KULTURË

Dhimitër Anagnosti: Xhirimet e filmit “Gjoleka…”, ia dola nga kujdesi i Rozës

10:14 - 25.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Fjala ishte e para, fjala do të jetë e fundit. Nuk vdes fjala, vdes njeriu. Fjala është drejtpeshimi universal, fjala është frymë: që qesh, që qan, që ledhaton, që qorton, që urdhëron, që ndërton, që mashtron, që shpif, që vret, që lutet, që… Fjala është arsyeja superiore… fjala… Bëni kujdes me fjalën!… Fjala e ka shtëpinë në mendjen e njeriut, atje ku përleshen egërsisht, tinëzisht… Zoti me Djallin për të fituar shpirtin e njeriut, që do të thotë, për t’i diktuar atij fjalën”!




Një himn për fjalën qëndron në faqet e para të librit më të fundit të Dhimitër Anagnostit “Ulliri, pema e dhimbjes/ Tregime, skica, novela” që u promovua dje nga botimet “Toena”.

Regjisori vjen para lexuesit me një sërë shënimesh, duke vënë si parathënie kujtime nga koha kur xhironte filmin “Gjoleka, djali i Abazit”. Mandej, ai rrëfen personazhet që ka takuar kur xhironte filma a kur zgjidhte vendxhirimet, malësorë e djem të rinj, burra nga fshati i lindjes me plot ngjarje për të treguar. Janë më tej historia e një partizaneje, përcjellja e së bijës në aeroport, disa mendime për vitin e mbrapshtë 1997, rrëfime nga udhëtimet e tij në Shqipëri e jashtë saj. Gjen në libër histori pagëzimi në fund të luftës për të cilat thuhet “U pagëzua si Krishti në stallë dhe “mbajti për tërë jetën kryqin e tij në Golgotën socialiste shqiptar”. Më poshtë një fragment nga libri.

PJESË NGA LIBRI
Në vend të parathënies
– monolog –
Fizikisht ndihem mirë. Xhirimet e filmit, “Gjoleka, djali i Abazit” qenë një provë e rëndë, të cilën e përballova aq mirë, sa shumica u befasuan. Nuk e di nga më erdhi ajo energji?! Besoj se dy kanë qenë arsyet: frymëzimi, dëshira për të bërë edhe një film, pas një heshtjeje tepër të gjatë dhe kujdesi i gjithëllojshëm i Rozës…
Jam në prag të të shtatëdhjetave, në janar të vitit 2006 i mbush. Dikur, diku, kam bërë një shënim të tillë: “Në pleqëri, njeriut i dobësohet shikimi, sepse nis të ‘shohë’ më tepër brenda vetes, se jashtë saj…”. Ndonëse ndihem mjaft mirë fizikisht, nuk ka vend për optimizëm të tepruar: jetëgjatësia e meshkujve të familjes sime, në dyqind vjetët e fundit nuk e ka kaluar shifrën 70: im atë, gjyshi, stërgjyshi e stër-stërgjyshi… vdiqën në këtë moshë. A duhet të trishtohem? E kam shkruar edhe diku tjetër, se biologjikisht jam i pavdekshëm, sepse ADN-ja ime udhëton në përjetësi, përmes brezave në vijim.
Përse i shkruaj këto rreshta?! Që të “bisedoj” me fëmijët e mi e me fëmijët e tyre e më tej e më tej në breza për të kuptuar çfarë i jep jetës nxitje, energji, kuptim. Si të jetohet ajo më mirë, në kuptimin material, intelektual, moral dhe emocional. Njeriu nuk është vetmitar, jeton brenda një bashkësie të vogël, që është familja, dhe një bashkësie të madhe, që është shoqëria, në nivel lokal, kontinental apo global, e ndoshta universal.
Ajo që e “mundon” më shumë njeriun është përkohshmëria e tij brenda përjetësisë universale, ndaj njerëzit përpiqen të “jetojnë” tej vdekjes fizike, duke vazhduar të “jetojnë” në memorien kolektive të brezave që vijojnë, përmes kontributit të tyre në thesarin kulturor, shkencor, artistik etj., të njerëzimit… Njerëzit e zakonshëm “gënjejnë” veten duke u “përjetësuar” me daljen në fotografi e duke iu lënë pasardhësve shëmbëlltyrën e tyre, kjo kushton fare pak dhe bëhet lehtë.
Të fuqishmit e kësaj bote, ndërtojnë piramida, mauzole, skulptura, piktura etj. Unë mendoj se jetova një jetë të plotë, në të gjitha parametrat e saj dhe i sigurova ADN-së sime një rrugëtim të sigurt: po kjo nuk mjafton. Po iu lë disa porosi vajzave të mia, që të bëjnë kujdes në ndërtimin e jetës së tyre: ta ngrenë hera-herës kokën nga problemet e përditshme dhe të shikojnë nga “Ylli Polar”, për të mos humbur drejtimin e rrugëtimit. Në atë vend, në atë truall ku brezat kanë derdhur energjitë fizike, intelektuale, morale e shpirtërore, atje ku ata kanë vdekur e janë varrosur, rrezatohet një energji misterioze e shumëllojshme, që ta bën jetën më të lehtë, më të plotë, më me kuptim… energjia e memories historike.
Njeriu është një qenie shpirtërore, që vjen nga misteri dhe shkon prapë drejt tij. Në këtë rrugëtim misterioz të ADN-së, vdekja i jep energji e frymëzim jetës, asaj jete brenda së cilës udhëton ADN-ja e të vdekurit. Brezat, që në krye të herës, janë munduar të ndriçojnë “misterin e jetës e të vdekjes…”, dhe nëse arrijnë një ditë ta bëjnë këtë, atëherë do të fillojë kaosi, pra, do të kthehemi atje nga jemi nisur. Po kjo s’ka për të ndodhur. Flemë e zgjohemi, flemë e zgjohemi… “Mos kini frikë”, ka thënë i mençuri Sokrat, “do të ikim nga kjo jetë, njësoj siç na zë gjumi, me të vetmin ndryshim, që nuk do të zgjohemi”.
Le të zbresim në tokë: meqë jemi të përkohshëm, për të zgjatur këtë kohë ka dy mënyra: e para, përdorimi racional i kohës, pra koha të jetohet në mënyrë intensive me veprimtari gjithfarëshe në dobi të familjes e shoqërisë dhe, e dyta, është jetëgjatësia, që, gjithsesi, ka limitin e vet. Kryesorja, që jeta të jetohet në mënyrë intensive, duhet që njeriu të bëjë një punë shoqërisht të dobishme, e cila të jep edhe kënaqësi emocionale dhe të bën të lumtur. Kjo jetë bëhet atje ku është gjithë energjia e fisit tënd dhe veçanërisht e prindërve. Le të jemi bashkë me fëmijët tanë, kur të vijë caku i mbramë! Një ditë do të ndodhë, e di si vdekja!
ULLIRI, PEMA E DHIMBJES
Ngado që të arratiset mendimi, në netët pa gjumë a në vetminë e ditëve me shi e me mjegull, apo në gjumin e trazuar me ëndrra e përjetime, që fanepsen aq qartë, si të ishim zgjuar, ai do përplaset në terrin e misterit pa mundur t’i ndriçojmë asnjë tipar.
… Ndez kandilin me vaj ulliri dhe, përmes dritës së tij drithëruese, mundohem të ndriçoj errësirën për të gjetur shtegun që do të më çojë te dera e misterit… E kërkoj e s’e gjej… I dëshpëruar ulem e mbështes kurrizin te trungu i ullirit të madh, atje ku ulej për të pushuar pak mëma ime… Ngre kokën e shikoj kurorën e tij në qiellin e errët… Kandili me vaj ulliri ndriçon trungun e ashpër e degët e përthyera, gjithë gunga e ngërçe, që “rënkojnë” në një vuajtje e dhembje pa fund… “Lotët” e tij vajorë pikojnë nga çdo kokërr, pikojnë e digjen për të ndriçuar fytyrën e birit të perëndisë e shpirtin e mëmës sime, që gjithë jetën e saj e kaloi gërmuq duke mbledhur kokrrat e bekuara për të bërë vajin e kandilit e për të thënë lutjen e saj të dëshpëruar për ndjesë, mëshirë e ndihmë…
Ia dëgjove lutjen, o Shën Mëri, o mëma e Jezu Krishtit?! Ia dëgjove lutjen, mëmës sime?! Kam një jetë që të pyes dhe ke një jetë që nuk më përgjigjesh…
BIOGRAFI E AUTORIT
Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator (drejtor fotografie). Xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” – sipas tregimit të Heminguej, që u vlerësua me “Çmimin e Parë” në Festivalin e Shkollave Kinematografike në Holandë (1961). Pas studimeve u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku dha kontributin e tij të gjatë e të rëndësishëm si regjisor, skenarist e kino-operator në zhvillimin e artit të ri të kinematografisë shqiptare. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar. Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera. Filmat e tij më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj. janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006). Në një ceremoni madhështore në Romë, iu akordua çmimi i rëndësishëm “Il Lazio tra Europa e Mediterraneo”, 2006 – për audiovizivin dhe kontributin në zhvillimin e artit në Shqipëri, ku u vlerësuan dhe u nderuan tetë personalitete nga vendet e Mesdheut. Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10 të Filmit Artistik Shqiptar. Ka qenë deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e parë pluralist shqiptar dhe në vitin 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e parë
demokratike. Më pas krijoi dhe drejtoi Fondacionin “Fan S.Noli” për kulturën dhe artin. Në vitin 1995 shkroi dhe vuri në skenë dramën “Nata e trokitjeve në xhama” dhe në vitin 2006 u shfaq filmi i tij më
i fundit “Gjoleka, djali i Abazit”. Ka dhënë vazhdimisht kontributin e tij në përgatitjen profesionale të brezit të ri të kineastëve. Gjatë viteve të fundit, aktiviteti i tij artistik ka vazhduar me publikimin e veprave të tij letrare. Për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2011).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.