KULTURË

Driant Zeneli/ Të zhbësh limitet e njerëzve me ëndrra

19:00 - 16.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Çështja nuk është më trajtohen Bulqiza e Metalurgjiku i Elbasanit, si zona ku ndodhin tragjedi. Çështja është t’i trajnojmë njerëzit që janë aty me dinjitet, ata e meritojnë.




Duket se ky është thelbi i veprës së Driant Zenelit, me të cilën përfaqësohet Shqipëria në Bienalen e Artit në Venecia në muajin maj. Në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE” ai ndalet gjatë te koncepti dhe motivet që e kanë shtyrë të ndjekë ëndrrat e njerëzve që jetojnë në kushte jo të mira e që megjithatë buzëqeshin. Kërkesa e Driantit ka qenë zhbërja e limiteve të njeriut dhe gjetja e ëndrrave për të treguar dinjitetin e njerëzve të thjeshtë që jetojnë larg nesh e që bartin në shpirt një pasuri të madhe emocionale. “Sigurisht që jemi ne që i ndërtojmë muret rreth e rrotull, jemi ne që i hedhim muret. Kur them unë që çdo të thotë të jesh hero e të spostosh çdo ditë limitin tënd, që është një element i rëndësishëm të vepra ime”, thotë ai.

Si i shtyjmë kufijtë tanë fizikë dhe mendorë pa u bërë superheronj? A mund të bashkëjetojnë e mundura/realja dhe imagjinarja? Në thelb të hulumtimit të Driant Zenelit qëndron ripërkufizimi i dështimit, utopisë dhe ëndrrës. Nëpërmjet rrëfimit filmik dhe performancës, Driant Zeneli sfidon përpjekjen ngulmuese të njerëzve ndaj kufijve të tyre, duke nxjerrë në dritë përgjigjet e mundshme të brishtësisë së qenieve njerëzore dhe planetit Tokë. Ai sfidon marrëdhënien fizike dhe metafizike midis njeriut dhe hapësirës, materies dhe ëndrrës, gravitetit dhe kontrollit. ‘Maybe the cosmos is not so extraordinary’ (2019) është një video-instalacion skulpturor, i cili bazohet në një projekt shumëdisiplinar emërtuar ‘Beneath a surface there is just another surface’, i cili nisi në vitin 2015 në Metalurgjik, një kompleks industrial dystopian, në qytetin e Elbasanit në Shqipëri. Projekti dhe titulli i tij rrjedhin nga novela fantastiko-shkencore “Drejt Epsilonit të Eridanit” (1983) e shkruar nga fizikani dhe shkrimtari shqiptar Arion Hysenbegas. Instalacioni zhvillohet nga një film me dy kanale, ngjarjet e të cilit zhvillohen në minierat e Bulqizës, një qytet në verilindje të vendit, ku, që prej vitit 1918, është nxjerrë minerali i kromit. Zeneli synon të krijojë tension midis një realiteti shtypës nëntokësor dhe një hapësire utopike të mundësisë dhe çlirimit. ‘Maybe the cosmos is not so extraordinary’ përpiqet të zbulojë fizikisht aftësinë e së zakonshmes, madje edhe në qoshet e saj më të errëta, për të zgjeruar qenien tonë.


– Shkon në bienale me një triologji, që ka në qendër njerëz të thjeshtë. A keni dashur të bëni heronj njerëzit e thjeshtë?

Gjithnjë kam qenë kurioz ndaj përpjekjeve e ëndrrave që njeriu ka. Kur flasim për përpjekje, nuk flasim më për njerëz të një niveli të caktuar, por flasim vetëm për njerëz, që kanë bërë përpjekje nga politikani, te artisti, nga shkrimtari, punëtori a një fëmijë. Jam tërhequr shumë nga personat që janë kuriozë, që kanë për të më treguar diçka ndryshe. Ndaj vepra “Beneath a surface there’s just a surface” përballet me takime me persona, nga Mario, mik i imi i fëmijërisë në Liceun Artistik, nga takimi rastësor me Buajrin e Florën në Metalurgjik kur xhiroja filmin e Marios dhe nga një gjeolog që më flet për ferrokromin. Unë preka vendet ju udhëton ferrokromi dhe për çfarë shërben ai. Te Bujari unë merrem me mbledhjen e qymyrit dhe të skorieve të ferrokromit. Është si një udhëtim mbrapsht që më çon te miniera, ku del kjo materie e rëndësishme për prodhimin e shumë materialeve që përdorim çdo ditë: nga lugë e pirunë e udhëtojmë e spostohemi me ferrokrom, sepse anijet, avionët e kapsulat kozmike janë të bëra prej ferrokromit.

-Ndërkohë që Marion e ke bërë pjesë të veprës duke e ballafaquar me ëndrrat e tij, Bujarin e Florën që pavarësisht punës që bënin, mendja e tyre shkonte larg. Si u përzgjodhën pesë fëmijët e Bulqizës?
Mario lind nga një takim pas shumë vitesh e dëshira e tij kishte qenë të ikte nga toka dhe që të ikte duke e u bërë pjesë e filmit që u financua nga MAM Foundation. Kur shkova në Bulqizë si një njeri kurioz për të ditur se çfarë bëhet atje. U nisa me një ish-inxhinier dhe një shok. Të gjithë na pyesnin pse kemi shkuar dhe fakti që unë ju thashë që jam një artist që dua të realizoj një film mes realitetit e fiksionit që do të prezantohet në Bienale, ata u bënë kuriozë. Takova në hotelin kur rrija disa fëmijë. U tregova punët e mia dhe lindi ideja që ata të ishin personazhet e mi, dhe do ishin 5, siç janë 5 personazhet e librit të Arion Hysenbegasit. Edhe ata, si shumë të tjerë në Bulqizë kishin një lidhje me kromin. Nisi kështu dhe më pas vendosëm të kishte një anije kozmike që del prej aty, zhytet në ujë dhe ikën nga planeti. Më pas, kam shkuar disa herë në Bulqizë e kam njohur komunitetin, kam parë vendet ku jetojnë e punojnë dhe vetë fabrikën e pasurimit. Historia nis me këta fëmijë, që janë në fabrikë, në jetën e tyre të përditshme dhe gjejnë papritur këtë kapsulën kozmike, e nxjerrin nga fabrika dhe një dron robot i përcjell gjatë udhëtimit derisa gjejnë vendin ku do e fshehin anijen e tyre kozmike. Në një farë mënyre u bë një kthim mbrapsht i rrugës së kromit, e kromin e nxjerrin njerëzit. Çdo mineral ishte i lidhur me histori njerëzore dhe kjo m’u duk metaforë shumë e fortë.

– Diçka mes fiksionit e reales. Duket sikur, ëndrra e çdo njeriu është të shkojë drejt një bote më të mirë, pavarësisht se cilat janë kushtet e dhëna. Alicia Knock më duket e cilësoi të dhimbshme nevojën që ka njeriu për të ikur diku, gjithnjë.

Kam takuar njerëz që jetojnë në kryeqytete të mëdha e që prapë ëndërrojnë të ikin nga ai vend. Është shumë absurd ndonjëherë njeriu, ndaj lind edhe arti, si një lloj kontradikte e nevojshmërie e njeriut për t’u shkëputur. Dikush ëndërron të shkojë në Paris, e dikush do ta gjente qetësinë në një fshat të thellë në Afrikë. Ka një lloj melankolie vepra sidomos në fund. Alicia ka ardhur e ka ndjekur gjithë procesin e kemi takuar fëmijët, Marion dhe Buajrin. Pikëpamja e saj është pikëpamja e një njeriu që jeton jashtë e ndjen këto emocione kur takon njerëz të bukur e kuriozë e që ndjen që ka dhimbje e dështime, njerëz që duan të largohen.
– Mario, personazhi i filmit të parë, që ndryshe nga personazhet e filmit të dytë e të tretë i ka pasur mundësitë t’i realizojë ëndrrat e tij, por diku ka ngecur. Pra, “Nën sipërfaqe, ka një tjetër sipërfaqe”.

Jeta jonë, duket se është njëherësh edhe burgu jonë, sepse edhe?
Sigurisht që jemi ne që i ndërtojmë muret rreth e rrotull, jemi ne që i hedhim muret. Kur them unë që çdo të thotë të jesh hero e të spostosh çdo ditë limitin tënd, që është një element i rëndësishëm te vepra ime, siç është graviteti, ëndrra, dështimi- elementet që të bëjnë të shtysh konfliktin që ke çdo ditë me realitetin. Marion e takoj në një çast të jetës së tij që ndjehej ashtu, sot ai nuk ka nevojë të lërë planetin Tokë. Ai ndërton diçka reth e rrotul atij planeti. Buajri dhe Flora(video 2, babë e bijë) nuk duan ta kenë planetin tokë por duan të respektohen më shumë nga planeti Tokë, ndërsa fëmijët e Bulqizës janë akoma në njohje me planetin tokë. Secili nga këta personazhe është kurioz në vetvete dhe tregon diçka.

– Përtej historisë dhe personazheve kaq të ndryshme nga njëri-tjetri, përtej kromit, ti vetë, çfarë merr prej veprës tënde dhe çfarë do të japësh me të?
Se çfarë do të jap, do ia lë kohës. Gerhard Richter, artist me rëndësi në historinë e artit botëror thotë që “ndonjëherë veprat e mia, janë më inteligjente se sa unë”. Ndaj edhe unë shpesh herë mësoj duke parë veprat. Në mënyrë inkoshiente realizoj diçka dhe më vonë kuptoj më mirë, arsyet që më kanë çuar deri aty. Ajo që kam ndjerë unë pas triologjisë “When Dreams become necesity”, ku jam unë personazhi, ndjej nevojën të mos jem më unë “Don Kishoti” i situatës. Duke punuar me njerëzit, kuptoja që ata besonin te ajo që unë bëja.
Sa më të njohura të bëhen historitë e tyre, aq më të rëndësishme do jenë. Zonat e tyre njihen, si Metalurgjiku edhe Bulqiza, por nuk duhet të njihen vetëm si vende tragjike, por edhe si vende ku ka jetë, kur ëndërrohet e jetohet. Ajo që theksoj është se vepra e fundit, nuk është për të dramatizuar jetën në Bulqizë, por për t’i respektuar ata. sepse ata meritojnë shumë dinjitet. Ka njerëz që ëndërrojnë të kenë një shtëpi me pamje nga Luvri, një shtëpi me pamje nga Koloseu, por kur në shtëpinë e tij, sheh se ai nuk ka më kohë ta shohë Koloseun, sepse jeton mes ankthit të datave e orareve, ndaj nuk di të gjesh se cila është pesha. Lumturia është pra shumë relative.

– Një prej skenave është lart një karrocë me kushineta dhe poshtë një dron. Sa është edhe ëndrra jote mes ëndrrave të personazheve?
Sfida më e madhe është të mos harrojmë si kemi qenë fëmijë. Por sigurisht në mënyrë inkoshiente dalin elemente që dikur i ke përdorur. Shohim një karroce me kushineta, një dron që është fjala e fundit e teknologjisë. Ne luanim dhe kishim si simbol shpejtësie karroca me kushineta dhe sot është droni. Ka elementë të fëmijërisë së të gjithëve. Po aty kemi kaspulën kozmike, dhe me intereson distanca që ne krijojmë gjithmonë. Nuk më intereson distanca mes teknologjisë dhe njeriut, por distanca a raporti mes njeriut me njeriun. Nga njerëzit që punojnë në anije kozmike te Bujari që ende gërmon skoriet që njerëzimi e fabrikat kanë lënë. Në të gjitha veprat e mia ka elementë të fëmijërisë, në mënyrë inkoshiente.

– Dalin në këtë punë edhe vizatimet e fëmijërisë. Si u ndjeve kur u përballë me fëmijërinë?
Kam vizatuar fëmijë si shumë të tjerë. Një prej tyre ia kisha dhuruar Merita Selimit që ishte atëkohë mike e familjes sime. Në shtëpinë time nuk ka më asnjë vizatim të asaj kohe. Sot është pedagoge në Akademi dhe artiste që vizaton shumë.
Ajo më shkroi para një viti që ka gjetur vizatimet e mia dhe tha që donte të m’i rijepte. Unë mbeta pak i shokuar, se si paskam qenë e si jam. Për më shumë se 12 vite nuk kam ekspozuar më, sepse nuk më pëlqenin vizatimet e mia, nuk i doja, ishin shumë akademikë dhe më dukej se kisha ngelur te ai modeli akademik që më kishin mësuar dhe isha në konflikt me këtë pjesë. Ky vizatim, mua më çliroi.

– Të çliroi sepse pe sa i lirë kishe qenë fëmijë?
Po, krejt i lirë. Dhe është interesant, sepse tregon se që atëherë luaja me hapësirën dhe me limitin e gravitetin. Është bërë më 1989 kur ka rënë muri i Berlinit. U habita që kisha përdorur shumë ngjyra, nuk kishim as televizor me ngjyra e nuk kishim as ngjyra. Ndaj nisa të vizatoj edhe për veprën. Në secilin vizatim kam vënë fraza nga libri duke krijuar histori paralele. Është si kur ishim fëmijë: ku lugën e përdornim edhe si mikrofon ose personazh, librin e përdornim si mur, gotën e përdornim në një element tjetër. Me ato unë realizoja një regji, një film që krijonte histori paralele me sendet që kisha. Është e njëjta gjë që bëj edhe sot. dhe konflikti im me akademinë ishte ai lloj ‘imponimi’ që të jepet, te të mësuarit e disa rregullave që nuk të lënë të dalësh prej tyre. Harron ashtu çlirimin dhe kreativitetin. Por edhe kujtesa është diçka mes nevojës e dëshirës, nuk është reale, është selektive.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.