SPORT

Gega pret ende matematikën: Partizani luan për vete

11:33 - 20.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Me titullin kampion në dorë, por me matematikën që ende nuk e lejon të festojë, Partizani kërkon të kalojë sa më shpejt edhe këtë pengesë për të zyrtarizuar trofeun që i mungon për më shumë se çerekshekulli. Pas një jave pushim, ku mori tri pikët në tavolinë dhe nga televizori shijoi humbjen e rivalëve direkt, Skënder Gega dhe të besuarit e tij kthehen në fushën e lojës për transfertën kundër Kastriotit. “Nuk besoj se ka ndeshje të lehta. Jemi përgatitur edhe për fushën. As unë s’kam qenë i kënaqur. Janë ca gjëra s’mund t’i rregullojmë tani. Do të doja që edhe Kruja të kishte fushë më të mirë. Jemi besimplotë, e kemi potencialin”, ka thënë Gega në konferencën zyrtare për mediat. Trajneri i Partizani i është përgjigjur sërish aludimeve për aleanca në këtë fazë të sezonit, të ngritura kryesisht nga Tirana.




“Kam çuar një mesazh “Fair Play”. Kundërshtarët shekullorë i duam në ligë. Nuk varet nga ne. Është puna e tyre, janë dobësitë e tyre. Jam trajner i Partizanit dhe do të ngelem i Partizanit edhe jashtë fushës. Tirana i jep bukuri, edhe Dinamo, edhe Shkodra. Do të doja të ishin gjithmonë në ligë. Mendoj që derbi i fundit është interesant. Do mundohemi për maksimumin. Në konferencë për shtyp nuk bëjmë muhabet tavolinash. Është perceptimi i tij. Është e drejta e tij si t’i shpërndajë gjërat që i ndodhin në punë. Në Gjirokastër nuk është ekipi i parë dhe i fundit që kemi humbur. Nuk kam asnjë lloj komenti”, ka vijuar Gega. Duke iu kthyer çështjes titull, tekniku i skuadrës së kuqe vazhdon të presë matematikën, pavarësisht se rivalët direkt tashmë janë dorëzuar. “Ndoshta i shikojnë gjërat më me diplomaci. Kemi edhe 7 javë, shpresoj të jemi këtu përballë një fakti. Deri në momentin e fundit nuk do të them se jemi kampion. Tani kemi Krujën”, ishin fjalët e Skënder Gegës. Pushimi i ka bërë mirë kryesuesëve të Superligës, që kanë rikuperuar disa lojtarë të rëndësishëm, teksa edhe Bruno Telushi është kthyer në skuadër pas operacionit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.