DOSSIER

“Mu hodh në gjoks”/ Denoncimet e të burgosurave për drejtuesit e komunizmit

09:14 - 22.04.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për të gjithë ata që ngrinin pikëpyetje të kota duke thënë se në burgje, për shkak të frikës o arsyesh të tjera, nuk kryheshin abuzime e përdhunime, dokumentet e Arkivit të Shtetit tregojnë të vërtetën. Jo se nuk ishin besuar ata njerëz që kanë jetuar nëpër burgje si të burgosur dhe disa gjëra i kanë parë me sytë e tyre, por se dokumentet janë gjithnjë më të besueshëm. Të rrish me orë e ditë të tëra në arkiv, raste si këto të mëposhtmet do të gjesh pa fund. Mund të ketë edhe më të rënda se kaq, por kemi shkëputur një prej tyre. Rasti i Lika Panajotit, dëshmia e saj, tregon më së miri se disa prej bashkëkohësve, vetëm të vërtetën që nuk thonë. Dëshmi reale, përveç dokumenteve, sot nuk është e mundur të gjenden për shkak të viteve që kanë kaluar, por deri në histori të tjera që mund të dalin prej Arkivit të Shtetit, lexoni këto…




Komitetit Qendror të P.K. Shqiptare

(Organizatës së Inspektimit, Tiranë)

Bashkëngjitur iu dërgojmë një deklaratë të lëshuar nga e burgosura Lika Panajoti, e cila gjendet në burgun e sektorit të Punëve të Brendshme të rrethit tonë. (E burgosura nuk është anëtare partie).

Kjo deklaratë lëshohet kundër shefit të seksionit të Punëve të Brendshme, Miftar Nexhipit, i cili është edhe anëtar i Komitetit të Partisë. Shoku Miftar para të burgosurës është treguar njeri pa karakter. Këtë e vërteton jo vetëm deklarata e lëshuar nga vetë e interesuara, që ka dy muaj që provokohet prej Miftarit, por kjo i ka rënë në sy edhe sekretarit të celulës, ka rënë në sy të Sigurimit, shokut Hilo Priftit, anëtar partie, ka rënë në sy të shefit të Punëve të Brendshme, Nikollaq Vangjelit, dhe të dy policëve që janë korrierë të seksionit.

Këto provokime prej Miftarit kundrejt të burgosurës paskan filluar qysh më 1 maj 1948 dhe akoma vazhdojnë të bëhen ende sot. Këtë e ka parë vetë me sytë e tij sekretari i celulës, zv.shef i Sigurimit, Mane Sinani, dhe gjithë shokët e tjerë që thamë më lart japin prova për këto provokime. Nga ana e Sinanit, ky proces i është dërguar personalisht nënkolonelit Vaskë Koleci, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, për të marrë masat e duhura qysh me datë 13 qershor 1948 dhe akoma përgjigjja s’ka ardhur.

Komiteti i Partisë këtë gjë e mësoi në datë 24 qershor nga një letër që e burgosura ia lëshonte Toto Kalemit, kryetarit të Komitetit Ekzekutiv dhe anëtar i Komitetit të Partisë. Ajo i tregonte për gjërat që kishin ndodhur dhe i kërkonte ndihmë.

Kur Komiteti i Partisë e thirri Mane Spahiun, ku, përveç se kishte kopjen e procesverbalit të cilën po jua dërgojmë, shton duke thënë: nuk ia kam thënë partisë deri sot, për arsye se kam shkruar nga ana e kanalit zyrtar dhe për të mos u bërë alarm ia kam bërë personalisht Vaskë Kolecit.

Kjo çështje shokut Miftar, akoma nuk i është vënë në dukje nga ana e Komitetit të Partisë (ndërkaq ai vazhdon punën e tij). Nuk ia kam vënë në dukje, duke menduar se do të jetë më mirë t’u bëjmë të ditur ju dhe më pas si ta shihni ju të arsyeshme, mbasi çështja e shokut Miftar ka edhe çështje të tjera, gjë që e di edhe shoku Mithi Vjerc, i cili ka biseduar me dy sekretarët e këtij komiteti dhe mbasi mori aprovimin tonë, tha: “Miftarit mos ia thonë në Komitet, mjafton me kaq! Ne mbasi të bisedojmë edhe një herë, do t’ju përgjigjemi. Këto kanë qenë arsyet që ne nuk ju kemi thënë”.

Shtojmë se shoku Miftar para 3 muaj e gjysmë, kur shkonte me anëtaren e partisë Refiti Demën, i ka bërë një provokim. Këta shkuan për punët e partisë në lokalitetin Roskovec. Kur iu vu në dukje, shoku Miftar i tha Komitetit “unë s’e pata me qëllim, por ajo nuk di shaka”. Tani, kohët e fundit, na del që Miftari, kur ishte shoqja Gjena Bele, nëpunëse në sekretarinë e Punëve të Brendshme (sot, e përjashtuar si kandidate) e ka provokuar, por pasi ajo nuk pranoi, e hoqi nga puna (kjo çështja e Gjenës nuk ka qenë shumë e kontrolluar).

Lutemi mbasi ta merrni në studim, na tregoni mënyrën e veprimit, mundësisht sa më shpejt se mos dekonspirohet nga korrierët e seksionit dhe ne dyshojmë se mos shoku Miftar mund të bëjë ndonjë gjë kundrejt të burgosurës për të mbyllur gabimet e tij.

Ne propozojmë se për t’u parë në vende nga ana e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të dërgohet një i deleguar.

Shënim: Lika është dënuar përpara muajit prill. Nga ana e moralit ka qëndrime të mira.

P.K. Partisë së Rrethit Fier, Sekretari politik, Lili Bele

Deklaratë:

E nënshkruara Lika Panajoti, lindur dhe banuese në këtë qytet, kam qenë në punishten e furrës speciale të këtij qyteti dhe më datë 5.4.1948 për abuzime detyre, kam rënë në burgun e policisë së këtushme duke marrë dënimin prej gjyqit me gjashtë muaj.

Gjatë kësaj periudhe që qëndroj në burg, jam provokuar nga shefi i këtij seksioni, shoku toger Miftar Nexhipi, si kam deklaruar më poshtë…

Jam e martuar me Koli Panajotin dhe kam tre fëmijë, ndër të cilët, një vajzë të rritur. Dënimi im është i lehtë dhe mund të lëviz lirisht në mjediset e policisë ku merrem me pastrimin e dhomave, e veçanërisht të zyrës së shefit të Seksionit të Punëve të Brendshme, komunistit Miftar Nexhipi.

Ai përfiton nga rasti dhe më kërkon atë punë, por jo në zyrën e tij. Ai arrin të më puthë disa herë dhe të më shtrëngojë pas trupit. Ndërkohë, im shoq i ka bërë një kërkesë Prokurorisë së Vlorës që të diktojnë çështjen dhe të më lirojnë.

Ajo kërkesë duhej firmosur, gjë që nuk është bërë ende. Me këtë rast, janë shtuar provokimet e shefit, si kusht për lirimin tim. Më thotë se më ka dashur që kur isha jashtë dhe se vazhdon të më dojë, pavarësisht se jam e martuar. Unë i jam përgjigjur se e dua gjithashtu, por se duhet të ruheshim nga policët se mos ndodh ndonjë skandal.

Ai betohet për ideal se e ka seriozisht. Kjo situatë përsëritet përditë, sa herë shkoj për pastrim në zyrën e tij, ngacmimet vazhdojnë me kapje e puthje. Por gjithmonë i kërkoja të më lironte për ta vazhduar këtë punë jashtë. Në atë seksion punonte edhe një kushëri i imi si oficer i Sigurimit.

E bisedova çështjen me të, por mendimi i tij ishte se mos shefi donte të provonte ndershmërinë time dhe nuk kishte qëllime për vete. Megjithatë, ai premtoi se do ta bisedonte edhe me zv.shefin, Mane Sinanin. Ky e thirri në zyrën e tij dhe i kërkoi shpjegime, por pasi e dëgjoi i pati thënë se këto janë fatet e njeriut, por unë të mos mërzitesha, të vazhdoja me disa premtime të vogla deri sa të kuptonin më mirë punën.

Mbas disa ditësh, nga dritarja e hapur e zyrës së shefit, zëvendësi i tij Mane Sinani, na pa të përqafuar. Por edhe pas kësaj skeme dashurie, Mane nuk e bëri problem këtë çështje. Më pasi kërkova të largohesha 2-3 ditë në shtëpi, të më ndihmonte, por më tha se nuk kishte mundësi pasi nuk donin shokët.

E pyeta kush nuk donte, Mania? Nëse ishte ai, mund t’i kërkoja leje vetë… Ai mendonte se ishte gabim t’i thosha, por nëse ai pranonte, më kujtoi të mbaja fjalën. I thashë se bënte gabim që mendonte kështu dhe për të qenë e besueshme, i thashë të vinte në dhomën time të mbaronte qëllimet e tij.

Më tha se kishte frikë nga policët, por po të doja, mund të rrinim në zyrën e tij. Por në zyrë nuk bëhen të tilla gjëra, iu përgjigja. Më përsëriti se më ka dashur që jashtë, por se i ka ardhur zor të më thotë. U tregova e çuditur dhe vijova t’i them se do kishte qenë më mirë të më kishte thënë që jashtë, sepse ashtu unë nuk do të kisha rënë në burg.

Kështu gjërat vazhdonin çdo ditë, por në datën 12.6.1948 u përkeqësuan, pasi shkova për pastrim dhe ai më thotë se nuk do më ndahet pa më puthur, të bëhej ç’të bëhej. I them se do të na shihnin nëpunësit dhe do na merrte dreqi të dyve, por ai si i tërbuar m’u hodh në gjoks si gjarpër i keq, ndërsa unë e shtyja dhe po përpiqesha të dilja përjashta.

Ai i vuri krahët derës dhe unë s’kisha nga të dilja, përveçse nga dritarja. Por ai më afrohet, më zë prej trupi duke më tërhequr pas vetes. Thashë se do bërtisja, por ai vazhdonte se do ta arrinte qëllimin. I thashë edhe një herë se mund ta vazhdonim jashtë, nëse më lejonte të dilja, madje se mund të vazhdonim gjithë jetën.

Për sa deklaroj më sipër, ju siguroj se janë të gjitha të vërteta dhe ato që deklaroj i bën me qëllime të caktuara, se kërkon të përulë elementët e pushtetit dhe jam gati të pranoj çdo pasojë, por se sipas besimit që kam ndaj pushtetit, jam e sigurt se ky provokim që më bëhet nga toger Miftari më jep shembullin e udhëheqësve të Ballit dhe për mua është e tejkaluar.

Për sa më sipër, jam gati të deklaroj ku ta lypë nevoja dhe e kërkoj këtë të padrejtë deri në fund. Të gjitha thëniet e mësipërme, pasi i lexova mirë, i firmos me firmën time origjinale./ Panorama

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.