Aktualitet

Video/ Kreu i Tatimeve, Duro: Do të kontrollojmë 14 mijë bar-restorante

14:00 - 18.04.19 Gazeta Shqiptare

Rreth 14 mijë barrestorante do të kalojnë në sitën e tatimeve. Drejtoria e Përgji-thshme e Tatimeve njofton se nisi zbatimin në nivel kombëtar të një plani për menaxhimin e riskut në sektorin e bar-restoranteve, me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për vetëdeklarim korrekt. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i ‘Tatimeve, Elton Duro. “Ky plan është hartuar me asistencën e ngushtë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili do të ndjekë në vijimësi edhe zbatimin e tij, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri praktikën tatimore të trajtimit të riskut me metodologji bashkëkohore”, tha dje drejtori i përgjithshëm i ‘Tatimeve’, Enton Duro. Me këtë qasje DPT synon të komunikojë te tatimpaguesit e këtij sektori, përfitimet që kanë nga deklarimi i saktë i të dhënave tatimore, për të forcuar tek ata bindjen se ligji është i barabartë për të gjithë, shtoi ai. “Qëllimi ynë nuk është të penalizojmë, por të marrim angazhimin e tyre për përmbushje të detyrimit në të ardhmen, një tatimpagues korrekt nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Nëse qëllimshëm zgjedhin të mos jenë korrektë, atëherë administrata tatimore do të vijojë me vlerësimet sipas legjislacionit në fuqi”, – tha drejtori i përgjithshëm i ‘Tatimeve’, Enton Duro. Ky sektor është përzgjedhur pas vlerësimit analitik të deklarimeve të tyre tatimore, si një kategori me risk në përmbushje, formalizimi i të cilit lidhet ngushtë edhe me sektorë të tjerë si turizmi, tregtia, shërbimet etj..



Kontrollet
Rreth 14,000 tatimpagues të këtij sektori do të nxiten dhe ndihmohen që të përmbushin në mënyrë korrekte detyrimet si edhe t’i vetëkorrigjojnë ato, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë. Tatimpaguesit e këtij sektori në të gjithë vendin do të vihen në dijeni, secili në mënyrë të personalizuar, mbi treguesit e tyre të deklarimit jokorrekt, duke i ndërgjegjësuar mbi problemet, shkaqet dhe pasojat që sjellin deklarimet e pasakta.

Rekomandimi
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore i kanë sugjeruar qeverisë shqiptare të jetë më e qëndrueshme në politikat fiskale, shqetësim që është ngritur edhe nga sipërmarrjet, të cilat jo në pak raste e kanë pësuar nga ndryshimet e shpeshta fiskale. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, i është përgjigjur interesit të mediave lidhur me vizitën dhe takimet me institucionet ndërkombëtare në SHBA, ku theksoi se po merren masat që politikat fiskale të jenë më te qëndrueshme. Një tjetër shqetësim i institucioneve ndërkombëtare lidhet me menaxhimin e shpenzimeve dhe monitorimin e kontratave koncesionare. Më herët, ministrja Denaj mori pjesë në aktivitetin e Bankës Botërore, ku u prezantua projekti “Sistemi i integruar i financave publike”, i cili ka në thelb rritjen e transparencës në menaxhimin e fondeve publike.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *