BLUETOOTH

Armina Mevlani: Koha, tregues i dashurisë me Shkëlzenin

11:02 - 18.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim:




Enida Himaj – I keni parasysh njerëzit që nga idetë, ndoshta edhe ato më fëminoret krijojnë pasione, e më pas një punë të suksesshme? Ky është edhe rasti i Arminës. Ajo frymëzohet nga gjithçka. Fëmijëria, librat, filmat, historia, gjithçka është e mjaftueshme për të mbushur me stil botën e Arminës. Edhe pse vetëm 24 vjeç, ka arritur të kapë majat në karrierën e saj. Ndoshta çelësi i suksesit është se gjithçka që bën, i jep zemrën. Në intervistën dhënë për “Gazeta Shqiptare” ajo rrëfen detaje nga jeta e saj me Shkëlzenin, pasionin dhe dashurinë për të bukurën që janë shkrirë në blogun që prej disa kohësh ka, ku showgirli sjell të përditshmen e saj, natyrisht gjithnjë fashion. Edhe pse në qendër të mediave, shpesh herë me gjëra edhe të pavërteta, vijon të mbetet pozitive. “E vërteta del gjithmonë në pah”, shprehet bukuroshja, duke pasur të fortë mbështetjen dhe dashurinë e mijëra fansave që e ndjekin. Nga ana tjetër plot me dashuri është edhe jeta private. Lidhja e konsoliduar me Shkëlzenin ia ka dalë që t’i mbyllë njëherë e përgjithmonë gojët e liga. Për çiftin më mediatik të momentit ditë të lumtura do të vijnë, pse jo dhe me plane të reja…

Një biznes në zemër të Tiranës, trendet ndërkombëtare, intervista, kontrata pune, fotoshooting, duket si një periudhë e mirë për Arminën, sa e ndjeni të tillë ju vetë?
Unë gjithmonë kam ecur me një parim “Bëj atë që të bën të ndihesh e lumtur dhe asgjë nuk do të duket punë sado lodhje të ketë”. Me këtë fjali tregoj shkurt sesi është jeta ime për momentin, pra po bëj diçka që më sjell lumturi dhe aty unë përkas, por ndërkohë çdo gjë ka lodhjen e saj. Mendoj se të gjithë vijmë në botë për një arsye, për të qenë të dedikuar në një fushë të caktuar dhe sa më shpejt ta gjesh veten ku përket dhe ti dedikohesh vetëm asaj gjëje, aq më i lumtur do jesh. Unë e kam ditur shumë kohë më parë që përkisja në botën e medias dhe gjithmonë më ka pëlqyer moda, dhe kjo është ajo që po bëj. Ndihem mirë, por kam akoma shumë rrugë për të bërë.

Ka diçka që mund të kishe bërë më mirë?
Gjithmonë ka gjëra që mund të bëhen më mirë, por s’më pëlqen të kthej kokën pas. Unë jam njeri që marr përgjegjësitë e mia, e pranoj kur gaboj dhe mundohem ta rregulloj në të ardhmen.

Ka qenë 2015 viti i Arminës?
Le të themi që ka qenë viti ku unë kuptova tamam se çfarë duhet të bëj me jetën time dhe kjo është mjaft e rëndësishme.

Sa e plotësuar ndjeheni në karrierën tuaj?
Ndihem shumë mirë që jam në hapat e duhur. Udhëtimet e punës më krijojnë kontakte me njerëz tepër të rëndësishëm në botën e medias, artit dhe kryesisht modës, tashmë jeta ime është më shumë lëvizje dhe kjo është ajo që më pëlqen më shumë pasi duke udhëtuar mbaroj takime pune dhe këto njohje kanë ndikuar edhe tek puna ime tjetër që është blogu, i cili po ecën mirë dhe kjo për mua ka mjaft rëndësi. Jam ende në hapat e para, por jo më kot thonë fillimi i mirë gjysma e punës. Ndërkohë në gjithë këto angazhime jam duke mbaruar edhe masterin për “Marrëdhënie me publikun”.
Sa mendoni se i keni afruar shqiptarët me trendet ndërkombëtare që keni në dyqan?
Mendoj se në fillim jo të gjithë i njihnin, por me kalimin e kohës, me punën dhe përzgjedhjen time klientët u mësuan dhe i pëlqejnë tani shumë këto trende që kanë ardhur ekskluzivisht në Tiranë.

Po blogu “www.arminamevlani.com” pse ka kaq rëndësi për ty?
Dikur unë punoja dhe drejtoja media, sot gjithçka mbi modën, mënyra jetese dhe shumë gjëra të tjera që më pëlqen të shkruaj, tashmë i bëj në faqen time dhe s’ka gjë më të bukur sesa kur frytet i ndjen tek gjëja që ke krijuar vetë. Fryte quaj suksesin e të pasurit mjaft klikues, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe vende të tjera të botës, por edhe për bashkëpunimet që kam krijuar me linja veshjesh, këpucësh e aksesorësh në botë, të cilët sponsorizojnë një pjesë të veshjeve për blogun tim dhe madje kam bërë edhe bashkëpunime me ta, siç ishte dhe projekti Dolce&Gabbana.

Sa vlerësohen sot markat në Shqipëri, si e shikon Armina?
Mendoj dhe gjithmonë kam menduar që më mirë sesa të shpenzosh shpesh dhe në gjëra jo cilësore, më mirë të ruash para për të pasur diçka më cilësore. Vlen ajo shprehja “Pak e saktë”. Shqiptarët i pëlqejnë markat dhe janë popull që u pëlqen të vishen dhe të marrin njohuri për trendet e reja. Mendoj se jemi në zhvillim, popull me shije dhe shumë shpejt edhe gjëra të tjera do ndryshojnë, gjithçka kërkon pak kohë, por e mira është që dëshira nuk mungon.

Gjithnjë me shije dhe shumë fashion, çfarë ju frymëzon?
Moda është si arti, gjithmonë duhet një inspirim. Kam koleksionuar libra mode nga vende të ndryshme të botës dhe jam habitur kur inspirimet e shumë stilistëve apo njerëzve të njohur në botë kanë qenë njëlloj me të miat. Mua më inspiron vetë jeta, historia ndër vite, filmat, gjendja shpirtërore, këngët… E vogël përqendrohesha në detaje që sot i pasqyroj në veshje, si detajet e artisteve të filmave, dedikoja kohë duke parë video muzikore dhe merresha me veshjet e tyre, ndiqja javët e modës në tv, madje edhe qepja për kukullat e mia. Të gjitha këto kujtime kanë krijuar tek unë një botë në kokë që e pasqyroj sot në veshje dhe ide, jo më kot thonë që fëmijëria është pasqyrim i asaj që jemi sot. Edhe moda ashtu si çdo art dhe krijim kërkon një bazë në kohë, nuk mund të vijë një ditë nga hiçi(flas për ato që i dedikohen kësaj gjëje).

Sa kujdeseni për veten, sa kohë i kushtoni dhe sa shpenzoni?
Varet si zgjohem në mëngjes. Jam njeri që kujdesem për trupin duke bërë palestër, kujdesem për fytyrën dhe flokët me trajtime, por asnjëherë nuk kam qenë e fiksuar që të shpenzoj më shumë kohë sesa duhet mbi këtë gjë.
Shpesh kemi dëgjuar edhe njerëz skeptik që dyshojnë në ndërhyrje plastike në pamjen tuaj. Çfarë mendon për këtë ?
(Qesh) Nëse shikoni fotot e vjetra të mijat unë kam qenë gjithmonë e njëjta dhe asnjëherë s’kam ndryshuar. Kurrë s’kam prekur asgjë në trupin tim dhe nuk mendoj se do e bëj ndonjëherë.

Si nis një ditë e zakonshme e juaja, a keni ndonjë ritual të përditshëm?
Zgjohem në mëngjes, merrem me email-et dhe blogun. Ka ditë kur thjesht shkoj në dyqan dhe më pas drekoj me familjen time dhe rikthehem në dyqan për punë dhe për të shkuar në palestër në darkë, por ka dhe ditë të mbushura me sete fotografike, ashtu siç ka edhe ditë që më duhet të udhëtoj dhe të marr pjesë nëpër takime pune. Nuk kam asnjë ditë që të jetë njëlloj me tjetrën, aq më tepër që tani fillon edhe shkolla dhe më duhet të ndjek leksione sa më shumë të kem mundësi.

Ju ka larguar puna nga Shkëlzeni, si e rikuperoni kohën e humbur?
Jo, përkundrazi më ka afruar më shumë me të pasi tani diskutoj dhe marr mendime edhe nga Shkëlzeni e mendoj se kjo gjë e bën marrëdhënien më të fortë. Ne gjithmonë takohemi gjatë ditës, ose në shtëpi në mbrëmje, pra gjejmë kohë për njëri-tjetrin sido që të jetë puna. Shpesh ai më shoqëron edhe në punët e mia dhe krahas si partner është dhe personi që do quaja shokun më të mirë.

A ka më skeptik për lidhjen tuaj, apo dashuria i ka mundur të gjitha gojët e liga?
Përderisa vitet kanë kaluar dhe jemi prapë këtu, të lumtur, mendoj se kjo pyetje nuk ka më vend.

Si ndjehet Armina kur marrëdhënia e saj përdoret nga mediat, ka raste edhe politikisht?
Tashmë jam mësuar dhe e di që për sa kohë jemi të dy persona publik kjo gjë do ndodhë gjithmonë. Në fillim mërzitesha, habitesha, por tani nuk më bën aspak përshtypje.

Si ja keni dalë ti bëni ballë të gjitha sulmeve, dhe të qëndroni një personazh pozitiv në sytë e publikut?
Sado sulme të ketë një personazh (pasi kur je në media do kesh gjithmonë sulme),unë besoj shumë në faktin që publiku di të peshojë shumë gjëra, madje gjithmonë kam ecur me mendimin që publiku vetë di të të vlerësojë, të ndajë të mirën nga të keqen sado dhe sido mediat të duan ta paraqesin diçka disa gjëra ndonjëherë vetëkuptohen. Unë ndihem e lumtur që pjesa e madhe e publikut më mbështet, më ndjek, më shkruan dhe madje më takon shpesh në dyqanin tim, ashtu siç ka edhe publik që paragjykojnë, por kjo gjë nuk më afekton pasi jam e vetëdijshme që asnjë person publik s’mund të jetë 100% i pëlqyer nga të gjithë. Por gjithashtu besoj edhe tek koha, sepse mendoj që koha i filtron të gjitha dhe shumë njerëz me kalimin e kohës i shohin gjërat ndryshe dhe në pah del gjithmonë e vërteta.

Flisni për të shkuarën, por jo për të ardhmen, çfarë e pret marrëdhënien tuaj në të ardhmen?
Në fakt unë nuk flas për të shkuarën, por për të tashmen dhe e ardhmja është ajo që na bën të lumtur. Fakti që sot jemi bashkë dhe planet që kemi për të ardhmen mbushin çdo ditë të jetës sonë me lumturi. Autori ynë i preferuar(e kemi të përbashkët) Remark thotë në një ndër librat e tij se “shpresa” për të ardhmen është ajo që na mban gjallë, ndaj mendoj se çdo njeri bën përpjekje dhe investon në të tashmen për një të ardhme të mirë, kjo është ajo që edhe ne si çift po bëjmë.

A keni biseduar për martesën, si e dëshiron Armina dasmën e saj?
Si çdo çift që duhet këto gjëra diskutohen dhe ashtu si çdo femër edhe unë e ëndërroj ditën e dasmës sime. Gjithmonë kam dashur diçka të thjeshtë dhe me njerëzit që dua, por akoma nuk kam plan të qartë në kokë derisa ai moment të vijë dhe ta qartësoj tamam idenë.

Kur është momenti për të pasur një fëmijë?
Në këtë pikë jam tradicionale dhe gjithmonë kam dashur ti bëj gjërat në kohën e duhur. Fillimisht të shijoj lidhjen dhe të njoh partnerin për disa vite, më pas të bashkëjetoj me të, më pas janë hapat e tjerë si fejesa, martesa dhe ardhja në jetë e fëmijëve. Kam shumë dëshirë që fëmijët të vijnë në jetë pasi të martohem dhe të kem krijuar një bazë të fortë për ta, një familje solide dhe të sigurt, e këtë gjë e krijon vetëm koha para se të merren vendime të rëndësishme. Kohën para e kemi ndaj asgjë s’është për t’u nxituar. Por më duhet ta pohoj që kam dëshirë të kem një familje të madhe me shumë fëmijë dhe më të gjithë të afërmit tonë në krah.

Përgjatë gjithë këtyre viteve, sa ka ndryshuar raporti juaj, po dashuria?
Raporti jonë ka ndryshuar, por ka ndryshuar për mirë dhe siç e lartpërmenda, koha është testi më i mirë i një marrëdhënie, ndryshe nuk do të isha këtu duke folur për lidhjen time. Nuk më pëlqen të flas gjëra që nuk janë, më pëlqen të them realitetin dhe realiteti është që me kalimin e viteve unë partnerin e njoh më mirë, siç ai më njeh mua. Kemi arritur ti pranojmë njëri-tjetrit të mirat dhe defektet dhe kemi krijuar besim tashmë tek njëri-tjetri, gjë kjo që nuk është aspak e vogël. Ndaj unë mendoj që me kalimin e kohës një marrëdhënie me bazë të mirë, vjen e bëhet gjithmonë më e fortë dhe solide.

Ky shkrim është botuar më 21 Nëntor 2015


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.