OPINION

Gjithshka për të rinjtë?

07:25 - 22.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Alçide de Gasperi, ish-kryeministër italian (1945-1953) dhe një nga themeluesit e Evropës së Bashkuar që kemi sot, deklaronte se “Një politikan mendon për zgjedhjet e rradhës. Një burrë shteti për brezat që vijnë”. Qeveria ngeli në diskutime pa bukë me trupën e trembur dhe të paaftë të drejtuesve të sotëm të universiteteve tona shtetërore. Përse e bën një gjë të tillë? Për t’u treguar studentëve se e ka seriozisht Paktin për Universitetin? Kur të vetmen gjë që është në gjendje të bëjë me kuadrin ligjor të sotëm është të përgjysmojë tarifat e shkollimit në universitetet publike(e ka bërë) dhe të investojë më shumë për kampuset-qytetet në miniaturë universitare(po e bën). Por edhe vetë qeveria e di mirë se kaq nuk mjafton. Se nuk është as një e pesta e nevojave për punësim dhe orientim normal të të rinjve tanë.




Edhe pse renditemi të dytët në EUropë për nivelin e kalimit në arsimin e lartë(universitete) të të rinjve tanë(me afro 68 përqind. Na e kalon vetëm Finlanda me 70 përqind!), jemi pas Modalvisë(të fundit) në kontinentin tonë, për nivelin e trajnimit dhe të punësimit ndër të rinjtë. Përqindja jonë e të rinjve të papunë të patrajnuar dhe pa arsim, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO),  është 32.8 përqind (https://www.ilo.org/europe/whatsnew/WCMS_565190/lang–en/index.htm). Praktikisht një i ri i tillë i papunë në tre. Moldavia, vendi më i varfër i Evropës e ka 28 përqind. Është për të pasur turp. Është aktakuza më e fortë për qeveritë tona të papërgjegjshme për trajtimin e të rinjve në gati tri dekada. Nuk mjafton vullneti i mirë qeveritar. Nuk mjaftojnë 800 vendet e punës të gjetura në administratën tonë shtetërore për studentët më të mirë(të ekselencës), edhe pse është një risi me vlerë. Me një dallëndyshe nuk vjen pranvera. Qeveria duhet t’i hyjë detit me këmbë. Njëlloj si ka bërë me një veprim dy vjet më parë, bashkëqeverisja me qytetarët. Veprim i cili, edhe pse i ndërmarrë me populizëm të jashtëzakonshëm, sërisht vijon të ushqejë pak shpresë tek njerëzit për drejtesi në zgjidhjen e halleve të tyre.

Ka një model të mrekullueshëm të punësimit të të rinjve, që është modeli zviceran. Pse të mos e kthejmë ëndrrën tonë të vjetër për të patur në Shqipëri një Zvicër me det? Në Zvicër, kompanitë e vogla dhe të mëdha, fabrikat moderne dhe agjencitë e sigurimit, bankat, spitalet dhe dyqanet e shitjes me pakicë pranojnë nxënës për të kryer praktikën. Në praktike ata përshëndesin konsumatorët dhe punojnë me makineri të ndërlikuara. Janë 30 përqind e kompanive zvicerane që marrin pjesë në sistemin e arsimit profesional. Pse? Sepse qeveria federale zvicerane(disa kantone japin edhe më tepër) ofron lehtësira të forta fiskale(zbritje taksash) për të tilla kompani. Mund ta bëjmë edhe ne?  70 përqind e adoleshentëve në Zvicër e kalojnë javën e tyre duke shkuar sa nga një vend pune në një organizatë sektoriale në një tjetër. Pas dy-tre  vitesh trajnimi dhe eksperience të tillë të fituar, në këmbim, zviceranët kanë një “kontigjent talentesh”, ose si i quajne ndryshe, “profesionistët e rinj”. Mund ta provojë qeveria jonë diçka të ngjashme edhe këtu tek ne? Mos po ëndërrojmë shumë? Sidoqoftë, presim nga qeveria të bëjë diçka(përtej takimeve-spektakël me pedagogë e drejtues të trembur universitetesh publike dhe me studentë të përgatitur enkas), për të mos u lënë 40-45 mijë të rinjve 21-25 vjeç të vendit si alternativë vetëm kafenetë, në pritje të një mundësieë për të emigruar. Jemi ndër vendet e rralla në Evropë(ndoshta Moldavia mund të jetë si ne dhe pak Kosova) dhe në botë, ku brezi i ri(edhe ai që po shkollohet në universitetet tona jopublike) e sheh perspektivën e punësimit në Shqipëri më të errtën e mundshme. Dhe nuk ka hiç besim se gjërat mund të marrin për mirë një ditë tek ne. Një pesimizëm i tillë dhe mungesë perspektive kaq masiv tek brezi më optimist në jetë është katastrofik. Qeveria duhet të fillojë të lëvizë. Ministrat e saj që duhet të mbahen përgjegjës për çështjet e punësimit, ia vlen të mos kënaqen me rritjen e nivelit të punësimit, ngaqë Shqipërisë i janë larguar 300 mijë të aftë për punë, si emigrantë të rinj ekonomikë në gjashtë vitet e fundit. Po ashtu, të mos kënaqen me një ligj të porsamiratuar nga komisionet e Kuvendit për nxitjen e punësimit, pse thjesht përbën një nxirje letrash për disa OJF që duan të justifikojnë disa fonde donatorësh. Nëse duam të japim gjithshka për t’i kthyer shpresën këtij vendi, është tek puna, kujdesi qeveritar për të rinjtë. Kemi 28 vite indiferencë totale dhe vrastare ndaj tyre. Përse të mos e fillojmë me disa trajta të para, qoftë dhe të ndrojtura, të modelit zviceran?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.