KULTURË

Nga “La Scala” tek Artet, rikthehet në skenë violinistja kryeqytetase Suela Piciri

19:29 - 20.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dita e enjte solli në skenën e Universitetit të Arteve koncertin e violinistes Suela Piciri dhe pianistit Klevis Gjergji. I mbajtur falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, si një ndër projektet fituese të vitit 2019 dhe me një program mjaft të guximshëm, koncerti i duos Piciri-Gjergji paraqiti kryevepra të literaturës botërore nga tre kompozitorë mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri, përsa u përket qasjeve estetike dhe elementëve karakterizues. Sigurisht që interpretimi i sonatave për piano dhe violinë nga autorë të tillë si Bethoven, Brahms dhe Debussy është një sipërmarrje aspak e thjeshtë për interpretuesit, por sikurse rezultoi, siguron një variacion të mirëpritur nga publiku kryeqytetas. Suela Piciri, diplomuar në Universitetin e Arteve, i rikthehej skenës së saj mbas një periudhe shumëvjeçare.




Me një karrierë tashmë të konsoliduar në Itali, në një nga teatrot më të rëndësishëm sikurse është “La Scala” e Milanos, Piciri rikonfirmoi cilësitë e saj artistike duke dëshmuar pjekurinë artistike të një violinisteje karriere. Gjergji, diplomuar në Spanjë, me një sërë specializimesh në Holandë dhe Austri, ndërkohë që doktoraturën për piano e ka mbrojtur në Beograd, ngjitej për të disatën herë në skenën e Universitetit të Arteve dhe sikurse në koncertet e mëhershme, qoftë solistike e qoftë nën shoqërimin e orkestrës së RTSH, përmbushi pritshmëritë e publikut, që tashmë e njeh dhe surprizoi atë të ri, sidomos përsa u përket aftësive vetëkontrolluese në raport me violinisten Piciri. E themi këtë sepse, sikurse dhe u konfirmua nga vetë artistët, ishte hera e parë që interpretonin së bashku dhe për më tepër, nisur nga angazhimet e të dyve, mundësitë për prova ishin disi të reduktuara. Sonata Nr. 5 op. 24 e Bethoven-it, e quajtur “Frühlingssonate”, thënë shqip “Sonata e Pranverës”, titull ky që nuk i atribuohet vetë Bethovenit, hapi programin e duos Piciri-Gjergji. Vepra fillon në një sintoni të kënaqshme, udhëhequr nga melodia e violinës nën shoqërimin e pianos, role këto që pak më mbrapa, sikurse edhe shpeshherë përgjatë veprës, do të këmbehen. Interpretimi vjen i përmbajtur, thuajse në sordinë, por të dy instrumentistët krijojnë një marrëdhënie të këndshme reciprociteti materializuar natyrshëm përgjatë rrugëtimit të veprës.

Kalimi nga njëra kohë në tjetrën pasqyron bindshëm logjikën e unitetit ndërtuar me mjeshtëri nga Bethoven. Programi pasohet nga Sonata Nr. 2, op. 100 në Do maxhor e Johannes Brahms, të cilën në vend të…. për violinë dhe piano, për të respektuar titullin dhënë nga vetë Brahm-si, duhet ta quajmë… për piano dhe violinë. Dëshirën për të barazuar rolet e të dy instrumenteve, e pse jo për t’i dhënë rol kryesor pianos, Brahms-i e shpërfaq që në fillim të veprës, duke i besuar vërshimin e temës së parë pianos. Sonata Nr. 2, e njohur edhe si “Thun” ose “Meistersinger Sonata”, tituj këto të fundit për të cilët ka mjaft spekulime, konsiderohet si sonata më e vështirë për piano dhe violinë ndër tri sonatat e kompozuara nga mjeshtri i madh për këto instrumente. Gjithsesi, Piciri dhe Gjergji ia dalin mjaft mirë të realizojnë një paraqitje mëse dinjitoze, madje edhe në pasazhet e vështira kontrapunktike, duke evidentuar qartë materialin tematik tek secili prej instrumenteve në alternimet e vazhdueshme dhe aspak të thjeshta ritmikisht. Sonata për violinë dhe piano në Sol minor e Claude Debussy ishte përzgjedhur si vepra përmbyllëse e koncertit. Historia e muzikës na dëshmon se kjo ishte edhe vepra e fundit e kompozuar prej Debussy, pavarësisht faktit se ishte parashikuar si pjesë e një cikli prej gjashtë sonatash. Në fakt, vendosja e kësaj vepre në fund të programit, sikurse dhe renditja e veprave në tërësi, rezultoi në një crescendo jo aq kohore sesa cilësore.

Loja në sordinë, thuajse e ndrojtur, në fillim të programit me Bethoven, tashmë ia kishte lënë vendin finesës së Debussy-s dhe sigurisë interpretuese të sjellë me një tingëllim mjaft më rezonues. Ndryshimet e befta të dinamikave interpretohen me mprehtësi nga Piciri-Gjergji, ndërkohë që secili prej tyre është në kontroll të plotë përgjatë pasazheve virtuoze jo të pakta në këtë vepër. Debussy në këtë vepër ka preferuar transformime të menjëhershme qoftë në dinamika dhe tesiturë, e qoftë në figura ritmike. Sigurisht që një procedurë e tillë paraqet vështirësi për çdo instrumentist dhe publiku në sallë nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të admironte sigurinë me të cilën Suela Piciri dhe Klevis Gjergji ia dilnin interpretimit të tyre notë mbas note e masë mbas mase. Por besojmë se cilësia dhe profesionalizmi me të cilin u interpretuan veprat ia vlejti, qëkurse menjëherë mbas notës së fundit publiku vërshoi në duartrokitje, të cilat i detyruan artistët të ktheheshin disa herë në skenë. Koncerti i duos Piciri-Gjergji mbahet në kuadër të një turneu, të cilin instrumentistët po e zhvillojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Takimi i radhës do të jetë në 22 prill në festivalin “Chopin Fest” mbajtur në Prishtinë. Në fakt, një mënyrë e tillë organizimi e aktivitetit koncertor përbën një praktikë të kahershme në mbarë botën. Ndoshta kjo do mund të ishte një zgjidhje e zgjuar edhe për vendin tonë e disa vende të rajonit, në mënyrë që sikurse në rastin konkret, të sigurohen koncerte cilësore nga profesionistë, të cilët nuk mungojnë as brenda e as jashtë vendit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.