Kryesore

Përsa kohë telefoni ishte i lidhur me fije, njeriu ishte më i lirë…

09:22 - 17.04.19 Kujtim Xhaja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sot do të shkruaj për një mjet, i cili na është bërë gjysma tjetër e jona, e gati-gati e kemi të pamundur të mendojmë sesi do ishte dita jonë pa të…do të shkruaj për telefonin…




Duke qene se Telekomunikacioni është një fushë, të cilës ia kushtoi gjysmën time të ditës, (për mos thënë shumicën ) e ndiej për detyrë të ligjëroj diçka rreth tij…

…Sot, më shumë se në çdo kohë tjetër, jetojmë në kohën e celularit…

Celular në shtëpi, celular në punë, celular me pushime, celular në autobus, celular edhe në tualet.

Kjo vegël e domosdoshme duket se nuk po përdoret më për qëllimin fillestar, për të cilin u krijua: komunikimin. Jo! Ai ka rënë në plan të dytë… Rëndësinë e kanë fituar tashmë rrjetet sociale, si një formë dhe lloj i ri bisedimi.

Mendojini pak këto mjete nëse nuk do të ekzistonin rrjetet sociale? Do të ishin krejt të kota, gati-gati të pavlera, boshe…

Pas tyre qëndron një industri e tërë e cila të “imponon” ty t’i përdorësh ato.. Kompanitë celulare përherë janë në garë me njëra-tjetrën, se cila të ofrojë paketat më të mira vetëm për rrjetet sociale. Nga ana tjetër brandet e telefonisë së lëvizshme krijojnë aplikacione enkas për t’u përdorur për median shoqërore… Ata po bëjnë çmos të krijojnë fotografitë perfekte. Rinia nga ana tjetër është e “marrosur” mbi rezolucionin e kamerës, megapixel-in e fotove, fokusin e tyre. Ata janë bërë si padashur profesionist të fushës. Jo pa qëllim…Çdo gjë është e llogaritur mirë…”Fotot perfekte” duhet të postohen diku…e këtu dalin në skenë rrjetet sociale: Facebook, Instagram, Snapchat, Whatsapp. Po që të përdorësh këto të duhet internet, tani dalin në pah kompanitë celulare, të cilat të ofrojnë shërbimin dhe paketat…nga ana tjetër shfaqen aplikacionet e kështu krijohet një rreth vicioz, nga i cili e ke vështirë të dalësh…

Ja kështu, pak nga pak, si pa e kuptuar kemi rënë të gjithë në kurthin e teknologjisë.

Ditën e djeshme shkova të takoja nipin, i cili ende s’ka bërë dy vjeç. U mundova, bëra të gjitha përpjekjet e kësaj bote, për t’i marrë pak vëmendje për të qëndruar me mua, por dështova me sukses. Në mendje më erdhi një ide më e mirë: “Nxora celularin, hapa YouTube-in” dhe ai si me magji u turr drejt meje. Qëndroi me mua ashtu me minuta të tëra, derisa mbaroi bateria e celularit. Po mos të ishte telefoni unë s’do t’ia kisha rrëmbyer kurrë një puthje, ashtu vjedhurazi!

Ja, ky është efekti çudibërës i këtyre mjeteve. Kur ato kanë arritur të bëjnë për vete një foshnje të porsalindur, betejën me ne të rriturit e kanë të fituar!

E dini cfarë mendoj?

Përsa kohë telefoni ishte i lidhur me fije, ne, njerëzit ishim më të lirë…

Më vjen ndër mend kur në shtëpinë tonë vendosëm telefonin tonë të parë të linjës fikse. E kam edhe sot përpara syve atë pamje.

Kishte një ngjyrë të kuqe të ndezur dhe ishte i versionit më klasik të mundshëm, me mekanizmin rrotullues. Cfarë gëzimi ishte në shtëpi! Dukej sikur do të flisnim me gjithë botën edhe pse mund të komunikonim vetëm brenda vendit. Dëgjimi për herë të parë i sinjalit akustik të linjës telefonike nuk ka të përshkruar…Madje kujtoi se ne ishim nga të parat familje në pallat që kishim telefon. Ai na njohu edhe më mirë me fqinjët tanë… Nuk kishte ditë, që mos na vinte ndonjë telefonatë, e cila adresohej për komshinjtë… Ashtu u miqësuam edhe më shumë me njëri-tjetrin, madje dinim edhe hallet, problemet e tyre…

Bisedat me orë të zgjatura, lajmërimet sa nga njëri kat tek tjetri. “Burbuqen e kërkon djali nga Amerika!”, “Zonjës Vera po i flet motra nga Durrësi!” e shumë situata të tjera…

Por prapë ne ishim më të lirë, prindërit tanë e mbyllnin çdo komunikim të rëndësishëm në zyrë, pas përfundimit të orarit zyrtar, na gjenin sërish kur ktheheshim në shtëpi…

E dinim, ishim të ndërgjegjshëm se diku, në një cep, qoshe të shtëpisë ishte ajo vegël, e cila kur na duhej e kur iu duheshim të tjerëve do të ishte gjithmonë aty dhe e kishim mëndjen “e mbledhur”.

Kishim lirinë të dilnim pa u shqetësuar se dikush do na kontaktonte, do na gjente në çdo moment të ditës…nuk e kishim konceptin e kohës reale, “live” “tani”, nuk e vuanim presionin e gadishmërisë në çdo sekondë, frikën e “ma la seen” “e pashë që e ka parë mesazhin e s’mu përgjigj”. Sa e sa njerëz në botë i ka futur në konflikt kjo gjë?

Nuk kishim diçka përherë me vete, e cila do na qëndronte gjithmonë ngjitur në xhepin e pantallonave xhins. Nuk ishim bërë pre e manisë për të fotografuar, dokumentuar çdo gjë që hamë, pijmë, veshim, bëjmë. E shijonim më mirë çastin, minutin, orën. Nuk na fluturonte koha sa hap e mbyll sytë, pa e kuptuar, sa një check e storie-ve në Instagram.

Si për paradoks, kur cdo gjë funksiononte me tela, me fije, ne ishim më të lirë, sot që telat janë shkëputur, janë hequr ndihemi të mbërthyer më keq!

…Sa na shijonte një e folur në kabinën e rrugës…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.