EKONOMI

Biznesmenë sauditë në Shqipëri: Shumë mundësi për investime, presim ofertat

16:15 - 20.04.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një delegacion biznesmenësh të njohur të Arabisë Saudite, anëtarë të Dhomës së Tregtisë, po vizitojnë Shqipërinë, vendet turistike dhe atraktive duke parë mundësinë për investime në vendin tonë. Biznesmenët sauditë, të cilët vijnë për herë të parë në Shqipëri me ftesë të Kryeministrit, operojnë në sektorët e shëndetësisë, real estate, turizmit dhe hotelerisë, ndërtimit, industrisë, minierave, telekomunikacionit dhe elektronikës, produkteve agro-ushqimore etj.




Delegacioni i biznesmenëve i shoqëruar nga ambasadori ynë në Arabinë Saudite Sami Shiba, kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe Ministri i Turizmit Blendi Klosi, ndaloi këtë fundjavë në Durrës dhe një pushim të këndshëm e bëri në mjediset e “Prestige Resort”.

Kreu i delegacionit Muneer M. Bin Saad tregon për News24 se gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri kanë parë shumë vende tërheqëse në Tiranë, në veri dhe jug.

“Tashmë ndodhemi në Durrës. Është një bregdet shumë i këndshëm, mot i mirë. Prestige Resort është një vend fantastik. Jam i bindur që do të jetë shumë i ngarkuar me turistë. Ndërkohë në vend ekonomia po përmirësohet, në Tiranë dhe në qytete të tjera. Po shohim mundësinë për të investuar në Shqipëri. Delegacioni ynë është i kënaqur që ndodhet në Shqipëri. Kemi gjetur shumë mundësi. Jemi të impresionuar nga ajo që kemi parë. Zhvillimi po ecën gjithnjë e më shumë me ritme të shpejta. Shpresoj të bashkëpunojmë së bashku në sektorin e ekonomisë. Ju falenderoj të gjithëve, edhe Ministrin e Turizmit për kohën që po na kushton ne. Kemi në plan të investojmë në Shqipëri. Do të nisim investimet. Disa prej kolegëve tanë do të investojnë në qendër të Tiranës dhe në bulevardin e ri. Është një qytet atraktiv, i këndshëm, njerëzit të presin ngrohtë. Ministri i Turizmit është shumë serioz në qëndrimin e tij për t’i dhënë qëndrueshmëri turizmit në Shqipëri”.Bader Suliman pronar i një kompanie ndërtimi, e sheh Shqipërinë si një vend të  bukur dhe premtues për investime.

“Mendojmë se ekziston një potencial i madh për ekonominë shqiptare pas ndërtimit të infrastrukturës dhe përputhjen me nevojat e turistëve. Nëse rregullohet infrastruktura do të keni një impakt shumë të mirë turistik. Është një peisazh i bukur, njerëz të mirë, ushqim i mirë. Mendojmë se ka një potencial të madh për të investuar këtu.

Jemi në fazën paraprake duke mbledhur fakte. Po përpiqemi të zbulojmë se çfarë lloj investimesh mund të bëjmë. Jemi kryesisht biznesi i ndërtimit, kështu që linja jonë e punës është në projektet e infrastrukturës. Tashmë po bisedojmë me zyrtarët dhe biznesmenët, po njihemi me planet e tyre, ofertat që paraqesin dhe kushtet që na ofrojnë. Vendimin do ta marrim pasi të shohim të gjitha këto”.

Arabia Saudite ka në plan të sjellë edhe turistë në Shqipëri. Shefi ekzekutiv i kompanisë “Flyas”, Bander Almohanna beson se vendi ynë i ka të gjithë elementët që përputhen me kërkesat e turistëve saudite.

“Jemi shumë të sigurtë që Shqipëria do të jetë një ndër vendet lidere në turizëm dhe ne do të jemi të lumtur të marrim pjesë dhe të kontribuojmë me qeverinë. Mendoj se Shqipëria është ende një vend i virgjër dhe ka shumë mundësi për biznesmenët për të eksploruar. Deri tani kemi vizituar qytete turustike, Tiranën dhe Durrësin dhe të dyja janë tërheqëse. Jam i interesuar të shoh edhe vende të tjera por ajo çfarë kam parë deri tani është mbresëlënëse. Resorti ku po qëndrojmë na ka surprizuar me pamjen që ofron, shërbimin, cilësinë e ushqimit. Mendojmë të investojmë edhe këtu”.

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako thotë për News24 se interesi i delegacionit të bizesmenëve arabë është drejtuar edhe tek Porti i Durrësit, i cili është një prej porteve më të mëdhenj të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe një nga portet që ka pozicion gjeografik shumë të përshtatshëm për rajonin në përgjithësi, Maqedoni, Kosovë, Bosnjë apo Serbi.

“Facilitetet që administrata e bashkisë, ministritë, qeveria shqiptare po i krijon investitorëve u duk edhe në këtë takim të sotëm, ku ata shprehën shumë interes dhe janë në hapa konkrete të konkretizimit të disa investimeve që duan të realizojnë në Shqipëri, por edhe në rajonin Durrës-Tiranë, shpresoj që në fund të këtij viti, t’i konkretizojmë bashkëpunimet tona dhe t’i prekim investimet që ata do të realizojnë në Durrës.

Ne krijojmë klimën, gjithë lehtësirat dhe gjithë dokumentacionin që atyre iu duhet për t’i bërë të mundur që ata të vijnë dhe të investojnë në Durrës. Pra, ne japim garanci që investimet e tyre në qytetin e Durrësit janë të paprekshme dhe janë investime që do t’i rikthehen për arsye të të gjithë faciliteve tona. Që do të thotë se ne jemi të hapur të ndihmojmë me licensimet, me lejet e ndërtimit, me administratën, e cila të jetë aktive dhe prezente në të gjitha kërkesat që ata kërkojnë sepse janë investitorë të huaj dhe nuk e njohin mirë territorin e Durrësit dhe për këtë arsye ata kërkojnë një garanci, një mbështetje nga ana e institucioneve lokale dhe padyshim nga ana e atyre qëndrore. Dhe ne këtë padyshim ua kemi ofruar dhe synojmë që të bashkëpunojmë për të investuar sepse investimi sjell vende pune, sjell zhvillim ekonomik dhe mirëqënie për të gjithë”.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi që ishte pranë biznesmenëve gjatë qëndrimit të tyre në ‘Prestige Resort’ thotë se Shqipëria ofron një paketë kushtesh për të mbështetur investimet e huaja vecanërisht në turizëm.

“Në kuadër të kësaj iniciative ne sot kemi disa hotele me pesë yje në vendin tonë, marka të reja ndërkombëtare të cilat kanë arritur të gjejnë marrëveshje me biznesmenët lokalë sic është edhe hotel Prestige, i cili garanton një standart me pesë yje në vendin tonë. Po ashtu edhe vizita e Dhomës së Tregtisë nga Arabia Saudite dhe disa grupeve të tjera që po shtohen gjithnjë e më shumë, janë shprehje e interest se politikat nxitëse, po ashtu stabiliteti i vendit, politikat ekonomike dhe qëndrueshmëria në rritjen ekonomike të ekonomisë shqiptare i bën investitorët e huaj të garantuar se këtu do të gjejnë një atmosferë shumë të rëndësishme për turizmin, një atmosferë të mbrojtur dhe natyrisht me biznes, pasi rritja e numrit të tursistëve në Shqipëri dhe qëndrueshmëria e rritjes së turzimit në përgjithësi, dëshmon për ta një garanci se biznesi i tyre do të ketë fitime dhe do të ketë sukses”.

Grupi i biznesmenëve të Arabisë Saudite vijon vizitat dhe takimet në Shqipëri, për të zbuluar të panjohurat për këtë vend të vogël e të bukur pranë Adriatikut, me synimin për të qenë të pranishëm këtu përmes bizneseve dhe investimeve të tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.