Sport

Lotito zbutet ndaj Tares: Igli, një zgjedhje e zgjuar

10:51 - 23.04.19 Gazeta Shqiptare

Kanë qenë momente tensioni ditën e djeshme në Formelo, ku përpara seancës stërvitore, Klaudio Lotito, presidenti i Lacios, ka folur përpara të gjithë skuadrës dhe stafit duke mos kursyer asnjë. Nervozizmi i presidentit kishte të bënte me humbjen ndaj Kievos, një skuadër e cila ka rënë matematikisht nga kategoria, humbje që për Lacion rrezikon të kthehet në dështim sezonal, pasi mund të mos kualifikohet për në zonën e Ligës së Kampioneve. Mes të kritikuarve ka qenë edhe Igli Tare, ndërsa “Sportmediaset” shkruante që Lotito mund t’i hiqte shumë direktiva nga merkatoja drejtorit shqiptar dhe t’ia kalonte Anxhelo Perucit. Gjithsesi, gjërat duket se janë qetësuar në ditën e sotme, me Lotiton që rrëfen sesi nisi bashkëpunimi i tij me Igli.



“Thoshin që kishte ardhur me gomone dhe e tallnin për këtë. Kam bërë një zgjedhje shumë të zgjuar. Ishte koha që do t’i rinovonim kontratën, erdhi në takim bashkë me prokuratorin e tij dhe i thashë: ‘Shiko, nuk do ta rinovoj kontratën’. Ai më tha: ‘Si? Ju më keni dhënë fjalën, nuk është korrekte, nuk është serioze’. Ia thashë se kisha në plan ta bëja drejtor sportiv. ‘Po si, nuk kam as licencën’, – u përgjigj ai. ‘Mos u shqetëso, – vazhdova – atë do ta marrësh. Mendohu për 30 minuta!’ Erdhi pas gjysmë ore dhe më tha ‘po’. Telefonata e parë që mora ishte ajo e Delio Rosit, i cili më pyeti nëse e kisha zgjedhur drejtorin sportiv. Ai thashë ‘po’ dhe ai më pyeti ‘Rrezik ke zgjedhur Taren’. ‘Po, kam zgjedhur Taren’, – iu përgjigja. ‘Ti e bën këtë, sepse e di që ai është kundër meje’, – vazhdoi Rosi dhe aty shpërtheva ‘Si guxon të më flasësh kështu? Ti je një nëpunës, bëj punën tënde dhe pas dy muajsh do të më falënderosh’. Pas pak kohësh shkuam në Siena dhe u mundëm 2-0. Delio Rosi i tha Tares: ‘I thuaj presidentit të më shkarkojë, nuk e kam më skuadrën nën kontroll’. Tare më tregoi gjithçka dhe në fund më tha: ‘President, unë do ta kisha mbrojtur’. Unë i thashë menjëherë: ‘Po, ke të drejtë, ta mbrojmë!’ Atë vit fituam Kupën e Italisë”, – ka rrëfyer presidenti i Lacios, Lotito gjatë një eventi në Kampanjano të Romës.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *