrueshëm.

I druheni një rënie të skuadrës javën e fundit?

Le të vijë njëherë siguria matematike, pastaj të mendojmë për të gjithë gjerat e tjera. Ne kemi një ekip me 25 lojtarë. Në qoftë se do të vijë ajo siguria matematike, ne do t’iu japim hapësirë lojtarëve të tjerë.

Çfarë objektivash keni në Europë?

Nuk kemi vendosur objektiva. Sigurisht që rritja cilësore e ekipit të bën që ta ngresh stekën. Për ne e rëndësishme është që ta ruajmë këtë integritet dhe të përmirësohemi me elementë akoma më cilësore./ Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.