Opinion-Komente

Rrëfimet e hipokrizisë në Katedralen e Parisit

14:38 - 18.04.19 Ardian Muhaj

Në katedralen e djegur të Parisit shpejtuan të rrëfejnë hipokrizinë e tyre shumë njerëz. Të parët që zunë rradhë tek rrëfimtorja e katedrales akoma në flakë ishin ata që qanë “live” djegien e saj ndërkohë që këtej kanë mbi një vit që i sillen si hiena Teatrit Kombëtar dhe tani po ia dalin me sukses ta fusin simbolin e Tiranës, Kulllën e Sahatit nën thundrën e Kullës së Betonit. Ata që zhdukën nga faqja e dheut linjën hekurudhore dhe vetë Stacionin e Trenit të Tiranës, për të shtuar qarkullimin me makina, duke e kthyer Tiranën në kryeqytetin e vetëm në Afrikë, pardon në Europë, që nuk ka stacion treni!
Pas tyre, kur tashmë flakët ishin shuar, u rrëfyen ata që vajtonin katedralen e Notre Damës dhe nuk ia kishin idenë se monumente të trashëgimisë kulturore botërore shkatërrohen vazhdimisht qoftë nga konfliktet ushtarake, qoftë nga moskujdesi. 




Kur dukej se nuk kish mbetë kush me u rrëfy, në hirin e katedrales, papritmas u duk në horizont edhe një grup tjetër. Këta të fundit ishin ata që me shumë të drejtë vunë në dukje hipokrizinë e të parëve e të dytëve, sidomos faktin që të rrëfyerit e mëhershëm nuk e vrisnin mendjen për monumentet në vendet e Lindjes së Mesme, madje as për të varfrit që vdesin urie e kequshqyerje anekënd botës. 


Deri këtu qenë në rregull dhe nuk kishin çfarë, as pse të rrëfeheshin në rrënojat e katedrales së Parisit. Megjithatë ngulnin këmbë se duhej të rrëfenin hipokrizinë e tyre sepse përkundër këtyre, ishin vetë ata që vajtonin monumentet e shkatërruara në Lindjen e Mesme, por për dreq harronin mijra monumentet e shkatërruara në Shqipëri.

Po ashtu pikëlloheshin për të varfrit e të kequshqyerit në botë por prapë për dreq, harronin varferinë e kequshqyerjen e tyre, e të baballarëve të tyre nën thundrën e pushtimit të dreqit komunist. Për habi apo më saktë për hipokrizi nuk u kishte shku mendja fare se ndërkohë që bënin betejën epike fejsbukore për të nxjerrë në pah hipokrizinë e dy grupeve të para, duke qëmtuar fotomontazhe kontrastuese mes Katedrales së Parisit dhe xhamive të shkatërruara në Lindjen e Mesme apo femijve të uritur në Afrikë, nuk ishin lodhë fare me përkujtu 15 prillin, përvjetorin e varrimit të kryekriminelit apo si është bërë zakon t’i thuhet në dashtunim diktatorit Enver Hoxha. Njeriut qe izoloi shqiptaret dhe i ndau nga njeri-tjetri. Njeriut që është përgjegjës për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore shekullore të shqiptarëve, per vrasjen dhe persekutimin e qindra mijra shqiptarëve dhe izolimin, shtypjen, varfërimin e kequshqyerjen e miliona njerëzve, shqiptarë natyrisht!

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *