KULTURË

Eduart Makri Regjisori i “Shpellës së Piratëve” drejton Qendrën e Kinematografisë

18:45 - 19.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Qendra Kombëtare e Kinematografisë tashmë do të drejtohet nga regjisori Eduart Makri. Kontributi i tij njihet në kinemanë shqiptare, por edhe në teatër. Prej vitit 2000, ai ka jetuar dhe punuar në Kanada. Eduart Makri ishte në garë me Yllka Gjolleshën, producenten Elkjana Gjipali dhe kineastin Ilir Butka. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, i propozoi kryeministrit Edi Rama ish-drejtorin Ilir Butka dhe Eduart Makrin për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe shefi i qeverisë miratoi emrin e Makrit. Kanë qenë të shumë kineastët që janë zhgënjyer nga ky vendim, teksa kanë shprehur mirënjohjen e tyre për bashkëpunimin me Butkën. Bujar Alimani shkroi mes të tjerash se “jeta është e gëzueshme dhe asgjë s’do marrim në fund me vete, gjithçka këtu do ngelet. Veç disa gjëra natyrisht i mbajmë brenda vetes, i mbartim e udhëtojmë me to. Një nga këto gjëra ka qenë miqësia jonë, e cila do bëhet me e fortë në ditët që do vijnë. Miqësitë në kohët tona janë të rralla, por unë e konsideroj të tillë tonë,n e cila nis që nga TIFF e para dhe me vitet e fundit tejkaloi edhe institucionin që ti drejtove. E tejkaloi sepse personalisht nuk konsistoja thjesht në kalim projektesh. Jam shumë i lumtur që me ty si mik dhe si drejtues i atij institucioni nuk lëkunda asnjëherë besimin tënd, nuk i ngatërrova këto të dyja kurrë e shpresoj shumë me çfarë kam bërë në filmat e mi të jesh gëzuar dhe ti”. Vetë Butka njoftoi të mërkurën se, “sot nuk do të jem në drejtimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë”. Ai i uroi suksese kryetarit të ri punë të mbarë dhe suksese dhe falënderoi të gjithë ata që ndanë me të këtë rrugëtim të përbashkët gjatë këtyre viteve dhe kineastët, që i dhanë vlerë punës me krijimet e sidomos ata me suksese ndërkombëtare.




Më tej edhe Robert Budina ka shkruar me respekt dhe mirënjohje për punën e Butkës si kryetar i QKK për gjithë këto vite. “U përpoqe me mundësitë që kishe të vije standarde ndryshe në kinemanë shqiptare, që nuk mund të mos i përmend jo vetëm unë, por të gjithë ata që kanë punuar këto vite me institucionin që drejtove: U krijove mundësitë shumë kineastëve të rinj të realizonin ëndrrat e tyre, nxite institucionet përkatëse që kinematografia shqiptare të bëhet pjesë e Creative Europe, krijove mundësinë e bashkëprodhimeve minoritare. Me këmbëngulje të paepur rrite buxhetin e QKK, rrite prodhimtarinë e filmave shqiptarë, u krijove mundësinë producentëve shqiptarë të integroheshin me skemat europiane të prodhimit të filmit, rrite kontaktet me institucionet europiane të filmit, rrite aktivitetet që sillnin producentë dhe distributorë europianë në Shqipëri, krijove mundësinë që të rriteshin sukseset e filmave shqiptarë në festivalet më prestigjiozë botërorë, ishe afër nga ana njerëzore me kineastët që përballeshin vazhdimisht me probleme”, shkroi Budina. “Trishtimi im nuk është se ti nuk je më kryetar i QKK, sepse jam shumë i bindur që ti do të dish ta vazhdosh karrierën tënde artistike dhe produktive, trishtimi im është se puna, profesionalizmi dhe ndershmëria në këtë vend nuk janë kritere për politikëbërësit për të zgjedhur drejtuesit e institucioneve, por ky nuk është vetëm faji i tyre, ky është mentaliteti ynë që prodhojmë të tillë politikëbërje! Gjithsesi, me mundësitë që u krijove, bëre më shumë kineastë të zotë të punës së tyre dhe sigurisht që kur ka njerëz të zotë në punën e tyre, krijohen premisat për ta ndryshuar këtë mentalitet”!

MAKRI
Eduart Makri ka lindur në 5 qershor të vitit 1957 në qytetin e Gjirokastrës. Është aktivizuar që në moshë të re në estradë dhe teatrin profesionist të Gjirokastrës. 14 vjeç ishte pjesë e grupit nismëtar për Teatrin e Kukullave të Gjirokastrës, ku luajti edhe rol në shfaqjen e parë. Pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti e Arteve) në degën e Aktrimit fillon punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” si regjisor dhe skenarist. Në kinematografi roli i tij i parë si aktor do të jetë ai i Vasos në filmin “Vëllezër dhe shokë” në vitin 1980. Më tej do të vazhdonin interpretime të tjera si ai në rolin e Aristotelit në filmin televiziv “Agimet e Stinës së Madhe”, Gjergji në filmin “Besa e kuqe”, Andrea në filmin “Në emër të lirisë”, Pirro në filmin “Shpresa” etj. Në regjisurë pjesëmarrja e tij e parë do të jetë si as.regjisor i dytë në filmin “Plaku dhe hasmi” në vitin 1981, duke realizuar gjithsej 11 regji si asistent regjisor në po kaq filma duke bashkëpunuar me regjisorë të njohur si Gëzim Erebara (Artist i Merituar), Hysen Hakani, Kujtim Çashku (Artist i Merituar), Xhanfize Keko (Artiste e Popullit) etj. Si regjisor, filmi i parë i drejtuar plotësisht prej tij do të jetë filmi “Shpresa” në vitin 1989 e ndjekur në “Shpella e Piratëve” 1991. Në vitin 1993 fillon punën si pedagog në Akademinë e Arteve. Në vitin 1997 do të zgjidhet Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit të Kulturës dhe Arteve “Fan Noli”. Në vitin 1997 do të emërohet drejtor i Departamentit të Filmit dhe Spektaklit në Televizionin Publik Shqiptar. Në vitin 2000 largohet nga atdheu për në Kanada. Në teatër ai do të interpretojë disa role me trupën e Teatrit të Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti e Arteve) si psh., rolin e Kronstadit në dramën “Shtëpia e kukullës” apo rolin e hetuesit në dramën “Vdekja e një vajze”. Me vendosjen e tij në qytetin e Torontos (Kanada) ai do të vazhdojë profesionin e tij. Roli i tij i parë do të jetë ai i Andre Tristan, piktorit në filmin “This is Wonderland” në vitin 2004. Interpretimin e tij më të fundit do të jetë në rolin kryesor në filmin “Missing” Season 3, Episode “Cut ” në rolin e Viktor Brosky-t në vitin 2006. Eduart Makri është anëtar me të drejta të plota i ACTRA-s (Alliance of Canadian Cinema, Television and Radio Artists).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.