SHËNDET

Garuli: Shenjat që tregojnë se fëmija juaj ka çrregullime në sjellje

18:00 - 22.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Para moshës 7 vjeçare, fëmijët mund të shfaqin një lloj çrregullimi të vëmendjes, i njohur ndryshe si ADHD. Në një intervistë për suplementin ‘Life Pages’ në ‘Gazeta Shqiptare’, psikologia Lorela Garuli tregon se fëmija mund të paraqesë nivele më të larta impulsiviteti, mungesë vëmendjeje dhe hiperaktiviteti sesa fëmijët normalë. Ajo shton se djemtë preken më shumë nga ky çrregullim e më tej tregon të gjitha simptomat për 3 kategoritë e grupit të sjelljeve ku fëmija mund të shfaqë çrregullime. Psikologia jep disa këshilla të vlefshme e praktike për të gjithë prindërit e vogëlushëve të prekur nga ADHD.




Çfarë është çrregullimi i vëmendjes?
Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet (Attention Deficit Hyperactivity Disorder ADHD) përcaktohet si shfaqja e një grupi sjelljesh ku fëmija paraqet nivele impulsiviteti, mungese vëmendjeje dhe hiperaktiviteti më të larta sesa fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë.

Kur shfaqet zakonisht ky çrregullim dhe kë prek më shumë?
Zakonisht këto vështirësi shfaqen përpara moshës 7-vjecare. ADHD konsiderohet çrregullimi më i përhapur i periudhës së fëmijërisë së hershme dhe prek më shumë djemtë se vajzat. Problematikat e fëmijëve me ADHD bëhen shkak për shfaqjen e një sërë vështirësive në kontekstin familjar, shkollor, në marrëdhënie me prindërit, motrat/vëllezërit, shokët/shoqet e klasës, me mësuesit e me radhë.

Si kategorizohen simptomar e ADHD?
Simptomat dhe karakteristikat e ADHD ndahen në tri lloje. ADHD ka tre fusha kryesore, të cilat shfaqin problematikat dhe simptomat, përkatësisht: vëmendja, hiperaktiviteti dhe sjelljet impulsive. Mungesa e vëmendjes do të thotë që fëmija bën gabime të shpeshta pakujdesie; nuk i kushton vëmendje detajeve; harron ndjekjen e rutinave dhe detyrave të përditshme; duket sikur nuk dëgjon kur i flasin; nuk e mban dot vëmendjen në kryerjen e detyrave apo gjatë lojës; ka vështirësi në organizimin e detyrave apo aktiviteteve; nuk i ndjek udhëzimet që i jepen; ka vështirësi në kryerjen e detyrave që kërkojnë ngarkesë të lartë mendore dhe përqendrim (siç janë rëndom detyrat e shkollës); shpesh humb gjëra të cilat janë të domosdoshme për detyrat apo veprimtaritë (libra, fletore); shpërqendrohet dhe hutohet lehtësisht.

Cilat janë shenjat e hiperaktivitetit?
Hiperaktiviteti nënkupton që fëmija: Bën lëvizje përsëritëse me duar ose këmbë, në shenjë nervozizmi ose padurimi, nuk rri ulur në klasë apo mjedise të tjera, në të cilat qëndrimi ulur është i nevojshëm, vrapon, kërcen, hidhet së tepërmi në situata të papërshtatshme, flet shumë dhe pandërprerë, është gjatë gjithë kohës në lëvizje dhe duket sikur nuk lodhet kurrë.

Po impulsiviteti si shfaqet?
Kur është impulsiv fëmija ka vështirësi në mbajtjen e radhës dhe kur i duhet të presë, nis të kthejë përgjigje përpara se t’i bëhet pyetja e plotë, ndërpret të tjerët kur flasin, futet në mes të një loje, bisede apo aktiviteti që të tjerët po kryejnë.

Sa është i përhapur ky çrregullim dhe cilat janë shkaqet e tij?
Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet prek më shumë djemtë sesa vajzat, në një raport 2:1. Në Shqipëri mungojnë shifrat dhe statistikat, por duke iu referuar atyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpërndarja e këtij çrregullimi varion nga 4% deri 7%. Shkaqet e çrregullimit janë gjenetike, pra është një çrregullim që trashëgohet. Gjithashtu, stresi, duhanpirja dhe sëmundje të nënës gjatë shtatzënisë, konsiderohen faktorë të mundshëm. Fëmijët që vuajnë nga ky çrregullim kanë dëmtime në kujtesën e punës, në kontrollin e sjelljeve motorike, në rregullimin e emocioneve dhe procesit të motivimit.

A ka lidhje çrregullimi i vëmendjes me ato të të nxënit?
Si rrjedhojë e vështirësive në ruajtjen e vëmendjes qoftë dhe për të kryer një detyrë të thjeshtë, fëmijët që vuajnë nga ADHD kanë rendiment të ulët shkollor dhe vështirësi të shumta gjatë procesit të të nxënit dhe shkollimit, pavarësisht inteligjencës së tyre që është brenda normave. Kështu, ka një lidhje të ngushtë mes këtyre dy çrregullimeve. Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet bashkëshoqërohet me një prej çrregullimeve të të nxënit (disleksi, diskalkuli, disgrafi) në një masë prej 70%-80%.

Si duhet të sillen prindërit që kanë fëmijë me ADHD?
Prindërit që kanë një fëmijë me çrregullimin e vëmendjes me hiperaktivitet, kanë një rol dhe përgjegjësi direkte sa i përket ndihmës që duhet t’u japin fëmijëve të tyre.

Çfarë duhet të bëjnë prindërit e fëmijëve me ADHD:

Të nxisin motivimin e fëmijëve, duke treguar njëkohësisht shumë durim me ta.
Të vendosin rregulla të qarta, të kuptueshme dhe rutina të mirëpërcaktuara.
Është thelbësore që mjedisi ku jeton dhe mëson fëmija të jetë shumë i organizuar, i pastër, të qetë dhe pa stimuj të panevojshëm.
Ta ndihmojnë me detyrat e shkollës.
Të përdorin materiale për të organizuar kohën (ora muri, ora me rërë apo pajisje të ngjashme).
Të përdorin një ditar ku të shënohen aktivitetet e përditshme të fëmijës.
Të mbështjellin kopertinat e librave të shkollës, fletoreve, dosjeve dhe materialeve të tjera, me ngjyra dhe formate të ndryshme, për ta ndihmuar fëmijën t’i dallojë më lehtë.
Të përdorin stenda/tabela/kartona muri në dhomën e fëmijës, ku shënohen oraret e aktiviteteve ditore, javore, mujore të fëmijës.
Ta angazhojë fëmijën me aktivitete fizike; sportet në skuadra janë një variant shumë i përshtatshëm.
Të komunikojnë me një gjuhë të thjeshtë, qartë dhe shkurt.
T’ia japin udhëzimet një nga një, me radhë, duke qenë se këta fëmijë kanë vështirësi të mbajnë mend shumë gjëra njëkohësisht.
Të mos qortojë në mënyrë të vazhdueshme sjelljet e papërshtatshme të fëmijës; ato që nuk kanë shumë pasoja të rëndësishme, më mirë të neglizhohen.
Të mos e qortojë në prani të të tjerëve, apo t’u tregojë atyre për “bëmat” e fëmijës (gjë të cilën fatkeqësisht prindërit e bëjnë shpesh).
Të përforcohen sjelljet pozitive, përpjekjet dhe përparimi që bën fëmija, duke theksuar pikat e tij të forta.
Të kenë një aleancë bashkëpunimi me shkollën dhe mësuesit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.