OPINION

Zemra nuk gjeneron ndjenja, shkenca ka të drejtë

12:04 - 20.04.19 Çapajev Gjokutaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Trupin do ta lë këtu, është udhë e largët dhe s’e marr dot me vete, thotë princi i vogël i Exupery-së pak çaste para se të zhduket.




Kurse gjatë novelës përsërit disa herë se thelbi i gjërave është i padukshëm, nuk shihet dot me sy, shquhet vetëm me zemër.

Por shkenca thotë se zemra nuk gjeneron ndjenja, është vetëm një muskul i madh që pompon gjak. Dhe shkenca ka të drejtë. Ka zbuluar e ç’nuk ka zbuluar kjo gjykatëse e pamëshirshme, por shpirtin nuk ka arritur ta gjejë. Mbase nga që nuk ekziston.

Shkenca është gjë e madhe, pa zbulimet e saj të shndërruara në teknologji, jeta e njeriut do të ishte vuajtje e tejmbushur me mundime dhe mungesa.

Por pa shpirtin dhe zemrën – paçka se të dyja mund të jenë thjesht metafora a sendërgji – jeta e njeriut do të qe e muzgët, mbushur me pasiguri, ankth e frikë.

Trupi im do mbetet këtu, si lëkurë e vjetër e braktisur, bëlbëzon princi i vogël. Dhe lexuesit i kujtohen narrativat e stërlashta me trup të përkohshëm e shpirt të përjetshëm, trup që mbetet e tretet këtu dhe shpirt që vazhdon të gjallojë në qiejt e amëshimit.

Shumkush mund të thotë se këto narrativa janë krijuara për të ngushëlluar njeriun, i premtojnë përjetësinë që të mos tmerrohet nga vdekja. Dhe kjo ngjan logjike.

Por, edhe po qe e vërtetë, është vetëm një pjesë e saj. Pjesa tjetër, mbase edhe më e rëndësishme, është se njeriu mbijeton tek tjetri, në shpirtin dhe zemrën e tij.

S’ka nevojë për ferr, ferri është tjetri, tha filozofi. Por mbase edhe ky tha vetëm gjysmën e së vërtetës. Gjysma tjetër është ajo që dimë të gjithë dhe që duhet ta kujtojmë çdo ditë: të jetosh në shpirtin dhe zemrën e tjetrit është si të kesh bujtur në parajsë.

Fundjavë të larmishme me trup e shpirt e zemër, bashkë me TJETRIN

( Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ )


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.