OPINION

Merkel, të qëndrojë apo të shkojë?

07:22 - 26.04.19 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është dilema më e re e kohëve të fundit për Kancelaren Merkel, CDU-në dhe koalicionin e madh qeveritar gjerman. Siç dihet, pas rezultateve zhgënjyese të CDU/CSU-së në zgjedhjet lokale vjeshtën e kaluar në Bavari dhe Hessen, në kulmin e tensionit të krijuar brenda tij, Kancelarja Merkel u tërhoq, siç di ajo, nga rikandidimi si Kryetare e CDU-së. Gjithashtu, ajo njoftoi se nuk do të kandidojë më si Kancelare në vitin 2021.




Ky veprim i mençur politik ndihmoi shumë për shtensionimin e situatës brenda kampit të djathtë dhe me partnerët e SPD-së. Ndërkohë, Merkel vijon të drejtojë kancelarinë gjermane me një intensitet dhe efektivitet të pandryshuar, madje më të madh se më parë.

Megjithatë, janë shtuar sërish zërat dhe dyshimet lidhur me mundësinë praktike që Merkel ta çojë deri në fund, d.m.th. në vitin 2021 mandatin e katërt si Kancelare. Me këtë shpjegohen sipas tyre dhe takimet e saj intensive non-stop në çdo pikë të globit, mosmarrja pjesë në fushatën e zgjedhjeve evropiane, heqja e pikturave dhe objekteve personale nga zyra, etj.

Gjatë kësaj periudhe, qarqe dhe eksponentë politikë të CDU-së kanë kërkuar/sugjeruar që Merkel t’ia lerë vendin qysh tani pasardhëses së saj, Kryetares së CDU-së, Annegret Kamp Karrenbauer, ose Zonja AKK, siç njihet shkurt; që kjo e fundit të ketë kohë të mjaftueshme për t’u afirmuar si Kancelare, me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare gjermane, aq më tepër të parakohshme, nëse do të ndodhë një gjë e tillë, CDU/CSU të fitojë dhe të vazhdojë qeverisjen e vendit pa Merkel.

Mirëpo, duke parë gjendjen konkrete të brendshme e të jashtme dhe ngjarje të rëndësishme madhore, si zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe në tre lande ish-lindore këtë vjeshtë, me pasoja të paparashikueshme për të gjitha partitë politike gjermane, largimi qysh tani i Merkel është një rebus dhe ekuacion politik me disa të panjohura të mëdha; ndaj përpara se të hidhet një hap i tillë kërkohet një analizë tërësore e kostos dhe përfitimeve politike dhe mbi të gjitha një përgjigje optimale ndaj pyetjes madhore se « çdo të ndodhë më tej »

Sipas sondazheve serioze, në zgjedhjet e 23/26 majit për Parlamentin e ri Evropian, CDU/CSU mund të humbasë disa vende në Europarlamentin e ri. Gjithsesi, përmasat e kësaj humbjeje të mundshme mbeten për t’u parë. Për më tepër se kandidati kryesor si President i Komisionit Evropian nga qendra e djathtë evropiane është Manfred Weber i CSU bavareze, aleat dhe «motër» politike e Merkel.

Ndaj, për të kuptuar më mirë aktorët dhe faktorët, rëndësinë, pikëpyetjet, vështirësitë dhe llogaritjet e nevojshme politike, le të shpjegojmë pasojat e mundshme të kësaj dileme të re merkeliane.

Fakti i parë dhe kryesor që përjashton dorëheqjen e saj të parakohshme është ndonëse me rënie brenda CDU-së, popullariteti i Merkel në Gjermani dhe jashtë saj është në kulmet e veta.

Pyetja tjetër e rëndësishme që kërkon përgjigje në një plan afat-mesëm është se çdo të ndodhte me Zonjën AKK si Kancelare e re nëse CDU do të pësojë humbje të thellë në zgjedhjet evropiane dhe në vjeshtë në tri landet lindore? A nuk do të ishin këto shuplaka të forta politike dhe zgjedhore për Kancelaren e re pa përvojë qysh në fillim të mandatit të saj? Aq më tepër, kur sfidanti i saj kryesor, Friedrich Merz, pas humbjes tejet të ngushtë në garën për kreun e CDU-së dhjetorin e kaluar ka shumë të ngjarë të jetë dhe ai kandidat për Kancelar?

Veç kësaj, është politikisht dhe organizativisht logjike të mendohet se duke shkuar në zgjedhjet e lartpërmendura me duon AKK – Merkel, rezultati ka shumë më tepër të ngjarë të jetë më i mirë. Por, dhe nëse CDU do të pësonte një humbje, ca më tepër të rëndë, sërish faturën politike do ta paguajë Merkel, duke dhënë dorëheqjen e parakohshme nga posti i Kancelares. Pas kësaj, AKK mund të hynte e freskët në betejë me argumentin se nuk ka as një vit në detyrë dhe sfidanti i saj Friedrich Merz nuk do të « kishte gojë të fliste» sepse përgjegjësinë politike do e marrë në çdo rast Merkel.

Nga ana tjetër, largimi i menjëhershëm i Merkel është praktikisht i pamundur, sepse atletët e saj, social-demokratët e SPD-së nuk e pranojnë këtë ndryshim dhe ata mund të largohen nga koalicioni. Pas kësaj, vërtet mund të mos ketë zgjedhje të parakohshme, sepse CDU do të kërkojë qeveri të re me liberalët. Mirëpo këta të fundit, ashtu si dhe në fillim do të kenë kërkesat dhe pretendimet e tyre programatike; kësisoj, krijimi i qeverisë së re do të kërkonte kohë, mund dhe shumë energji. Për më tepër tani kur janë ndezur fuqishëm motorët e fushatës së zgjedhjeve evropiane.

Ndërkohë, zgjedhjet e reja të parakohshme janë varianti më i keq dhe i papranueshëm për të gjitha forcat e moderuara politike dhe «dhuratë» për partitë e ekstremit të majtë dhe të djathtë që mezi presin.

Një variabël tjetër i madh i panjohur është ecuria dhe rezultatet e pritshme të aleates së Merkel, SPD-së në zgjedhjet evropiane. Sondazhet tregojnë se gjasat nuk janë të mira. Kësisoj, po qe se SPD pëson ndonjë katastrofë  tjetër zgjedhore, atëherë ekziston rreziku që ajo të largohet nga koalicioni dhe të dalë në opozitë, me qëllim që të riorganizohet dhe ringrihet për zgjedhjet e ardhshme. Këtë ata e kanë paralajmëruar dhe më parë. Në fakt, qenia në koalicion me CDU e Merkel për të tretën herë radhazi ka ndikuar mjaft negativisht për SPD-në; ajo ka krijuar zhgënjime të shumta te elektorati i vet duke krijuar perceptimin e gjerë publik se ajo është vetëm për pushtet dhe si « patericë » e Merkel duke tradhtuar bazën e saj elektorale. Rënia e saj aktuale në nivelet më të ulta historike prej 15 për qind është kambanë e fuqishme alarmi për lidershipin e SPD-së dhe kalimi në pozitë është e vetmja alternativë me kosto por që mund të premtojë diçka për të ardhmen e saj të afërt.

Largimi i SPD-së, siç u përmend më lart nuk çon detyrimisht në zgjedhje të parakohshme, por krijimi i një koalicioni të ri të mundshëm me të Gjelbërit apo Liberalët do të kërkojë sërish menjëherë « kokën « e Merkel.

Për rrjedhojë, rasti më i « artë » për Merkel që të vijojë Kancelarinë deri në fund të mandatit të saj në vjeshtën 2021 është një rezultat i mundshëm bindës e sidomos fitore në të katër fushatat e lartpërmendura zgjedhore. Diçka tejet e vështirë, por gjithsesi jo e pamundur.

E megjithatë, si politikane kalibri, sipas disa ekspertëve dhe në rastin më te mirë, Merkel ka shumë të ngjarë të japë dorëheqjen disa muaj përpara vjeshtës 2021, me qëllim që t‘i krijojë hapësirën dhe kohën e nevojshme për AKK-së si Kancelare e mundshme.

Deri tani u përmendën aspektet e brendshme, por largimi i parakohshëm i Merkel lidhet dhe me gjendjen ndërkombëtare. Aq më tepër që sfidat dhe rreziqet janë të panumërta dhe serioze në çdo cep të Evropës dhe të botës. Veç përplasjeve të mëdha gjeostrategjike ndërmjet SHBA-vë, Rusisë, Kinës, fatit të Brexit, përshkallëzimit të populizmit dhe ekstremizmit, edhe vetë BE-ja e NATO, ku Gjermania luan rol qendror përballet me shumë rreziqe dhe kërcënime. Ndaj, zëvendësimi i parakohshëm i Merkel do të krijonte boshllëqe të mëdha në lidershipin evropian të cilat nuk mund të mbushen brenda disa muajve apo dhe në një vit. Sepse bëhet fjalë për Merkel, gruan më të fuqishme politike në botë, dhe « violina e parë » evropiane për mbi 13 vite dhe 20 vite si lidere e CDU-së.

Largimi i Merkel është me pasoja të mëdha sidomos për Ballkanin Perendimor dhe vendin tonë, të cilëve ajo u ka kushtuar një pjesë të madhe të aktivitetit të saj politik. Procesi i Berlinit, vizitat e saj në vendet e rajonit dhe në Shqipëri, nxitja e dialogut politik Serbi – Kosovë, « JO»-ja e saj shpëtimtare ndaj çdo ndryshimi/këmbimi kufiri ndërmjet tyre dhe mbështetja për çeljen e negociatave tona me BE-në, megjithë kundërshtimet e njohura dhe vetë brenda rradhëve të saj janë vetëm disa prej shembujve më domethënës e të freskët të mbështetjes së saj të fuqishme. Takimi që ajo me Presidentin Macron organizon më 29 Prill në Berlin me liderët e Ballkanit Perëndimor është në vazhdën e trashëgimisë së saj politike për rajonin tonë.

Ja, për të gjitha këto shkaqe dhe arsye « të qëndrojë apo të shkojë « është shumë më tepër se një dileme merkeliane. Këtë e kanë kuptuar dhe ata që kërkojnë largimin qysh tani të Merkel, ndaj zërat e tyre janë zbehur ndjeshëm. Aq më tepër, kur sipas sondazhit më të fundit gjerman, mbi 59 për qind e të anketuarve mbështetin vazhdimin e Merkel si Kancelare deri në fund të mandatit në vitin 2021.

Ndaj, ashtu siç është shprehur ish-ministri gjerman Joschka Fischer ndoshta mund të kemi « një lamtumirë të zgjatur » të Merkel.

Së fundi, dhe më e rëndësishmja, është e vërtetë që Merkel ka deklaruar se pas vitit 2012 nuk do të mbajë më asnjë funksion politik; megjithatë, po dëgjohen dhe zëra politikë me peshë që pohojnë se interesat dhe shpëtimi i Evropës mund të kërkojnë dhe ta detyrojnë atë që pas zgjedhjeve të 26 Majit të japë dorëheqjen si Kancelare, këtë radhë pa pasojat e lartpërmendura, me qëllim që falë përvojës së saj unikale, Merkel të vihet në krye të Komisionit Evropian në vjeshtën e këtij viti. Edhe pse kandidati kryesor është Manfred Weber, dihet se fjalën e fundit e ka Këshilli i BE-së. Por, për këtë duhen pritur rezultatet në zgjedhjet evropiane me rrjedhojat dhe pasojat e tyre.

Gjithsesi, cilido të jetë fati i saj i mëtejshëm politik, pesha, jehona dhe ndikimi i fenomenit Merkel, kësaj « vepre ideale të admirueshme arti » të politikës, siç është shprehur disa ditë më parë Jean Claude Juncker, do të vazhdojnë të jenë të pranishëm kudo, dhe në rajonin/vendin tonë ; si shkollë e re moderne e mendimit politik dhe pikë emblematike referimi në përballimin e sfidave të reja madhore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.