AKTUALITET

Beskida Aliaj: Procedura që duhet ndjekur për të studiuar në shtetin italian

19:00 - 23.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta për vitin e ri akademik 2019-2020 në universitetet italiane tashmë mund të njihen me procedurën që duhet të ndjekin për të aplikuar për vizë studenti. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, drejtuesja e patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj flet për kërkesën që duhet të plotësojnë studentët, afatet e aplikimit si dhe dokumentacionin e plotë që duhet dorëzuar për t’u pranuar. Të interesuarit duhet të kenë parasysh që iu nevojitet një llogari rrjedhëse personale e hapur në një nga institucionet bankare italiane të pranishme në Shqipëri që vërteton zotërimin e kriterit minimal të burimeve financiare me një shumë prej €5.953,87 në vit, në emër të studentit. Gjithashtu, studentët duhet të dorëzojnë edhe dokumentet e vërtetimit të vendbanimit në Itali si dhe sigurimin shëndetësor.




Si mund të aplikojnë për vizë studenti të interesuarit që dëshirojnë të studiojnë në Itali gjatë vitit akademik 2019-2020?
Studentët me banim në juridiksionin e Kancelarisë Konsullore të Tiranës, të cilët kanë paraqitur kërkesë për pararegjistrim universitar pranë kësaj kancelarie konsullore, mund të bëjnë kërkesë për vizë studimi “regjistrim në universitet” duke marrë takim në Zyrën e Vizave, nëpërmjet shërbimit Prenota Online.

Kur është afati i fundit i aplikimit dhe kur do të mund të marrin vizën fituesit?
Për t’u mundësuar studentëve pjesëmarrjen në provimin e pranimit, duke përfshirë edhe provën e gjuhës italiane, kjo Zyrë Vizash do të lëshojë një vizë hyrëse brenda datës 23 gusht 2019. Ftohen studentët të paraqiten në kohë, mundësisht brenda datës 19 gusht 2019.

Si vijon procedura pas hyrjes në shtetin italian?
Brenda 8 ditë pune nga hyrja në territorin italian, studentët, të cilët janë pajisur me vizë duhet të paraqesin kërkesën pranë kuesturës përkatëse për pajisjen me lejen e qëndrimit.

Sa është pagesa për kërkesën e vizës së studimit?
Kërkesa për vizë studimi për regjistrim universitar kërkon një pagesë prej €50, e cila nuk kthehet mbrapsht. Pas verifikimit të kërkesave sipas ligjit, ambasada italiane do të lëshojë vizat hyrëse për studim/universitet. Mbetet e vlefshme kompetenca e autoritetit konsullor për mosdhënien e vizës për vlerësim të rrezikut të emigrimit.

Lëshimi i vizës nuk nënkupton njohjen e titujve apo regjistrimin, të cilat mbeten kompetencë ekskluzive e universiteteve.

Cili është dokumentacioni që duhet të dorëzojnë studentët?
Studenti duhet të dorëzojë këto dokumente: formulari i kërkesës për vizë; pasaporta me vlefshmëri mbi tre muaj nga data e skadencës së vizës; fotokopje të faqes së pasaportës me të dhënat personale; 2 fotografi të kohëve të fundit format dokumenti; certifikatë lindjeje në origjinal në formatin me shumë gjuhë e apostiluar, nëse nuk e keni dorëzuar në fazën e para-regjistrimit; deklaratë vlefshmërie e titullit të studimit shqiptar, që mundëson regjistrimin në universitetet italiane (nëse nuk është kryer në fazën e para-regjistrimit).

A nevojiten dokumentet që vërtetojnë vendbanimin në Itali?
Po duhet edhe dokumentacioni që vërteton vendbanimin në Itali. Nëse do të jetoni pranë personave privatë duhet një deklaratë mikpritjeje dhe bashkangjitur fotokopje e një dokumenti identiteti të firmosur nga pritësi (nëse është shtetas i huaj: fotokopje e lejes së qëndrimit të vlefshme për periudhën që ju fton dhe kartës së identitetit; nëse është shtetas Italian duhet fotokopje të pasaportës ose e kartës së identitetit). Ndërsa nëse do të jetoni pranë enteve, institucioneve, kongregacioneve fetare duhet të dorëzoni një deklaratë mikpritjeje nga enti, bashkë me një fotokopje të një dokumenti identiteti të firmosur nga ftuesi; kopje e kontratës së qerasë të firmosur, e nëse do të jetoni në hotele, pensione nevojitet një vërtetim prenotimi për një muaj.

Sa duhet të jenë të ardhurat minimale të deklaruara nga studenti për të vijuar studimet në shtetin Italian?
Duhet bërë deklarimi i të ardhurave financiare për jetesën. Duhet një llogari rrjedhëse personale me urdhër te parevokueshëm transferte, të hapur në një nga institucionet bankare italiane të pranishme në Shqipëri që vërteton zotërimin e kriterit minimal të burimeve financiare të përcaktuara nga MIUR me një shumë prej €5.953,87 në vit, në emër të studentit. Për të vërtetuar këtë kërkesë nuk mund të përdoren para në dorë, garanci ekonomike të dhëna nga persona jashtë familjes, fidejucione bankare apo police fidejucionare. Kërkohet, gjithashtu, paraqitja e dokumentacionit të apostiluar dhe të përkthyer në italisht, që vërteton situatën e përgjithshme ekonomike të familjes (vërtetime pune të pjesëtarëve të familjes, prona, të ardhura të tjera). Nëse keni fituar një bursë studimi e cila nuk e mbulon shumën e caktuar nga MIUR, atëherë studenti duhet të paraqesë garanci financiare për diferencën e mbetur. Gjithashtu nevojitet disponibilitet mbi shumën që duhet për riatdhesim (me avion rreth €200) e vërtetuar edhe paraqitjen e biletës së kthimit.

Çfarë duhet të dorëzojnë studentët për njohjen e gjuhës italiane?
Nevojitet certifikatë e njohjes së gjuhës, përkatësisht vërtetimi përkatës i njohjes së gjuhës italiane( vetëm për degët në gjuhën italiane). Autoriteti konsullor mund të vlerësojë njohjen efektive të gjuhës italiane gjatë intervistës në momentin e kërkesës së vizës edhe duke kryer në raste të caktuara edhe një test të shkurtër me shkrim. Për degët universitare në gjuhë të huaj duhen vërtetime të barasvlefshme. Gjithashtu, duhet dorëzuar edhe sigurimi shëndetësor i kryer pranë shoqërive siguruese si shqiptare ashtu dhe italiane me kohëzgjatje 1 mujore nga data e nisjes për në Itali. Studenti duhet të demonstrojë, në momentin e kërkesës së lejes së qëndrimit, se është titullar i një police sigurimi të cilin mund ta nënshkruajë me mbërritjen e tij në Itali dhe e cila mbulon në rastet e kurave mjekësore, shtrimit spitalor.

Po nëse studenti është ende në moshë të mitur, si veprohet?
Në këto raste duhet kujdestari e plotë për studentin në moshë të mitur. Studentët e mitur në momentin e prezantimit të kërkesës së vizës duhet të paraqiten në sportel të shoqëruar nga të dy prindërit duke paraqitur: certifikatë familjare të apostiliar; akt dakordësie mbi largimin jashtë shtetit të të miturit, të firmosur para noterit nga të dy prindërit mbi bazën ligjore shqiptare, të apostiluar dhe të përkthyer në italisht; garanci të dokumentuar mbi kujdestarinë dhe mbrojtjen e vazhdueshme të minorenit gjatë qëndrimit, e vërtetuar për shembull në format e mëposhtme: a) sistemim në konvikt dhe deklaratë e marrjes së përgjegjësisë mbi minorenin nga ana e rektorit të kolegjit bashkë me një fotokopje të dokumentit të këtij të fundit; b) vendim të gjykatës italiane përkatëse për të miturit mbi kujdestarinë në emër të një të besuari të prindërve, me qëndrim të rregullt në Itali, që mban përgjegjësi derisa minoreni të mbushë moshën 18 vjeç.

Cila është ndihma që i ofrohet aplikantëve nga Patronati INAS Albania?
Patronati INAS ALBANIA, jep të gjithë konsulencën e nevojshme, që nga fillimi i procedurave dhe deri në mbylljen e tyre për të gjithë studentët që paraqiten pranë zyrave tona. Edhe mbas fitimit të së drejtës për studime në Itali, INAS ALBANIA, ndihmon studentët shqiptarë, nëpërmjet strukturave që ka në të gjithë Italinë, deri në akomodimin e plotë të tyre si edhe në plotësimin e dokumenteve për leje qëndrimin italian nga zyrat e Patronato Inas Cisl që ndodhen të shpërndara në të gjithë Italinë. Numri i telefonit është 0683448188, ndërsa adresa në rrugën Andon Zako Cajupi,Pll.7, mbrapa shkollës Edith Durham, ish-Blloku, Tiranë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.