BLUETOOTH

Blerina Matraku: Performancat live i shoh si të shenjta, muzikën e ndiej në inde

19:50 - 19.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Tingujt e muzikës janë të dashur për shpirtin, ashtu siç është ajo për publikun. Një artiste e jashtëzakonshme, që ka ditur të rritet profesionalisht me punën e palodhur e duke i mëshuar fort talentit të saj. Padyshim që e njihni të gjithë Blerina Matrakun, që për shumëkënd identifikohet si një nga këngëtaret më të pëlqyera te “Maratona e Këngës”. Bukuroshja vjen në një rrëfim për “Gazeta shqiptare”, për të ndarë me ne të pathënat e botës së muzikës dhe përtej shkëlqimit të saj. Ndër të tjera arrimë të zbulojmë se artistja ngelet po e njëjta edhe kur heq delirin e profesionit që ka. Fundja një artist nuk mund të quhet i tillë nëse nuk është i thjeshtë me ata që e duan e që e ndiejnë muzikën e tij. Matraku na tregon për punën intensive dhe për rikthimin e bujshëm që pritet nga dita në ditë, për Blerinën me shpirtin plot ngjyra që rrezaton pozitivitet, si dhe për detaje që rrallëkush i di për këngëtaren. Për të gjithë ata që mezi e presin projektin e fundit të saj, Blerina ka rezervuar një surprizë. Shumë shpejt do jetë gati për ju!




Blerina, publikun e ka marrë kaq shumë malli për ty! Si do ta rifitosh kohën e humbur?
Përshëndetje! Mendoj se kohën do ta rifitoj me nivelin artistik që do të sjell në këngët dhe në klipet e mia të reja. Të them të vërtetën, jam në punë e sipër për një këngë dhe një klip shumë të bukur, ritmik dhe goxha interesant. Uroj ta mbush siç duhet mungesën time edhe pse nuk është se kam munguar shumë, sepse në ‘Maratonën e Këngës’ gjatë verës së 2018 solla një këngë shumë të bukur nga mbrëmjet e së cilës krijova edhe një klip interesant ku edhe e kam publikuar me titull “Më duj”. Është pëlqyer mjaft nga publiku dhe për këtë jam shumë mirënjohëse.Dhe falënderuese.

Si nis ideja e një kënge e më pas, e një klipi për ty?
Frymëzohesh nga një tekst, nga një melodi, një muzikë… Çdo artist ka muzën e tij që e frymëzon dhe mbi të cilën jetëson krijimin e tij. Unë kam Lara Fabian, Indilën…frymëzohem nga vokalet e bukura.

Një këngë që nuk është për shijen tënde?
Një këngë që nuk është kënduar bukur. Një talent tjetër me të cilin je bekuar, veç këngës? Të bëj sport. Kam shumë e lidhur me sportin dhe natyrën, do kaloja orë të tëra aty.

Kënga më me vlerë shpirtërore që ke realizuar deri më tani?
“Paris” është kënga më e bukur, nuk mendon edhe ti kështu?! (qesh)

Në duart e kujt do ta lije me kënaqësi zërin tënd?
Në duart e Zotit.

Në ç’pikë do të doje të përsoseshe akoma?
Në performancë. Jo se gjej shumë gabime, por gjithmonë kërkoj më të mirën.

Çfarë ke bërë mbrëmë?
Mbrëmë kam qenë në mbrëmje live, e adhuroj të kënduarin live, të ndjesh muzikën gjallë, këngën deri në indet më të vogla.

Çfarë kërkon nga Blerina publiku para të cilit këndon pothuajse çdo natë?
Unë, thjesht këndoj me gjithë zemër. Unë e di që publiku këtë do, të këndoj me shpirt, me dashuri, të këndoj vërtet, të humbas në këngë, të vallëzoj me këngën.

Je mërzitur ndonjëherë duke kënduar?
Akoma jo dhe nuk besoj se do të mërzitem ndonjëherë. Je vajzë tërheqëse…

Çfarë ka pozitive dhe çfarë jo, në këtë fakt?
E bukura është të ndihesh shumë mirë, e realizuar dhe që këtu më pëlqen që gjërat e bukura të pëlqehen dhe kërkohen nga publiku.
Cili ka qenë qëllimi fillestar në rrugën tënde artistike dhe cili është tani?
Muzika është shumë afër perëndisë e duke qenë aq afër qëllimi kryesor ka qenë t’i bëja njerëzit të ndihen mirë përmes zërit dhe pse jo kjo gjë të jetë një vazhdimësi. Doja që zëri im të dëgjohej. Secili ka mënyrën e tij për të depërtuar tek të tjerët dhe mënyra ime ishte kënga. Tani, qëllimi im është të bëj këngë sa më të bukura dhe t’i jap diçka pozitive kësaj bote të mbingarkuar me probleme.

Cili është vendi më i përshtatshëm në botë, për të qenë femër?
Ai vend është kudo ku ndihesh mirë dhe e vlerësuar.

Vajzat e mira apo ato të këqija ecin më shumë në jetë?
Nuk ka vajza të këqija apo të mira, ka situata të cilat na bëjnë të këqija apo të mira. Unë jam e mendimit se vajzat që kanë arritur shumë, kanë pasur vizion dhe fokus në qëllimet e tyre.

Është e lehtë të marrësh nga publiku atë që do?
Nuk është edhe aq e lehtë. Po të ishte ashtu, nuk do të kishte vazhdimësi artistike. E theksoj që një artist duhet të japë maksimumin për të marrë atë që do nga publiku.

Është më mirë të dyshosh apo të besosh?
Asnjëra nga të dyja. Gjithsesi, njeriu duhet të besojë diku, përndryshe nuk mund të jetojë. Nuk ka se si të jetojë pa besim.

Sa njerëz interesantë ke njohur kohët e fundit?
Interesantë? Të gjithë njerëzit janë interesantë në mënyrën e tyre.

A e konsideron veten të suksesshme?
Përderisa ka më të suksesshëm, do të thosha, relativisht e suksesshme.

Cilat janë ato gjëra të bukura të cilat ia vlen të jetohen në jetë?
Gjërat më të bukura, për t’u jetuar janë. Të bëhesh ai apo ajo që gjithmonë ke dashur, pasardhësit, e mira, e keqja, të gjitha janë pjesë e jetës. Të gjitha duhen jetuar, madje edhe dhimbja. Nuk do të lija pa e ripërmendur natyrën. Njeriu nuk jeton dot pa natyrën.

Është më mirë të kesh shoqe apo shok të ngushtë?
Nuk është e rëndësishme shok apo shoqe, e rëndësishme është të kesh një mik(e) të mirë.

Projekti yt i ëndrrave, cili është?
Të vazhdoj të ëndërroj, të realizoj e të ndihem mirë, projektet të cilat publikohen janë të gjitha pjesë e ëndrrave tona.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.