KULTURË

Dita e Monumenteve Margariti: Të përdorim teknologjinë për promovimin e trashëgimisë

10:00 - 19.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Monumenti i Agonotetëve, ngritur mes gjelbërimit dhe kurorës së ullinjve, u kthye në një prej simboleve të këtij viti, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, në Shqipëri. Ministrja Elva Margariti zgjodhi pikërisht Apoloninë, një nga parqet më të rëndësishme arkeologjike në vendin tonë, për të dhënë mesazhin e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.




“Ajo që ndodhi në Paris duhet të na bëjë edhe më të ndërgjegjshëm për trashëgiminë tonë kombëtare, për ta mbrojtur atë dhe nga ana tjetër për ta promovuar edhe më tepër. Është e rëndësishme që teknologjinë ta përdorim në këtë drejtim. Është një formulë, tek e cila ne besojmë fort, që është ajo e dixhitalizimit për dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Sot mundësitë që na ofron teknologjia të gjithë mund t’i përdorim në shërbim të promovimit të kulturës”, u shpreh ndër të tjera ministrja Margariti, gjatë prezantimit në Apoloni të projektit 3D-IMP-ACT, të arritjeve të deritanishme nga skanimi deri te printimi 3D.

Ministrja Margariti, e shoqëruar nga drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, si edhe drejtues e specialistë të Parkut, vizituan disa prej monumenteve kryesore të Parkut, si mozaikun në vilën me Impluvium, murin rrethues Veri-Lindor të Manastirit, murin e Temenosit, por edhe Muzeun Arkeologjik dhe ekspozitën fotografike me imazhe nga Muzeu Kombëtar Etnografik Berat, në Trapezarinë e Manastirit të Shën Mërisë. Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet, datë e cila u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983. Që nga kjo periudhë, 18 Prill ka shënuar ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.