KULTURË

Eva Mendoza: Një film shqiptaro-spanjoll, historia nis më 1978-ën

20:05 - 20.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Shqipëri 1997. Një imazh video, rrëqethës e i vjetruar, i shfaqet çdo natë si një makth Julianit, duke e zgjuar prej gjumit. Pas gati njëzet vjetësh nga vrasja e gruas së tij, Angjelinës, Juliani kthehet në Shqipëri i vendosur të hetojë mbi vdekjen e saj mes një deti regjistrimesh të pabesueshme, dosjesh policore e vizionesh të botës së përtejme. Ky është me një fjali, sinopsi i filmit “Zgjimi i Enver Simakut”. I realizuar nga regjisori i ri, Marco Lledó, ai rrëfen hetimin e një gazetari (Julien Blaschke), gruaja e të cilit është vrarë para 20 vjetëve, i cili kthehet në Shqipëri për të hetuar për vdekjen e saj misterioze, në përpjekje për të kuptuar atë që ka ndodhur realisht. I përshkruar nga vetë kineasti si një përzierje e realitetit dhe trillimit, ky “thriller”, emocionues që zgjat 106 minuta do të shfaqet të martën 23 prill, ora 19:00 në kinema “Milenium” (Tiranë). Hyrja është e lirë dhe filmi shfaqet me titra në anglisht. Në shfaqjen e filmit do të jenë të pranishëm një pjesë e madhe e trupës shqiptare përveç të tjerëve, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Lulzim Guhelli, Viktor Zhusti, Ema Andrea, Laert Vasili, Piro Milkani, Julien Blaschke si dhe drejtori spanjoll i filmit Marco Lledó dhe ekipi i produksionit. Të pranishëm do të jenë gjithashtu, përfaqësues të jetës kulturore dhe kinematografike shqiptare, ambasadori i Spanjës në Shqipëri dhe stafi i tij, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë. Vetë regjisori është shprehur se “gjëja e parë dhe më e habitshme është të mbërrish në një vend kaq të panjohur e të t’i hapin dyert tej e tej. Të gjesh kaq shumë mbështetje e kaq shumë pasion edhe pse bëhet fjalë për një projekt të vogël si ky i yni. Ndonjëherë nuk jam në gjendje të dalloj nëse është Shqipëria apo Elsa Bakshevani, producentja ime e asociuar dhe Anastasi Prodani, mbështetja tjetër e imja atje. Me këtë dua të them që nuk e di nëse përvoja do të kish qenë e njëjtë me persona të tjerë. Sinqerisht dyshoj. Por, është gjithashtu e vërtetë se ka një frymë të përgjithshme në Shqipëri, që ndryshe nga Spanja, bën që gjërat të ndodhin më shpejt. Në një mënyrë më të improvizuar ndoshta. Më të shpejtë, më pak burokratike”.




Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, zëvendësambasadorja e Spanjës në Shqipëri, Eva Mendoza, tregon si nisi historia dhe kalendarin kulturor në vendin tonë.

– Si erdhi realizimi i këtij filmi?
Është një histori personale e regjisorit. Gjithçka zë fill me një udhëtim të babait të tij në vitin 1978, kur ishte pjesë e një delegacioni të Partisë Komuniste Marksiste Leniniste, linja e fortë e të majtës antifrankiste. Ai udhëtim i la një mbresë të pashlyer. Një mbresë që ia transmetoi të birit përgjatë viteve dhe që e frymëzoi atë si regjisor. Në vitin 2005, ai erdhi për herë të parë në Shqipëri me të dashurën e tij në atë kohë, që më pas u bë bashkëshortja e tij e që sot është drejtoreshë e fotografisë e filmit. Marrëdhënia mes tyre lindi prej atij udhëtimi, kur jetonin në Gjermani për studime. Nisi kështu të kërkojë mbi Shqipërinë, që ai e quan një vend me një lloj mistike të veçantë. Ai ka thënë se është një vend ku i pëlqen të kthehet. Ai erdhi për shkak të një historie personale dhe më pas u bë një vend me të cilin kishte lidhje të vetat. Ajo që ne si ambasadë po përpiqemi të bëjmë, është se po përpiqemi të gjejmë lidhjet që kemi dhe po zbulojmë gjëra të përbashkëta mes Spanjës dhe Shqipërisë, ndaj për ne ky film është shumë i rëndësishëm, sepse është hera e parë që një prodhim spanjoll është xhiruar i gjithi në Shqipëri, me një histori shqiptare e aktorë shqiptarë. Duke parë të gjitha këto, shpresojmë që kjo të jetë nisja e diçkaje më të madhe.

– Si pritet filmi në Spanjë?
Për Spanjën ishte fantastike, sepse ishte një zbulim. Është shfaqur në festivale dhe tani shfaqet në kinema. Kushdo që e ka parë filmin në Spanjë është magjepsur, sepse për ta, kjo është ende një tokë për t’u zbuluar dhe e panjohur. Megjithëse ne kemi tashmë në duar statistikat dhe jemi të lumtur të zbulojmë se tri vite më parë ka pasur 7 mijë spanjollë në vit që vinin për të vizituar Shqipërinë dhe tani, vitin e kaluar kishte 24 mijë spanjollë që kanë ardhur në Shqipëri.

– Aktorët më të mirë shqiptarë janë në film. A do ketë bashkëpunime të tjera pas këtij?
Shpresoj që po. Kanë folur për një bashkëpunim magjik. Nuk di të them sot çfarë do të them, por uroj që do të ketë bashkëpunime të tjera.

– Ambasada e Spanjës ka një kalendar shfaqjesh filmash. A është pjesë e programit tuaj në Shqipëri?
Çështjet kulturore janë pjesa që na intereson më shumë. Filmi na intereson shumë, sepse për shkak të buxheteve është mënyra më e mirë për të treguar kulturën e një vendi, ndaj ne kemi programe të përmuajshme të shfaqjes së filmave. Janë të premtet e filmave në “Marubi”. Në kinemanë e Kuçovës do të çojmë javën e Kinemasë Spanjolle dhe organizojmë edhe ditën e filmit të shkurtër më 21 dhjetor, që është dita më e shkurtër e vitit. Një mënyrë tjetër është bashkëpunimi për promovimin e gjuhës me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja e departamentin e spanjishtes. Sa i takon letërsisë, përveç një shfaqjeje me studentët e Arteve, do të ketë edhe lexime publike të “Don Kishotit”.

– Duke qenë se jemi te “Don Kishoti”, një prej veprave më të lexuara në Shqipëri. Ju, si një njeri që keni diçka më shumë se një vit në Shqipëri, a e keni gjetur këtu “Don Kishotin”, ose njeriun idealist që lufton me çdo gjë? A keni hasur të tillë?
Mendoj se po. Nga ana kulturore, mendoj se kam gjetur këtu njerëz të mahnitshëm të brezit të ri, që janë të zotët e bëjnë gjëra të bukura e të mëdha për vendin e tyre e për vete dhe kanë ide që mund të ndikojnë te jetët e të tjerëve. Sa për shembull, ne kemi një çmim për të rinjtë në botë, që kanë bërë ndryshim në jetët e të tjerëve. Këtë çmim do t’ua sugjerojmë edhe të rinjve në Shqipëri. Dhe mendoj se po, ka njerëz si kudo, që edhe këtu po bëjnë një ndryshim për vendin.

– Një shkrimtar i njohur shqiptar, Petro Marko, që ka qenë në Spanjë gjatë luftës civile, ka shkruar një vepër, ku flitet për luftën e për dashurinë nën titullin “Hasta La vista”. Ai dhe vepra e tij janë mbase pika lidhëse mes Spanjës dhe Shqipërisë…
Me këto lloj lidhjesh që ju përmendni, ne po përpiqemi të planifikojmë ngjarje kulturore, që sjellin ide interesante së bashku. Ne po organizojmë një takim, që krahason ose vë përballë mes dy periudhave kohore të tranzicionit nga komunizmi në demokraci e në Spanjë nga diktatura e Frankos në demokraci. Ky takim do të jetë një lloj debati mes artistëve shqiptarë e spanjollë, kryesisht nga kinemaja, por edhe ekspertë për të treguar se si ishte të krijoje në atë kohë.

– Pra, si mbijetuan e si krijuan gjatë regjimeve?
Ata do tregojnë si i shohin periudhat tranzitore dhe mendoj se do jetë interesante, sepse kanë qenë krejt të ndryshme, por qasja artistike mund të ketë pika të përbashkëta dhe nga ana e çështjeve kulturore, mendoj se do ketë ide interesante dhe ato që do të thuhen, do të botohen për të dhënë panoramën mes dy vendeve dhe kjo do të jetë një urë mes dy vende që kanë shumë ngjashmëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.