Kryesore

Vizitat e ministrave jashtë shtetit, në dorë të Gent Cakajt

11:00 - 16.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjitha vizitat zyrtare dhe të punës të të gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritar “Rama” do jenë në dorë të ministrit në detyrë për Eruopën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Kryeministri Edi Rama, i cili njëherësh mban edhe pozicionin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, i ka deleguar Gent Cakajt një sërë kompetencash të tjera, mes të cilave edhe ato për dhënien mendimit për miratimin e vizitave zyrtare dhe të punës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave jashtë shtetit. Urdhri i delegimit të kompetencave është publikuar dje në Fletoren Zyrtare, duke marrë kështu fuqi vepruese. Sipas këtij urdhri, Rama në cilësinë e ministrit të Jashtëm i ka kaluar Cakajt thuajse çdo kompetencë që ka të bëjë me organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Jashtme, një prej të cilave është edhe ajo që e dhënies së mendimit për çdo vizitë që ministrat bëjnë jashtë shtetit.




Kompetenca të tjera që i janë dhënë Cakajt nëpërmjet këtij urdhri janë edhe ato që kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërkombëtare. Më konkretisht, sipas këtij urdhri, Caka ka të drejtën për dhënien e mendimeve për projektmarrëveshjet ndërkombëtare që lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, ministrive dhe institucioneve qendrore dhe çdo lloj mendimi tjetër institucional në lidhje me veprimtarinë me jashtë të institucioneve publike. Por, ndërsa nuk i jepet e drejta për të nënshkruar një marrëveshje në emër të Republikës së Shqipërisë, Rama i ka kaluar atij kompetencën për marrjen e masave organizative në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, me autorizim të presidentit, kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Pra, sipas kësaj kompetence, Cakaj mund të negociojë tashmë një marrëveshje me Greqinë në emër të Shqipërisë, pas marrjes së autorizimit dhe plotfuqisë nga ana e Presidentit të Republikës, por nuk mund ta nënshkruajë atë. Kujtojmë këtu se ishte Presidenti Meta, ai që më parë bëri të ditur se nuk do të pranonte që Cakaj të firmoste një marrëveshje në emër të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Rama i ka lejuar Cakës të drejtën që të mund të firmosë të gjitha marrëveshjet e tjera që lidhen në emër të Ministrisë së Jashtme. Ndërkohë që sa i përket veprimtarisë së brendshme të vetë ministrisë, Cakaj duket se ka fuqi të pakufizuara vendimmarrjeje. Sipas këtij udhëzimi, ai mund të bëjë emërimin e Komisionit të Karrierës Diplomatike, emërimin e nëpunësit në sistemin e karrierës diplomatike, dhënien e gradave diplomatike sipas propozimeve të Komisionit të Karrierës Diplomatike, dhënien e masave disiplinore, punësimin e diplomatit të karrierës. Jo vetëm kaq, por Cakaj vendos për emërimin dhe mbarimin e detyrës së diplomatëve në misione diplomatike/poste konsullore të Republikës së Shqipërisë, transferimin, lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë të personelit të karrierës diplomatike, si dhe i sugjeron kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, të propozime për emërimin dhe lirimin e ambasadorit, të kreut të misionit diplomatik dhe konsullit të përgjithshëm.

Kompetencat e delegauara

Ndjekjen e zbatimit të programit të qeverisë për politikën e jashtme.
Bashkërendimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së strukturave të shërbimit të jashtëm dhe raportimin para kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Përfaqësimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme brenda dhe jashtë vendit, në rastet e pamundësisë së kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Marrjen e masave organizative dhe mbikëqyrjen e proceseve administrative, në lidhje me:
1. Emërimin e Komisionit të Karrierës Diplomatike.
2. Emërimin e nëpunësit në sistemin e karrierës diplomatike.
3. Dhënien e gradave diplomatike sipas propozimeve të Komisionit të Karrierës Diplomatike.
4. Dhënien e masave disiplinore, sipas propozimit të Komisionit të Karrierës Diplomatike.
5. Punësimin e diplomatit të karrierës në organizata ndërkombëtare për periudha të përkohshme e në misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë.
6. Ngritjen e komisionit të posaçëm për përzgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
7. Emërimin/mbarimin e detyrës së diplomatëve në misione diplomatike/poste konsullore të Republikës së Shqipërisë.
8. Transferimin, lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë të personelit të karrierës diplomatike, në bazë të propozimit të sekretarit të përgjithshëm.
9. Mbikëqyrjen e veprimtarisë së Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik.
10. Dhënie mendimi kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme për miratimin e vizitave zyrtare dhe të punës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave jashtë shtetit.
11. Sugjerimin kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, të propozimit për emërimin dhe lirimin e ambasadorit, të kreut të misionit diplomatik dhe konsullit të përgjithshëm.
12. Dhënien e mendimeve për projektmarrëveshjet ndërkombëtare, që lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, ministrive dhe institucioneve qendrore dhe çdo lloj mendimi tjetër institucional në lidhje me veprimtarinë me jashtë të institucioneve publike.
13. Marrjen e masave organizative në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, me autorizim të presidentit, kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
14. Nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat lidhen në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
15. Kryesimin e delegacionit shtetëror përgjegjës për zhvillimin e dialogut politik dhe të negociatave me institucionet e Bashkimit Evropian.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.