SHËNDET

Viktor Qereshniku: Kujdes, sëmundjet që shkaktojnë valët elektromagnetike

21:30 - 15.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në jetën tonë të përditshme, ne ndeshemi me valë të shumëllojshme, ndaj të cilave organizmi reagon në mënyra të ndryshme. Valët e detit zakonisht kanë një efekt relaksues mbi organizmi human, e kundërta ndodh me valët elektromagnetike. Përveç valëve të dritës, në shtëpitë tona hyjnë edhe valë të prodhuara artificialisht si nga stacionet e radios, televizorët, telefonat celulare, kompjuterat dhe të tjera. Të gjitha këto valë transmetojnë energji, secila në masë më të madhe apo më të vogël. Efekti i tyre mbi organizmin tonë është i ndryshëm (sepse janë valë me karakteristika të ndryshme).
Antenat e ripetitorëve të TV-së, radios dhe telefonave celularë, a janë të dëmshme?
Potenca e një ripetitori të telefonisë së lëvizeshme është shumë më e madhe se ajo e një celulari. Por, nëse telefoni celular do të vendoset anash kokës, kjo do të shkaktojë nxehtësi nga vetë aparati dhe praktikisht bëhet më e dëmshme se ajo e ripetitorit.
Problemi i elektromagnetizmit qëndron, sepse është një ndotje e “padukshme”, “nuk ka erë”, por që shkakton rrezatim elektromagnetik, veçanërisht të rëndë dhe të dëmshëm, duke rrezikuar për tumore, sidomos te fëmijët, dhe ky problem me ndërgjegje harrohet nga të gjithë, sepse të gjithë jemi përdorues të kësaj teknologjie (qoftë edhe duke përdorur celularin).
“Nëse zhvillimi ekonomik duhet të realizohet me fondet e Shëndetit Publik, kjo rrezikon që të fitohet diçka sot, duke shtuar shpenzimet socio-sanitare në të ardhmen, si pasojë e shtimit të rasteve të kancerit, çrregullimeve neurodegjenerative, infertilitetit, pagjumësisë, depresionit, alergjive dhe të gjitha problemeve të lidhura me radiofrekuencat”.
Shtimi i antenave të ripetitorëve të frekuencave, me të vërtetë që të bën të lidhesh më shpejt me internetin, televizorin, stacionet e radios dhe të tjera, por kjo mund të bëjë që të shtohet problemi i sëmundshmërisë. Këtë kanë nënvizuar presidentët e Agjencisë Rajonale për Ambientin dhe të Institutit të Lartë për Kërkimet Ambientale në Itali, në nëntor 2011. Studimet e viteve të fundit kanë vënë në dukje se valët e padukshme të spektrit elektromagnetik kanë një ndikim të thellë mbi çdo aspekt të rregullimit biologjik. Funksionet biologjike të organizmit tonë (të rrahurat e zemrës, funksionimi i trurit, reaksionet metabolike që ndodhin në çdo qelizë etj.), rregullohen nga rryma, pra ne jemi “qenie elektrike”.
Në botën e qytetëruar ne ndodhemi në një ekspozim të pandërprerë ndaj valëve elektromagnetike, që çlirohen nga pajisjet elektrike të përdorimit të përditshëm si frigoriferë, televizorë, telefona celulare, kompjuter, ‘Wi-Fi’ etj., dhe si pasojë detyrimisht që predispozohemi me pasojat shëndetësore të një lloji apo tjetri, nga veprimi i këtyre valëve.
Sipas dr. Ann Louise Gittleman, autore e librit “Zapped”, ne jemi të ekspozuar ndaj nivelit rrezatimit radioaktiv për 100 milionë herë më shumë se stërgjyshërit tanë.
Hulumtuesit në Institutin Kombëtar për Shëndetësi kanë zbuluar se thjesht vetëm mbajtja e një celulari aktiv afër kokës për 50 minuta prodhon ndryshime të dukshme në metabolizmin e trurit.
Raporti komplet është prezantuar së fundi nga prof. Girish Kumar i departamentit IIT të ‘Bombay’, të inxhinierisë elektrike. Kumar ka thelluar kërkimet e tij mbi rrezatimin e telefonisë celulare dhe efektet e saj. Është kundër përdorimit të shpeshtë të telefonave celulare, sepse u shkakton përdoruesve shtimin e riskut të kancerit, tumoreve të trurit dhe rreziqe të shumta të tjera për shëndetin. Për fëmijët, kjo është edhe më e shprehur.
“Wi-fi” (interneti pa fije) është një sistem që krijon fushë elektromegnetike me një frekuencë rreth 2400 megaherc, gati e barabartë me atë që organizmi absorbon edhe nga celulari.
Valët e emetuara nga telefonat celularë a shkaktojnë kancer?
Fjalë mbi këtë pyetje ka shumë, por pak mund të quhen informacione apo fakte minimalisht të kënaqshme. Paolo Vecchia në Institutin e Lartë të Shëndetit, Romë, ka krijuar klasifikimin e quajtur IARC për vlerësimin e aftësisë kancerogjene të fushave elektromagnetike.
Klasifikimi sipas IARC:
Agjent kancerogjen për njeriun.
a) Agjent probabilisht kancerogjen për njeriun.
b) Agjent i mundshëm kancerogjen për njeriun.
Agjent jo i klasifikueshëm persa i përket kancerogjenitetit te njeriu.
Agjent probabilisht jokancerogjen për njeriun.
IARC i ka klasifikuar fushat magnetike ELF si të mundshme kancerogjene për njeriun (Grupi 2B).
Efektet akute të shkaktuara nga cilado fushë radiofrekuence:
Absorbim të energjisë elektromagnetike.
Shpërndarje në formën e nxehtësisë.
Ngritje e temperaturës së përgjithshme apo lokale (efekti termik).
Shkenca mjekësore e konsideron si të tolerueshme një ngritje konstante të temperaturës deri në 1 gradë celsius, që korrespondon me një vlerë prej 4W/kg.
Efektet e tjera të valëve elektromagnetike:
Frekuencat elektromagnetike influencojnë mbi ADN-në, RNA-në dhe mbi sintezën e proteinave, duke çrregulluar formën dhe funksionin e proteinave dhe influencojnë mbi gjenet, në ndarjet dhe diferencimin qelizor, ne morfogjenezën (procesi me anë të të cilit qelizat duke u grumbulluar formojnë indet dhe organet), mbi sekrecionet hormonale si edhe mbi zhvillimin dhe funksionimin e sistemit nervor. Sasia e energjisë që celulari emeton varet nga modeli i aparatit, nga teknologjia, por mbi të gjitha nga distanca mes telefonit dhe antenës, apo ripetitorit (përsëritësit) të sinjalit. Sa më larg të jetë nga antena, aq më shumë duhet të rritet fuqia për të stabilizuar komunikimin, pra për të “pasur rrjet”. Po ashtu, kur telefoni gjendet brenda një strukture metalike, kjo mund të shërbejë si izoluese dhe energjia e emetuar të jetë më e madhe. Një rast konkret është ai i makinës, skeleti metalik i së cilës rrit energjinë e emetuar nga telefoni celular.




Çfarë mund të bëjmë që ta mbrojmë veten?

Të mos mbahet telefoni celular afër, nën jastëk, gjatë gjumit.
Të shkurtohet koha dhe numri i telefonatave që bën duke përdor telefonin celular.
Të përdoren kufjet, sepse edhe me disa centimetra distancë, fusha elektromagnetike bie dukshëm në intensitet.
Të mbahet celulari sa më larg të jetë e mundur nga koka. Shkruaj SMS (mesazhe) ose përdor altoparlantin e celularit sa më shpesh.
Në shtëpi të përdoren telefona me tela, të modës së vjetër, në vend të atyre bashkëkohorë pa tela.
Të mbahet laptopi larg nga prehri, të vendoset në tavolinë.
Të largohen të gjitha, apo shumica e pajisjeve elektrike nga dhoma e fjetjes.
Të konsumohen super-ushqime dhe suplementare antioksidues, për të luftuar radikalet e lira që valët elektromagnetike krijojnë.
Të përdoret teknologji tokëzimi për të stabilizuar ritmet elektrike të trupit dhe minimizuar efektet e interferencës së frekuencave elektromagnetike.
Të mos qëndrohet gjatë pranë antenave të ripetitorëve. Largësia nga këto antena varet nga frekuencat që ato emetojnë. Sidoqoftë, mirë është që këto antena të mos jenë pranë zonave të banuara.
Duke implementuar këto dhe disa strategji të tjera, dr. Gittleman pretendon se ka arritur përmirësime të mëdha në shëndetin e saj, si dhe në shëndetin e njerëzve tjerë që ajo ka ndihmuar.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to kRIST Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Viktor,ke qene gjithmone i qarte dhe i sakte .Ndryshe nga sa thua,prane,si per karshillek,na tregon smartfonin,bile bashke me karikuesin

    Përgjigju ↓