OPINION

Mohuesit e krimeve

07:31 - 18.04.19 Arben Idrizi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të shumta në historinë moderne, dhe po aq të përbindshme, janë rastet e mohimeve të krimeve të luftës, vrasjeve, masakrave, dhunimeve, plaçkitjeve. Sigurisht, rastet më shokuese janë ato të Holokaustit, Masakrës së Nankinit, gjenocidit ndaj armenëve, masakrës së Srebrenicës.




Pra, edhe kur ka një konsensus të përgjithshëm për të vërtetën, të mbështetur edhe nga proceset e panumërta gjyqësore, prapëseprapë ka zëra që i mohojnë. Për rrjedhojë, është edhe më e vështirë nëse autori i krimit nuk është përballur asnjëherë me asnjë lloj përgjegjësie.

Zyrtarë politikë e ushtarakë serbë janë përballur me drejtësinë në Gjykatën e Hagës, për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë. Por, brenda në Kosovë gjykimet e krimeve të luftës kanë qenë përgjegjësi vetëm e misioneve të ndryshme të vendosura këtu dhe në përgjithësi nuk ka pasur gjykimeve për shumicën e masakrave të kryera nga forcat serbe, as për vrasjet dhe zhdukjet e qytetarëve serbë të kryera nga UÇK.

Ndërsa në Serbi ekziston gjykata për krimet e luftës, ka dënuar disa persona, por në të vërtetë e gjitha është një farsë. Pikërisht një gjykatë e tillë e mohon pikërisht masakrën e Reçakut, njërin prej krimeve më të rënda.

Nëse – qoftë edhe vetëm si farsë – ajo gjykatë serbe do të kishte iniciuar një proces gjyqësor, thjesht iniciuar, mohimi i krimit do të kishte me qenë më i vështirë. Ngase atëherë, cilitdo që do të merrte guximin ta mohonte, do të mund t’i thuhej se ka një proces të hapur për atë krim. Nëse do të ishte dënuar ndonjëri, qoftë edhe me vetëm një muaj burg, çdonjërit mohues do të mund t’i thuhej se ka një të dënuar me një dënim prej një muaj burg, që në rrethana të tjera, të seriozitetit dhe korrektësisë, do të mund të ishte dënim i përjetshëm.

Dhe, nga ana tjetër, nëse edhe në Kosovë do të ishte iniciuar, nga misionet ndërkombëtare të drejtësisë të vendosura këtu, një proces gjyqësor, në këtë rast, organet përkatëse do ta kishin më të lehtë të përballen me një mohues të një krimi, plagët e të cilit ende rëndojnë mbi tërë shoqërinë.

Por, duke qenë gjendja si është, çka mund të bëhet?

Nuk është problem që zgjidhet me kërcënime, fytje e sharje. Sepse këto, në të vërtetë, nuk e zbusin as dhimbjen, ashtu siç nuk çojnë domosdoshmërish dhe pashmangshmërisht tek e vërteta.

Te të dy shoqëritë ka tendencë të përgjithshme të mohimit të krimeve. Kur jemi të mbështetur për muri, i arsyetojmë ato krime ose sajojmë teori konspiracionesh që mendja e shëndoshë nuk i kap dot.

Të paktë janë personat, institucionet, intelektualët që i pranojnë, denoncojnë dhe dënojnë krimet, kudo që të jenë kryer, nga kushdo që të jenë kryer. Sigurisht, punën më të madhe, më të frytshme dhe më të guximshme e ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare.

Për shembull, pas kallëzimit penal të ngritur nga FDH, në maj në maj të vitit 2008, ndaj 11 pjesëtarëve të brigadës 549 nën dyshimin se kanë kryer krim në Tërnje, dje Departamenti i veçantë për krime të luftës i Gjykatës së Lartë të Beogradit i ka dënuar me 15 vjet burg Rajko Kozlin, ish- pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave, për vrasjen e 15 dhe plagosjen e dy civilëve shqiptarë në Tërnje, afër Suharekës, në mars të vitit 1999.

Besoj se jemi të gjithë të një mendjeje se ai që deri dje mund ta mohonte këtë krim, sot do ta ketë më të vështirë ta bëjë këtë. Do të matej mirë para se ta bënte.

Dhe, në të njëjtën kohë, nëse do të kishte pasur një gjykim për vrasjen e 14 bujqve serbë në Grackë të Vjetër të Lipjanit, apo për vrasjet e serbëve, romëve dhe shqiptarëve në vende të tjera – ai që i mohon, ose i arsyeton, do të ishte matur mirë para se ta bënte këtë herën tjetër. Por, deri sa (nëse do) të ndodhë ai gjykim, ne vazhdojmë ta bëjmë, pa problem.

Çka desha të them është se duhet shumica ta ndiejë neverinë ndaj krimeve dhe ta shprehë pakënaqësinë, me të gjitha forcat. Në atë rast, pakica që mohon, do të ishte pakica që nuk përfaqëson dhe nuk ndikon. Në gjendjen ku jemi, shumica nuk e ndien neverinë ndaj krimit as nuk e shprehë, përkundrazi.

Gazeta Express


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.