Homo Albanicus

Pse Kosova nuk ka një histori të përbashkët me Shqipërinë?!

18:48 - 03.05.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kohën e Socializmit shqiptar, në kurrikulat e atëhershme shkollore, Kosova ishte e përfshirë në një seksion të veçantë në Gjeografinë e Shteteve!! Mësohej si një etnitet gjeografik me të gjithë shumëllojshmërinë strukturore të saj, por duke këmbëngulur shumë te burimet e saj të mëdha, parë në frymë shumë ideologjike. Edhe nxënësi më i thjeshtë e kishte të përcaktuar se Kosova është shqiptare dhe është shkëputur nga trualli shqiptar, në kohën e ndarjeve të mëdha që Evropa i bëri Shqipërisë.




Vitet kaluan dhe sot e kësaj dite shqiptarët e këtej kufirit, por mbase dhe kosovarët e andej kufirit nuk e realizojnë dot sesi ndodh që ne nuk kemi një histori të përbashkët dhe gati një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kemi shumë pyetje të hapura. Pse e njohim kaq pak njëri-tjetrin? Sa realisht jemi afër? Ka një veçanti interesante dhe kjo mund t’i ketë rënë shumë njerëzve në sy kur flitet për aspekte të ndryshme të historisë sonë. Personazhet kosovare përmenden shumë larg dhe janë shumë të pakët. Njësoj ndodh dhe në Kosovë dhe mbase atje fenomeni është shumë më tepër prezent: personazhet shqiptare janë shumë sporadikë. Për Shqipërinë dhe personazhet e saj flitet në mënyrë shumë të largët.  Po pse vallë shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës nuk gjenden më shumë bashkë dhe pse nuk reflektohen ndryshimet?!  Shpuza,  një nga historianët shqiptarë e njohur të kësaj periudhe,  përmend si element ndryshimi apo si fillim i mendimit për pavarësinë,  ngjarjet në Shkodër në dekadat e para të shekullit të XIX-tw.  Po pse vilajeti kosovar nuk është prezent,  kur lëvizjet dhe kryengritjet atje janë më të forta?  Pse nuk reflektohen në Shqipëri?  Ose si e shtron me të drejtë pyetjen studiuesi i njohur kosovar Mehmet Kraja: Përse,  pra,  asnjë Rilindës me nam nuk e ka origjinën nga kjo zonë,  nga ky vilajet i Perandorisë?  Pse vallë? Ku bashkohet historia jonë  (ne jemi shqiptarë)? Po nëse e kemi një histori të përbashkët,  të kemi kaluar pothuaj në të njëjtën fazë zhvillimi pse nuk kemi gjëra të shumta të përbashkëta? Pse kosovarët janë të padukshëm te Rilindasit?  Pse në Kongresin e Manastirit nuk kishte shqiptarë?  Pse ky vend me mrekulli të shumta,  me ndërtime interesante,  me dinjitarë religjiozë,  ndryshon realisht nga tre vilajetet e tjera ku janë popullsitë shqiptare? Çfarë e mban realisht Kosovën larg Shqipërisë asokohe?  Pse bashkimi që bëjnë gjermanët pothuaj shumë dekada më vonë nuk funksionon si duhet? Pse shqiptarët, në kohën e pushtimit fashist, çojnë shumë mësues në Kosovë? Pse kjo rezistencë e Kosovës të mos shkrihet me Shqipërinë?  Pse Enver Hoxha çon shumë komunistë për të përcjellë luftën?

Por,  ndarja është më e thellë.  Duket se është një ndarje që e kanë krijuar vetë njerëzit.  Me të drejtë,  studiuesi Kraja në librin e tij lidhur me identitetin kosovar,  sjell kryeveprën e Faik Konicës dhe mungesën e trajtimit të Kosovës në konceptin gjeografik në libër,  duke aluduar se mungesa nuk është rastësi.

Ndarja,  e përsërisim,  më e thellë është panjohja dhe më shumë akoma shteti i ri i Kosovës që po bën identitetin e vet. Triumfi në një ndeshje përfaqësuesesh futbolli dhe mënyra sesi u përcoll,  ishte pikëkthesa e parë që Kosova tregoi se ka një identitet shtetëror ndryshe,  por edhe faktin se është në kërkim të identitetit të saj të plotë,  atë që ende nuk e sheh shumë të lidhur me Shqipërinë.  Kjo periudhë e fundit pas pavarësisë,  ka sjellë dhe diferencën e madhe mes nesh,  por edhe shqetësimin që rrjedh në dejet e shumë patriotëve në të dy anët e kufirit: Si do të jetë e ardhmja jonë?  Do tw na afrojë apo do të na bashkojë? Ose më thjeshtë: kur do të shkruajmë një histori të përbashkët dhe pse kemi qenë kaq të ndarë mesveti? (Homo Albanicus)

 


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kur Franca pas LIB mori A.L., mesuesi Francez i veshur ushtarak iu drejtua femijeve gjermane: Qe sot e tutje nuk dua te degjoj asnje fjale gjermanisht. Enver Hoxha ia mbriti te unifikoje gjuhen shqipe. Po sot?

    Përgjigju ↓
  2. Ben Andoni,duhet ta dije se ne shqiptaret,ne shkolle,nuk kemi mesuar asgje per Kosoven (duke filluar nga vitet 6o deri ne 8o ).Kam qene nxenes me rezultate te larta,por kur me eshte dhene rasti,qe ne fillim te viteve 7o te shkoja ne ish Jugosllavi,nuk kisha asnje ide per Kosoven.Atje,per here te pare mesova gjithcka per kete krahine,per te cilen dinim vetem se ka qene krahine e Shqiperise,por kongresi i fuqive te medha,ja kaloi,bashke dhe me disa teritore te tjera fqinjeve tane-vetem kaq.Bile,rastesisht kaluam nga Gjakova,ku na habiti pritja teper miqesore dhe e vecante qe na bene gjakovaret.Pak kohe para nesh,kish qene atje,ansambli i kengeve dhe popullore shqiptare.Nje gjakovar,adash me Avni Mulen na foli imtesisht se si e kishin prit ate ansambel,qe po kalonte tranzit,por qe nuk e kishin lene te largohej pa dhene nje koncert atje.Nami qe kish lene ne koncert,beri qe ,beri qe i gjithe qyteti ta priste jasht salles se koncertit,duke improvizuar nje koncert masiv ne rrruget e qytetit-tregonte Avniu gjithe pasion e simpati.Kenduan e vallezuan artistet dhe populli i lumturuar,deri vone sa qe u be e veshtire vijimi i udhetimit te grupit artistik.Me qe qyteti -ne ate kohe- nuk kishte hotel te mjaftueshem per gjithe grupin nga Shqiperia,vendosen qe te rehatoheshin ne konviktin e shkolles se mesme,ku me urgjence derguan dysheqe e carcafe te reja.Konvikti ishte bosh se ishin me pushimet verore.Nga Avniu dhe shoket e tij,une dhe kolegu im,mesuam shume per Kosoven,dhe aty kuptova se sa te pa ditur kemi qene ne per krahinen e Kosoves.Na habiti shume edhe fakti se kosovaret,kishin-sic na u shprehen-shume simpati e dashuri per Enver Hoxhen,bile na flitnin me superlativa te cuditeshme,qe edhe ne Shqiperi,nuk i kishim degjuar.Duke ditur gjendjen tone ekonomike,dhe duke e pare dhe prekur nivelin e jeteses ne Kosove,megjithse me nje diference,nga shtetet e tjera te Jugosllavise,na vinte cudi per simpatine e tyre,megjithese nuk mund te kundershtonim apo te vinim ne diskutim,cfare thonin ata.Ky ka qene realiteti.

    Përgjigju ↓
  3. Pergjigja e titullit si me siper eshte shume e thjeshte .Si mund te kishim (atehere ) nje histori te njejte ne nga Shqiperia me kosovaret e Kosoves ???Kur dhe sundimet ,shtetet ishin te ndryshem ???? Eshte njesoj sikur te duash te vesh shenjen e barazimit te historise se Indise me Francen ,. Komentuesi Kris mos te genjeje veten me cfare shkruan se a nuk ishte vete jeta e tij atje ne ish–Yugosllavine e dikurshme e ndryshme nga ne Shqiptaret e Shqiperise ???? Dhe si rrjedhim dhe MENTALITETI qe krijohet ne secilin komb eshte rezultat i jeteses qe ben !! Per fat ky MENTALITET sa vjen e zbehet por do te duhen dhe shume kohe te shkrihet plotesisht dhe rolin me te mire s”do ta luaj propaganda se sa mirekuptimi e pranimi me perulje e respekt nga ana e popullit kosovar ( e popullit e perseris ) per tragjedine e katastrofen historike qe perjetoi Shqiperia pikerisht nga “”heroi”” e frymezuesi i tyre shpirteror E Hoxha !Ato qindra e mijera kosovare qe erdhen me idealin e shprese tek nena Shqiperi perfunduan burgjeve e internimeve jane deshmimtaret okulare e leni ato te shkruajne qe te ndihmojne ne barazimin e Mentalitetit

    Përgjigju ↓
  4. Rita,lexoje ke gjakftehtesi komentin tim,se nuk e paske kuptuar.Une nuk kam jetuar ne ish Jugosllavi,por kam qene per pune dhe trgova pershtypjet e mija per sa pashe e degjova atje.Kete ,ta verteton edhe paragrafi i fundit,prandaj lexoje me kujdes,qe ta kuptosh.Them: Duke ditur gjendjen tone ekonomike (e kam fjalen per ne,ne Shqiperi)dhe duke pare dhe prekur nivelin e jeteses ne Kosove (pra gjate vizites time atje),na vinte cudi per simpatine e tyre (per Enver Hoxhen),por nuk mund te diskutonim dhe te krahasonim gjendjet,sepse kishim shkuar per pune dhe na priten miqesisht,si vellezer (sikunder u shprenin).Pra une,jo vetem qe nuk e kam genjyer vehten (sic e paske kuptuar ti),por ndohta duhej t’i kisha rene me gjate,qe te me kuptonin edhe Rita me ndonje tjeter.

    Përgjigju ↓