Kryesore

Në kushte mizore, ‘Daily Mail’ publikon skandalin: Shqipëria pengon largimin e luanëve jashtë vendit

12:29 - 15.04.19 Gazeta Shqiptare

Pas publikimit të kushteve të këqija në të cilat jetonin luanët në kopshtin zoologjik në Shqipëri, “Daily Mail” sërish ka rikthyer vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.



Këtë herë, media britanike denoncon publikisht çështjet burokratike që po pengojnë përgatitjen e dokumenteve për dërgimin e tre luanëve, Zhaku (12 vjeç) dhe djemve të tij Boby dhe Lenci (8 vjeç) jashtë vendit,  për një jetë më të mirë.

Që nga muaji tetor, pas publikimit të skandalit në mediat e huaja, luanët u zhvendosën nga kopshti zoologjik privat në qytetin e Fierit, në kopshtin zoologjik të Tiranës.

Vetë ministri i Turizmit, Blendi Klosi, urdhëroi policinë që të ndërhynte dhe të lejonin shpëtimin e luanëve, së bashku me 10 kafshë të tjera që jetonin në kushte mizore.

Kafshëve të tjera iu gjetën mundësi strehimi, por luanët jetojnë ende në kopshtin zoologjik të Tiranës, në kushte jo të mira.

Ata janë të mbyllur në kafaze të vegjël, larg njëri-tjetrit dhe sipas veterinarëve në gjendje të rënduar psikologjike.

Organizata ndërkombëtare e bamirësisë së kafshëve, “Four Paws”, e cila mori përsipër shpëtimin e luanëve që tetorin e kaluar, i është dashur të braktisë dy përpjekje për largimin e luanëve jashtë Shqipërisë, vetëm sepse autoritetet po refuzojnë që të lëshojnë dokumentet e duhura.

“Kjo duhej të ishte një marrëveshje e përkohshme, derisa ne të mundnim të largonim  luanët nga Shqipëria në qendrën tonë në Holandë. Sapo të rimerrnin veten mjaftueshëm, ata do të shkonin në bazën tonë në Lionsrock në Afrikën e Jugut dhe do të kishin me shumë hapësirë”, u shpreh Ioana Dungler, drejtoreshë e “Four Paws”.

Dungler shtoi se organizata ka pasur një marrëdhënie të mirë me autoritetet shqiptare dhe nuk e kuptojnë se çfarë pengese ka tani.

“Luanët kanë nevojë për disa procedura të tjera mjekësore. Lenci ka probleme me syrin. Një nga kirurgët tanë e operoi dhe arriti të shpëtonte shikimin, por ai ka nevojë për monitorim të vazhdueshëm”, u shpreh ajo.

Sipas Dungler, kopshti zoologjik i Tiranës është duke bërë çmos, por nuk kanë kushtet e përshtatshme për luanët.

Ministria shqiptare e turizmit tha për “Daily Mail”, se luanët mund të mbahen në kafazet e tyre të vegjël deri në muajin shtator.

“Pronari i parë i tyre është duke kërkuar kompensim në gjykata për humbjen e biznesit. Ai nuk dëshiron që kafshët të kthehen, por derisa çështja gjyqësore të zgjidhet, luanët nuk mund të largohen nga vendi”, deklaroi një zëdhënëse për shtyp e ministrisë.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *