OPINION

Rama ka të drejtë, zgjedhjet nuk duhet të shtyhen

07:23 - 24.04.19 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edi Rama dhe zëdhënësi i tij më i zellshëm diplomatik, shefi i OSBE-së, kanë folur sot lidhur me mundësinë e ndryshimit të datës së zgjedhjeve.




Kryeministri ka qenë i prerë, shtyrje nuk do të ketë. Ndërsa Bernd Borshard ka pyetur me ironi reporterët që i kanë zgjatur mikrofonin: “E ç’të mirë do të sillte shtyrja”?

Në fakt, edhe pohimi i Ramës edhe ai i diplomatit, jetëgjatësia e të cilit varet nga projektet që i miraton qeveria, kanë diçka racionale. Sepse 30 qershori, si një datë tashmë e dekretuar nga presidenti, do të kishte kuptim të ndryshohej vetëm me kushtin e pjesëmarrjes së opozitës në garën lokale.

Po a ka sot opozita mundësi të përfshihet në këtë garë, pasi ka djegur mandatet me arsyetimin se nuk zhvillohen dot zgjedhje të ndershme, të lira dhe të barabarta me këtë kryeministër?

Një veprim i tillë do të ishte një kamikazëri politike e paimagjinueshme.

Sepse zgjedhjet në këtë vend nuk mund t’i shpëtojë, as ndonjë lëmoshë e minutave të fundit, as ndonjë garanci ndërkombëtare, apo premtimi se Gjushi në Durrës apo Lala në Elbasan u hoqën qafe, e aq më pak ndonjë kompromis për “lëshimin” e ndonjë qyteti të madh.

Nëse me largimin përfundimtar nga parlamenti, opozita pati si qëllim ta nxjerrë lakuriq regjimin e Ramës, nëse ajo u vetësakrifikua për të shërbyer si pasqyrë, ku njerëzit të shohin se të gjitha pushtetet i ka në dorë një njeri i vetëm, ajo duhet t’i shkojë në ekstrem kësaj rruge: pra t’i braktisë edhe zgjedhjet lokale. Ta lërë të shpërfaqet deri në fund parodia e një pushteti që do të garojë me vetveten, që do të bëjë sikur ndeshet me palaçot që ka krijuar vetë, e që do të kthejë në lolo vëzhguesit ndërkombëtarë që do të sillen sikur monitorojnë një garë të rregullt.

Pra, në këtë kuptim, ajo që opozitës i duhet më pak, është një shtyrje e datës së zgjedhjeve. Prandaj edhe Rama ka të drejtë kur deklaron me vendosmëri se 30 qershori nuk preket. Ai nuk mund të falë një gjë që, as nuk ia ka kërkuar kush, as nuk i duhet kujt.

Por edhe mbështetësi i tij, Broshard, nuk e ka gabim kur ngre dilemën se ç’do përfitohej nga zhvendosja e 30 qershorit. Këtu të gjitha palët bien dakord: E pse u dashkan bërë zgjedhjet detyrimisht me opozitën?

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.