AKTUALITET

Opozita, një javë kohë për regjistrimin në zgjedhjet vendore

17:40 - 15.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kjo javë duhet të jetë intensive për kampet politike sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje për krizën që ka përfshirë vendin dhe për të bërë të mundur futjen e opozitës në zgjedhjet e ardhshme vendore të 30 qershorit. Kjo, pasi 21 prilli është afati i fundit brenda të cilit partitë politike kanë mundësi që të regjistrohen si subjekte zgjedhore për zgjedhjet për pushtetin vendor. Kodi Zgjedhor përcakton se regjistrimi i partive politike në KQZ duhet të bëhet 70 ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve, afat ky që përkon me datën 21 prill. Pra, që partitë politike të opozitës të regjistrohen fillimisht si subjekte zgjedhore dhe më pas edhe si koalicion, pa qenë e nevojshme që të shkelet ligjit, duhet që krizës politike t’i jepet zgjidhje brenda kësaj jave dhe që ato të paraqesin kërkesat në KQZ.




Mazhoranca
Pavarësisht vendosmërisë së opozitës për të qenë e bashkuar në vendimin e saj për të mos u futur në një palë zgjedhje me Ramën kryeministër dhe me këtë qeveri, mazhoranca në krahun tjetër ka vijuar gjatë këtyre javëve të tregohet e palëkundur në qëndrimin e saj për të shkuar në zgjedhjet lokale edhe pa opozitën. Këtë mesazh është përpjekur ta tregojë jo vetëm nëpërmjet deklaratave të njëpasnjëshme të drejtuesve të shumicës qeverise, por edhe nëpërmjet regjistrimit në KQZ thuajse të të gjitha partive që janë pjesë e koalicionit të majtë. Deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar plot 22 parti politike që kanë shprehur më parë dëshirën për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Bëhet fjalë për PS-në dhe aleatët e saj, si dhe të ndonjë forcë tjetër të dorës së tretë, që më parë ka qenë në koalicion me PD-në dhe tashmë është regjistruar në KQZ. Kështu veç PS-së, në KQZ është regjistruar edhe PSD-ja e Skënder Gjinushit, Partia Socialiste e Moderuar e Gjergj Kojës, Partia Unitetit Kombëtar e Idajet Beqirit. Ndërkohë, mungojnë ende në listën e partive të regjistruara edhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, apo Partia Socialiste e Vërtetë ’91 e Petro Koçit. Gjithsesi, burime nga PS-ja bëjnë me dije se edhe këto dy forca do të regjistrohen brenda këtij afati në KQZ për ta çuar kështu në 24 numrin e partive që kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Opozita
Ndërkohë që kampi tjetër politik, ai opozitar, deri më tani nuk ka pasur asnjë rrjedhje sa i përket regjistrimit në KQZ. Thuajse të gjitha partitë kryesore të këtij koalicioni nuk kanë paraqitur deri më tani asnjë interes ligjor për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve vendore, ndërsa kanë këmbëngulur se zgjedhje vendore me këtë qeveri dhe pa garancitë e nevojshme se vota nuk do të blihet ose vidhet nuk do të ketë. Ato sipas Kodit Zgjedhor kanë afat deri të dielën e ardhshme për të paraqitur kërkesat e tyre pranë KQZ-së, gjithmonë nëse do duhet të kemi një respektim të afateve ligjore. Gjithsesi, eksperienca e mëparshme ka treguar se afatet nuk janë shumë problem për politikën tonë, pasi në rast të një marrëveshjeje mes palëve, ky regjistrim mund të bëhet edhe më vonë. Rasti më i fundit i thyerjes së këtyre afateve ishte 2017-ta, ku në një krizë të ngjashme, të gjitha partitë e opozitës u regjistruan në tejkalim të afateve ligjore. Ndaj, nisur nga kjo përvojë, afati që përcakton Kodi Zgjedhor në këtë drejtim nuk është shumë problem. Por, duhet thënë se shkelja e këtij afati sjell si pasojë edhe shkeljen e të gjitha afateve të tjera, ku i pari në radhë është ai për regjistrimin e koalicioneve. Kujtojmë se brenda datës 1 maj në KQZ duhet të regjistrohen edhe koalicionet.

Lista e partive që janë regjistruar për zgjedhjet e 30 qershorit

1. Partia Socialiste e Shqipërisë
2. Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
3. Partia Bashkimi Demokrat Shqipta
4. Partia Ora e Shqipërisë
5. Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë
6. Partia Socialdemokrate e Shqipërisë
7. Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
8. Partia Ardhmëria Shqiptare
9. Partia Demokracia e Re Europiane
10. Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane
11. Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet
12. Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare
13. Partia e të Drejtave të Mohuara
14. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të
Shqipërisë
15. Partia Personat me Aftësi të Kufizuar
16. Partia Kombëtare Konservatore Albania
17. Partia e Emigracionit Shqiptar
18. Partia Socialiste e Moderuar
19. Partia e Unitetit Kombëtar
20. Partia Kristian Demokrate
21. Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë
22. Partinë e Gjelbër

Neni 64/ Regjistrimi i partive
politike në zgjedhje
1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u
regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Neni 65/
Regjistrimi i koalicioneve zgjedhore
1. Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si sub
jekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
2. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.