KULTURË

AKUZA SI BASHKËPUNËTOR/ Visar Zhiti: Fantazmagori absurde e patologji revanshi

18:00 - 21.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Xhelatët dhe viktimat e komunizmit janë vënë sërish përballë në demokraci, në një “luftë” ku po trajtohen si të barabartë e ku ndonëse kanë kaluar 30 vite nga rënia e regjimit, askush prej atyre që mbajtën poste drejtuese nuk u penalizua për krimet kundër njerëzimit. Kur debati me/për të shkuarën ka mbetur vetëm temë tryezash për trajnime, pa arritur kurrë në llogaridhënie e mbajtje përgjegjësie, vendi ynë ka njohur vetëm një “gjyq kafesh” si shpagim për mëkatet zhurmëmëdha. Asnjë fjalë për jetët e humbura, jetët e shkërmoqura, asnjë fjalë e asnjë penalizim për ligjet “mesjetare” apo tejkalimin e tyre. Asnjë i dënuar për krimet që pat bërë në emër të popullit, asnjë i dënuar as për ata që e patën tejkaluar ligjin dhe patën persekutuar për interesa të vetat nën maskën e makabritetit të një regjimi autoritar. Dikush është “dëmshpërblyer” me para nga shteti për jetën e çuar dëm e tmerret e jetuara, por a blihet e shkuara me para? Përgjigja është doemos jo, sepse askush e asgjë nuk t’i kthen dot më mbrapsht vitet e humbura në skuta, lluca e burgje. Përtej kësaj, shembulli i krijuar në vendin tonë është precedent i rrezikshëm. Të mos dënosh kriminelët e një regjimi dhe të krijosh modelin e kulturën e mosndëshkimit (duke i mbytur klithmat me këste të dhëna para zgjedhjeve si lëmoshë), ka krijuar siç dihet Shqipërinë e rrudhur në banorë, kur shumëkush zgjedh të ikë nga një vend që nuk e njeh drejtësinë as në raport me të shkuarën, as në raport me të tashmen. Thënë kjo, ne ende rrekemi të “blejmë” të shkuarën përmes “dëmshpërblimeve”, qoftë kjo si shpagim për ish- të përndjekurit, qoftë kjo si mitmarrje për tashmen. Modeli që vendosëm e pranuam dikur, duke mos vënë para drejtësisë fajtorët është kthyer në sistem dhe sistemet janë të vështira të zhbëhen. Si rrjedhojë e sa më sipër, ne po përballemi me një situatë logjikisht krejt utopike. Xhelatët e kahershëm po shijojnë lirinë në “kapitalizmin” që patën dënuar e madje janë ende xhelatët tanë. Tashmë në një formë të re. Duke qenë se mbrojtja më e mirë është sulmi, në mungesën e institucioneve që do të duhej t’i kishin dënuar a t’i dënonin edhe tani, ata përdorin të drejtën e fjalës për të sulmuar e “dënuar” së dyti ata që i patën dënuar e sulmuar njëherë, duke i çuar jetët e tyre në tehun e thikës. Duke qenë se shpesh na e ka ënda të krahasohemi me Gjermaninë a të marrim shembull prej saj (jo vetëm) por kryesisht për çështjet e përballjes me të shkuarën, ish-xhelatët nazistë janë arrestuar dhe dërguar para drejtësisë edhe kur i kanë kaluar të 80-at, edhe me identitete të ndryshuara e, edhe nëse kishin shkuar literalisht në fund të botës. Rasti shqiptar është mjerisht i dhimbshëm dhe i turpshëm: ne nuk vumë askënd para drejtësisë, por i emëruam në sistemet e drejtësisë, që edhe njëherë të na interpretojnë ligjet sipas midesë së vet. Ata u ribënë ekspertët “sui generis”. Ndërsa të përndjekurit u “gëzoheshin” thërrimeve që ua hodhën, përndjekësit ndërtuan një sistem të ri sipas modelit të vjetër, kur në krye të piramidës qëndrojnë ironikisht, po ata. Çorba që kemi gatuar është prishur e mban erë, por ne kemi zgjedhur të mbyllim hundët. Jemi sërish të mësuar e bashkëjetojmë me banalitetin e së keqes, që tashmë ka ndërruar formë për t’u kthyer në normalitet e mënyrë e të qenurit. Nuk ka një përgjigje deri kur as pse kaq gjatë. Nuk ka një përgjigje për asgjë. Për aq kohë sa amullia vazhdon, për aq kohë sa sistemi është ky, na mbetet vetëm të shohim se deri ku do shkojnë dhe nëse do dinë të ndalin. Ne na është dhënë në duar lodra e lirisë, por dikush tjetër e ka telekomandën e saj. Ne mund të mendojmë se ajo nuk funksionon, por dikush tjetër e ka ndalur atë.




RASTI “VISAR ZHITI”

Së fundmi, Edmond Caja, ish-kryepolic në kampin e Qafë- Barit e me banim në Gjermani e ka akuzuar Visar Zhitin si gënjeshtar dhe bashkëpunëtor të regjimit. Ndërsa një debat i gjerë ka përfshirë atë, një deputet dhe disa prej shoqatave që kanë në fokus të punës së tyre zbardhjen e krimeve të së shkuarës, shteti shqiptar, luan rolin e vëzhguesit asnjanës. I pyetur nga “GSH” për sulmet që atij dhe Agron Tufës i janë bërë së fundmi nga disa personazhe publike që kanë qenë pjesë e strukturave në regjimin komunist e për të cilët ka edhe dokumente, shkrimtari Visar Zhiti, që ka vuajtur burgjet dhe persekutimin komunist, qe mjaft i qartë. “Sulmet që na bëhen sot nga ata që kanë mbajtur uniformat e diktaturës së dikurshme, që kanë punuar në organet e dhunës a të mbrojtjes së saj, pra nga ata që kishin punë persekutimin janë jo vetëm fantazmagori absurde dhe patologji e revanshit, por edhe të rrezikshme, pra të dënueshme”, tha Zhiti për “GSH”. Në prononcimin e tij, ai theksoi se ,“janë dy herë të dënueshme, herën e parë duheshin dënuar si dhunues profesionistë dhe tani si shpifës ordinerë, ndotës të mjedisit mendor e shpirtëror”. Shkrimtari, që përmes letërsisë së burgut ka rrëfyer si ishte të jetoje mes kampeve e burgjeve komunistë në Shqipëri, tha se të paktën “na vjen mirë që atë që s’e ka bërë dhe s’po e bën dot politika moralisht dhe drejtësia ligjërisht, po e bën opinioni i shëndoshë, që për fat ende është, për aq sa ka mundur të gjejë hapësira mediatike, duke shpërthyer kundër kthimit të vegimeve horror e mashtrimit tradicional. Intelektualë, ish-të persekutuar, gazetarë, anonimë, shkrimtarë, grupime të tyre etj., edhe nga vende të tjera të botës, që nga Italia, Zvicra e në SHBA, gazeta ‘Dielli’, VOAL, PEN-i Internacional etj. janë të indinjuar, madje të fyer”.

Në fund të prononcimit të tij për “GSH”, Zhiti tha se “po goditet e vërteta, qëndresa ndaj totalitarizmit barbar, morali, po nëpërkëmbet vuajtja njerëzore, shumëçka që meriton nderim. Të keqes i duhet prerë rruga, ndryshe ajo bëhet më e keqe dhe e qëndrueshme, s’ikën siç dhe na ka ndodhur gjatë, shumë gjatë. Këtë duan të bëjnë ata, të dikurshmit e tanishëm, të tmerrshëm e fantazmagorikë”.

REAGIMI
Ka pasur së fundmi edhe një reagim nga PEN-i shqiptar, që gjykon se sulmet ndaj shkrimtarit Visar Zhiti janë veprime të qëllimshme, akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë. Entela Kasi, presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë (PEN Internacional, me seli në Londër) thotë se sot nuk është koha që të pyesim se për çfarë arsye shkrimtari Visar Zhiti, ish-i burgosur politik, intelektual i përmasave evropiane sulmohet në Shqipëri. Sipas saj, sot është koha që të pyesim se si këto akte të qëllimshme, amorale, kriminale gjejnë hapësirë në media të caktuara në shtypin shqiptar. “Kjo është pyetja që shtrohet sot nga shkrimtarët e huaj, nga elitat e mendimit botëror të ‘PEN International’ dhe jo vetëm. Persekutorët kanë dhe mbajnë detyra të larta në Shqipëri, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë!”, shkruan presidentja e PEN-it shqiptar. Për të, kjo është një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, e cila pas rënies së Murit të Berlinit, ka dështuar duke veshur me pushtet dhe imunitet të gjithë ata individë, të cilët duhet të ishin jo vetëm jashtë jetës politike të vendit, por duhej të ishin përballur me akuzat për krime, të cilat i kanë kryer në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

“Kjo është e vërteta, të cilën e artikulojnë elitat e mendimit botëror të letërsisë në ‘PEN International’, lidhur me këtë çështje. Pyetja tjetër që shtrohet është: si ka mundësi që intelektualët, shkrimtarët dhe njerëz të medias në Shqipëri, lidhur me këtë çështje nuk kanë të njëjtin reagim për rastin e shkrimtarit Visar Zhiti? Kësaj pyetjeje, e cila na drejtohet të gjithëve në Qendrën PEN të Shqipërisë po i përgjigjem në statusin e drejtueses të PEN, Qendrës së Shqipërisë”, nënvizon ajo. Në vijim, Kasi vëren se për aq kohë ata që shkruan aktekspertiza kundër shkrimtarit Visar Zhiti në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri për dënimin e shkrimtarit, sot i kemi në ekrane, në auditorë të promovuar, të mbrojtur, të pushtetshëm, ky është tregues se persekutorët e djeshëm nuk mund të jenë garant për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri e për më tepër të jenë misionarë të lirisë. Personalisht, si njeri dhe si drejtuese e PEN – Qendrës së Shqipërisë përulem me respektin më të thellë ndaj shkrimtarit shqiptar, Visar Zhiti. Sot shoqëria politike, institucionet e shtetit, shoqëria intelektuale, akademikët, shkrimtarët e njohur të vendit duhet të veprojnë për të ndaluar çdo akt e sulm ndaj shkrimtarit Visar Zhiti. Nëse ne lejojmë që të tilla ngjarje të përsëriten kështu siç vërtet po ndodh, nëse ne heshtim, ne të gjithë pa përjashtuar askënd, po pranojmë që të nëpërkëmbet, shkelet, cenohet çdo vlerë e dinjitetit njerëzor në Shqipëri”, thekson Entela Kasi në emër të PEN-it shqiptar.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.