KULTURË

Bëhen publikë emrat e jurisë shqiptare në Eurovision

14:38 - 02.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqipëria do të përfaqësohet këtë vit në festivalin më të rëndësishëm të muzikës europiane “Eurovision” me këngëtaren Jonida Maliqi dhe këngën e saj “Ktheju Tokës”. Ndërkaq, secili shtet pjesëmarrës në konkursin ndërkombëtar të këngës ka edhe një juri që vlerëson këngët e festivalit europian. Këngëtarja Anxhela Peristeri ka treguar për ndjekësit e saj në rrjetin social “Instagram” krahas faktit se ajo do të jetë pjesë e kësaj jurie, edhe emrat e pjesëmarrësve të tjerë. Juria shqiptare duket se do të ketë pjesë të saj edhe Eranda Libohovën, Dilan Rekën, Julka Gramon dhe Gent Rushin. Jonida Maliqi u përzgjodh si përfaqësuesja e cila do të përfaqësojë vendin në Izrael, pasi u shpall fituese e festivalit të 57 të RTSH-së. Këngëtarja fitoi 228 pikë nga juria. Në datën 16 maj, Maliqi pritet të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin e përvitshëm të ‘Eurovision’ me këngën fituese të festivalit të ‘RTSH’, ‘Ktheju Tokës’. Kënga është pëlqyer shumë nga të gjithë ndjekësit e këngëtares jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por edhe jashtë saj. Në udhëtimet e shumta që Maliqi ka zhvilluar këto kohë, ka zbuluar reagimet fantastike të të gjithë adhuruesve të këngës përfaqësuese në festival. Së fundmi ‘Ktheju Tokës’ ka arritur 1 milionë klikime në kanalin e ‘Youtube’, duke u renditur kështu si kënga e parë shqiptare më e klikuar para netëve të gjysmëfinales. Kujtojmë se deri më tani kënga është realizuar në ‘cover’ nga adhurues të ndryshëm të muzikës në mbarë botën, duke treguar dhe njëherë suksesin që ka pasur. Po ashtu në një sondazh të bërë pak ditë më parë, ‘Ktheju Tokës’ u klasifikua si kënga më e pëlqyer në ‘Eurovision 2019.




Klipi
Një vrap për t’i ikur frikës, duke kthyer herë pas herë kokën pas, por duke kërkuar shpëtim. Lexon në hapat që hidhen me nxitim ankthin të ikurve në mesnatë pa parë se ku po i hedhin këmbët. Derisa një shi i madh, duket se lan gjithë baltën që e shkelëm kur ecnim në errësirë. Të gjunjëzuar që mezi ngrihen në këmbë, trupa që shquhen po nuk shihen. E kanë lënë folenë si në legjendën e shqiponjës. “Është kjo foleja e një shqiponje, por që me këtë simbolikë autorët duan ta përgjithësojnë atë me folenë, apo shtëpinë e gjithkujt. Dhe foleja e çdo shqiptari, është Shqipëria. Kur folenë e prishin, e djegin dhe kur gjendesh mes flakësh, t’i mundohesh të gjesh shpëtim, e shpëtimi është ikja. Ti ikën, por gjithçka mbetet aty: zanafilla, gjaku, origjina, identiteti e çdo gjë tjetër që të personifikon. Ti ikën, por brenda vetes lufton me dëshirën dhe klithmën e kthimit… Ktheju tokës tënde!”, thotë kompozitorja Eriona Rushiti. Kjo është ideja që përcjell videoklipi i këngës së Jonida Maliqit, “Ktheju tokës”, me të cilën përfaqësohet Shqipëria në Eurosong.

Me muzikë dhe tekst të Eriona Rushitit dhe aranzhim muzikor të Enis Mullaj, ky klip vjen i realizuar nga Triangle Studios. Regjisori Genc Gjineci dhe Andi Kotri e kanë ngritur idenë e klipit mbi simbolin e folesë, sepse mesazhi i këngës vjen i përcjellë nëpërmjet folesë së shqiponjës, ujit dhe zjarrit! Fustani që vesh Maliqi është i stilistit Ardi Asllani dhe ruan të njëjtën ide që ka klipi: tokën, folenë dhe vendin amë. Kënga interpretohet në gjuhën shqipe si në klip edhe në skenën e Eurovizionit, në Tel Aviv të Izraelit. Prej ditës kur u shpall fituese e Festivalit të Këngës në RTSH, vëmendja tashmë është drejtuar nga Maliqi. Këngës i janë bërë edhe covera. Kënga “Ktheju tokës” doli Fituese e Festivalit të 57-t të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe konkurron në datë 16 maj në Eurovizion 2019. Në javët në vijim nis nëpër Europë edhe turi promovues i këngës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.